Absurdi shkoi deri aty sa, pas Marrëveshjes së Ohrit, kërkesat legjitime të shqiptarëve për Barazi dhe Liri, u konsideruan si “Ndere” që maqedonasit po na bënin! Dihet botërisht se Marrëveshja e Ohrit nuk u zbatua, por u përdor politikisht, kjo gjë i ngatërroi punët keq, dhe tash kemi mosbesim të madh të popullit tek shteti!
Nga dr.Arben TARAVARI
Ky fillimviti duket premtues. Hapat drejt NATO-s, sado të bëra me këpucë që po na vrasin, gjithsesi po bëhen. Qartësimi i një statusi të drejtë, korrekt dhe të ndershëm në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë për popullin shqiptar është kryefjala e partisë Aleanca për Shqiptarët. Për shkak të ngarkesave të mbartura nga sistemet e kaluara marrëdhëniet ndëretnike dinë të tensionohen deri në kufijtë e vatrave të konflikteve. Për arsye aspak objektive dhe ca më pak morale dhe aq më keq ligjore, populli shqiptar kanë qenë prè e një gjenocidi të gjatë, të ushtruar në çdo hallkë të jetës së tyre duke i katandisur në pozitën e Popullit të Përndjekur, dhe historografia provon qartë që qeveritë në ish-Jugosllavi dhe më pas në Maqedoni kanë qenë regjime diskriminuese dhe totalitare me qëllim spastrimin e këtij populli nga trojet e tij.
Por tashmë që vendi bëhet gati t’i thotë “mirë se ju gjeta” institucioneve të Botës Perëndimore, nuk është aspak normale që ne të shkojmë me probleme të së Drejtave dhe Lirive të Njeriut si janë e drejta e Gjuhës, Kombit apo Barazia para Ligjit! Kjo qeveri e re, sado bashkëqeveris me partinë që ka një dosje të zymtë e që ka qenë pjesë e akuzave të rënda e atyre që ka në krahë, sidoqoftë kjo qeveri ka marrë përsipër të kryej Reforma. Vetëm fakti që SDMS-JA bashkëudhëheq me një parti që duket se i pret i përcjellë nga Pallati Qeveritar të gjithë Revolucionarët dhe Komformistët, që këtu ngrihen pikëpyetje të mëdha për Reformat e tyre. Me reformë nënkuptoj që të paktën kriminelët të izolohen dhe dënohen, dhe njerëzit të trajtohen Njësoj!
Kompleksi i inferioritetit i disa maqedonasve që për fat të keq kanë drejtuar vendin, kanë mbjedhur praktikisht e sidomos ligjërisht idenë se Shqiptarët që jetojnë në Maqedoni janë një popull i dorës së dytë, një lloj “Second Hand Shop!”. Sigurisht që është jo korrekte, dhe tjetra dhe më kryesorja nuk është pasaporta e duhur për në NATO. NATO ka lindur si një pakt ushtarak por është dhe një grup politik që bazë ka respektimin e Barabartë të çdokujt! Energjia e Aleancës për Shqiptarët është fokusuar pikërisht tek kjo vlerë, tek vlera e Barazisë pra, që ka probleme në Maqedoni.
Disa përmirësime shumë të rëndësishme në Kushtetutën Shqiptaro-Injoruese të Maqedonisë duket se u arritën pas ngulmimit të fortë të Aleancës për Shqiptarët dhe vullnetit të mirë të Kryeministrit të vendit. Ndryshime që i bëjnë mirë bashkëpunimit politik por në radhë të parë i bëjnë mirë Popullit dhe Shtetit. Kushtetuta e vendit duhet t’i largohet një konteksti skllavo-pronaresk që sigurisht nuk ja ka dhënë Kryeministri, por ja kanë dhënë disa hartues të ngarkuar me komplekse të mëdhà të cilët i prishin punë çdokujt që rreshtohet në krah të tyre. Populli do punë e mirëqenie ekonomike, monedha që politika prej vitesh përdori në treg ishte monedha e urrejtjes ndëretnike! Qeveritarët mbushnin xhepat me para kurse populli vdiste për bukë duke rënë prè e pseudo-patriotizmave të ligjëruara nga politikanët që i kishin idhuj! Mirëpo, si çdo gjë e padrejtë, e gënjeshtërt, kjo politikë e rrezikshme dhe shtypëse sidomos për popullin shqiptar, erdhi në buzë të humnerës dhe rà! Ka ende të mbijetuar të cilët përpiqen me mënyrat më të zeza për të mbajtur gjallë sistemin e padrejtë të krimit etnik, duke folur shqip ata mohojnë identitetin e tyre! A e di bota Perëndimore që sado në Maqedoni kanë jetuar shqiptarë prej kur ekziston memoria historike, gjithsesi ata nuk lejoheshin të flisnin gjuhën e tyre në asnjë institucion?! Përbuzeshin, sulmoheshin, dënoheshin nëse guxonin të kundërshtonin ndalimin absurd të gjuhës së tyre!
Ndalimi i përdorimit të gjuhës ishte vetëm një nga ndalesat e popullit shqiptar, i cili ishte zgjedhur nga politikanët maqedonas si viktima, si një popull që duhej zhdukur mundësisht që Maqedonia të lirohej… Absurdi shkoi deri aty sa, pas Marrëveshjes së Ohrit, kërkesat legjitime të shqiptarëve për Barazi dhe Liri, u konsideruan si “Ndere” që maqedonasit po na bënin! Dihet botërisht se Marrëveshja e Ohrit nuk u zbatua, por u përdor politikisht, kjo gjë i ngatërroi punët keq, dhe tash kemi mosbesim të madh të popullit tek shteti! As maqedonasit nuk i besojnë më politikës shoviniste se “shqiptarët janë racë e dorës së dytë”, vetëdija e tyre falë Zotit po fiton mbi letargjinë kriminale që politika donte t’i mbante gjithë jetën!
Nuk ka raca inferiore apo superiore, ka njerëz të cilët duhet të jenë të gjithë të barabartë para Ligjit pasi vini rè: Para Zotit të gjithë janë të barabartë, Ai asnjëherë nuk ka pas probleme diskriminimi… E për fund do e mbyll me një thënie që më ka bërë të qesh dhe të ndërgjegjësohem edhe më mbi Zotin. Fidrih Niçe njihet ndër të tjera si filozof i famshëm, ndër më të mirët e të gjitha kohërave. Në vitin 1883, ai do të botonte veprën e tij më të njohur “Kështu foli Zarathustra”. Duke demaskuar epokën e tij Niçe e përdori këtë term metaforikisht, por shumë ithtarë të cilët nuk besojnë në Zot, e përdorin literalisht. Sigurisht veshur nga një dozë mosdije shprehja me të gjithë kuptimet e saj (dhe atë të drejt për drejtin) ju fakturua Niçes.
Kështu për të gjithë ata që ndjejnë se janë mbi njerëzit e tjerë, që i bëjnë oponencë Zotit, do them atë që kam parë disa vite më parë në Bosnjën e bukur, e cila ende nuk e kishte marrë veten nga krimet e luftës që i kushtoi shumë asaj dhe botës…Luftë që u bë pikërisht nga ideja patologjike e disa njerëzve që mendojnë se janë superiorë ndaj disa të tjerëve dhe nisin ju ndalojnë Liritë dhe të Drejtat Themelore! Gjithsesi, në këtë Bosnje që mbante era Liri të përzier me barut dhe gjak, pashë një tabelë që shkruante:
Niçe: Zoti ka vdekur!
Zoti: Niçe ka vdekur!
Qesha, sado që Niçja nuk e tha kurrë me kontekst të tillë këtë shprehje, ishte një leksion për të gjithë ata që e ngatërrojnë veten me Zotin! Shpresoj që vullneti pozitiv i Kryeministrit do të vazhdojë të fitojë mbi ata që nuk besojnë se do të vdesin dhe luajnë me të Drejtat e Njeriut për të shpërqendruar vëmendjen nga korrupsioni dhe vjedhja e tyre “Në emër të Atdheut”…
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)