Analizat e Entit të Statistikës tregojnë se një e treta e amvisërive në vend ngrohen me kondicionerë me inverter, me termo apo ndonjë aparat tjetër që përdor rrymën. Më shumë se gjysma apo 60 për qind e amvisërive ngrohen me dru
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 7 nëntor – Druri dhe energjia elektrike janë dy mënyrat kryesore që shfrytëzojnë amvisëritë në Maqedoni për tu ngrohur përgjatë sezonit të dimrit. Analizat e Entit të Statistikës tregojnë se një e treta e amvisërive në vend ngrohen me kondicionerë me inverter, me termo apo ndonjë aparat tjetër që përdor rrymën. Më shumë se gjysma, apo 60 për qind e amvisërive ngrohen me dru duke përdorur edhe llojet e ndryshme të koftorëve modern apo kanë në përdorim edhe shporetët e gjeneratave më të vjetra në vendbanimet rurale, shkruan gazeta KOHA.
Njëherazi, me 8 për qind përdoren edhe shërbimet e ngrohjes qendrore. Statistika zbardh më tej se në gati gjysmën e shtetit, apo në rajonet Jugperëndimore, Juglindore apo Lindore dominon me 80 për qind ngrohja me dru për shkak se shumica e amvisërive dhe posedojnë ndonjë aparat për ngrohje me dru. Ekspertët e energjetikës thonë se harxhimet për ngrohjen e amvisërive varen edhe thellësitë e xhepit që mundësojnë komfor më të madh apo më të vogël të banimit, prej mënyrës së jetesës, ngrohjes tërëditore apo vetëm pasdite deri në orët e vona të mbrëmjes, jetesës në fshat apo qytet, ngrohjes së një apo më shumë hapësirave të banimit, izolimit të mureve të banesës apo shtëpisë, periudhës më të gjatë me temperatura më të ulëta… e kështu me radhë.
Në ndërkohë, përllogaritjet tregojnë se një amvisëri në Maqedoni në mesatare harxhon prej 6 deri 10 metra dru që kushton afërsisht 60 euro m2, apo me fjalë tjera – për ngrohje harxhohen prej 360 deri 600 euro. Mirëpo, harxhimet për ngrohje me dru mund të shkojnë edhe afër 1000 euro në varësi prej sezonit të ftohtë apo ngrohjes së më shumë dhomave. Ngrohja me rrymë kushton më lirë apo më shtrenjtë në varësi prej përdorimit të aparateve të ndryshme për ngrohje dhe fillon prej 4000-5000 denarë deri më 7000 deri 8000 denarë në muaj në mesatare.
Nëse kemi parasysh se çmimi i rrymës është 4.44 denarë për një kilovat orë – me një tarifë të rrymës, dhe nëse marrim parasysh faktin se për ngrohjen e një dhome prej 20 metra katrorë në mesatare harxhohen nga dy kilovat orë, atëherë mund të konstatohet se në ditë për ngrohje nevojiten afër 25 kilovat orë apo 130 denarë. Me fjalë të tjera, në muaj do të harxhohen afër 4000 denarë apo 24 mijë denarë në vjet duke marrë parasysh gjashtë muajt e sezonit të ngrohjes. Nëse përdorim inverter kondicionerë, kostoja e ngrohjes me energji elektrike do të jetë për së paku 30 deri 40 për qind më e ulët. Njëherazi harxhimet mujore të ngrohjes mund të ulen kur një amvisëri ka orë me dy tarifa apo kur përdor çmimin prej 5.54 denarë për tarifën e shtrenjtë dhe 2.78 denarë për tarifën e lirë disa orë ditën dhe pas orës 22.
Ndrysh, sfidë në vend mbetet edhe rritja e kursimit të energjisë si dhe shfrytëzimit të saj më efikas. Vlerësimet e organizatës “Habitat – Maqedoni”, tregojnë se banesave kolektive në Maqedoni ju nevojiten investime prej së paku 300 milionë euro që do të shpaguhen në periudhë prej 5 deri 8 vjet, me kursimin prej 30 deri 50 për qind të konsumit të energjisë për ngrohje dhe ftohje, që paraqet 60-70 për qind të konsumit të përgjithshëm të amvisërive në Maqedoni. Gjithashtu, edhe ulja e konsumit të energjisë në amvisëri e zvogëlon dukshëm emitimin e dioksidit të karbonit dhe ndotësve të tjerë të ajrit. Me fjalë të tjera, investimi në efikasitet energjetik ul edhe ndotjen si problem të madh në stinën e dimrit në Maqedoni. (koha.mk)