Malkom u transferua me shumë bujë një sezon më parë tek Barcelona, por asnjëherë nuk I arriti pritshmëritë e tij.
22-vjeçari u aktivizua shumë pak nga Valverde në sezonin e fundit, dhe kjo ka bërë që lojtari të mos shfaqet në një formë të mirë. Pas ardhjes së Grizman, hapësirat për sulmuesin brazilian pritet të jenë të vogla, dhe ai po mendon largimin nga “Kamp Nou”.
Sipas asaj që shkruan “Marca”, në gjurmët e lojtarit janë vënë skuadrat e Premier Ligës, si Totenhemi dhe Evertoni. Agjenti i lojtarit pati një takim me drejtuesit e Barcelonës të martën, ku foli për të ardhmen e klientit të tij.
Mendohet se Valverde ka dhënë dritën jeshile për largimin e sulmuesit, dhe ardhmja e tij mund të jetë në Angli, aty ku interesi është më i madh. Katalanasit e morën për 40 milionë euro një sezon më parë, dhe tani kërkojnë 60 milionë euro për ta lënë të lirë brazilianin.