Ekonomistët thonë se realizimi i tërësishëm i investimeve kapitale që dikton lëvizjen e ekonomisë së shtetit, kërkon edhe një planifikim më të kujdesshëm si dhe një kujdes më të madh për procesin e frytshmërisë që duhet të tregojë se sa dhe si projekti është i realizueshëm
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 26 nëntor – Maqedonia në periudhën e kaluar zakonisht me rebalancet për shkak të mungesës së parave në buxhet , ose për shkak të hyrjes të shumës më të vogël të hyrave në buxhet, së pari ka shkurtuar mjetet e parashikuara për investimet kapitale. Ose nga ana tjetër , investimet kapitale nuk janë realizuar tërësisht si rrjedhojë e rishpërndarjes së mjeteve të dedikuara për investime kapitale për të mbyllur vrimat e tjera buxhetore siç kanë qenë borxhet ndaj kompanive për ndërtimin e objekteve të ndryshme, shkruan gazeta KOHA. Në vitet e kaluara ato janë realizuar me 70 deri 80 për qind, ndërsa sivjet në periudhën janar-shtator të këtij viti janë harxhuar vetëm afër 25 për qind apo rreth 107 milion ero nga 400 milion euro që parashikoheshin për investime kapitale. Pritet që me rishikimin e fundit të buxhetit deri në vit të ri të harxhohen afër 200 milion euro për projekte kapitale. Nga ana tjetër me rishikimin e fundit të buxhetit janë ridestinuar 92 milion euro për investime kapitale. Prej tyre afër 50 milion euro do të ndahen për shlyerjen e gjysmës së borxheve të komunave. Një pjesë e mjeteve janë shkurtuar për ndërtimin e Qendrës klinike dhe për gazsjellësin në Vodno.
KAPACITETE TË PAMJAFTUESHME PËR MENAXHIMIN E INVESTIMEVE KAPITALE
Ekonomistët thonë se realizimi i tërësishëm i investimeve kapitale që dikton edhe dinamikën dhe lëvizjen e ekonomisë së shtetit, por edhe rritjen ekonomike, kërkon edhe një planifikim më të kujdesshëm si dhe një kujdes më të madh për procesin e fizibilitetit apo frytshmërisë që duhet të tregojë se sa dhe si projekti është i realizueshëm brenda kostos së parashikuar dhe sa është i mundshëm apo i realizueshëm në aspekt teknik.
Sipas numrit një të Akademisë së Shkencave të Maqedonisë, Taki Fiti, realizimi i investimeve kapitale që parashikohen në buxhetin e shtetit në vazhdimësi problematizohet si rrjedhojë e aftësisë së pamjaftueshme të administratës publike që të menaxhojë projekte të tilla.
“Të gjitha institucionet shtetërore nevojitet të ndërtojnë kapacitete për menaxhimin më të mirë të investimeve kapitale , për shkak se një është ti planifikosh ato, dhe krejt tjetër është ti realizosh të njëjtat. Në shtet çdo herë ka pasur probleme me realizimin e tyre për shkak të se nuk kemi aftësi të mjaftueshme për menaxhimin e këtij lloj investimi. Njëherësh nevojitet që prej përpara të parashikohen më shumë gjëra lidhur me projektet që mund të zgjasin apo shtrenjtojnë investimet kapitale si dhe na nevojiten edhe studime fizibiliti më të mira.”, shton Fiti.
RRITJA EKONOMIKE E VARUR NGA INVESTIMET KAPITALE
Nga ana tjetër, ekzekutivi thotë se presin që deri në fund të vitit të realizohen në mënyrë maksimale investimet e parashikuara kapitale. Njëherazi nga qeveria presin që rritja ekonomike të mbështetet me realizimin e më shumë investimeve kapitale si siç janë vazhdimi i ndërtimit të autostradës Kërçovë-Ohër, rrugëve të shpejta, ndërtimi i linjës së hekurudhës në drejtim të Greqisë dhe Bullgarisë, procesi të gazifikimit etj. Rritja më e madhe e investimeve kapitale pritet të vijë nga ndërtimi i autostradës Kërçovë-Ohër, që duhet të përfundojë në vitin 2021. Nga qeveria thonë se me marrëveshjet e reja dhe revidimin e tërësishëm të dokumentacionit projektues dhe teknik do të ndërtohet autostradë që tërësisht i plotëson standardet ndërkombëtare. Pritet që me aneksin e tretë të marrëveshjes të zgjidhen të gjitha dilemat rreth trasesë dhe zhdëmtimit të truallit. Kjo rrugë e rëndësishme që nga fillimi i ndërtimit ballafaqohet me probleme të ndryshme ku fillimisht nuk ishin parashikuar hyrje-dalje ndaj rrugëve lokale, ndërsa një pjesë e rrugës ishte e parashikuar të ndërtohet mbi rezervuarin që furnizon Kërçovën me ujë. Në ndërkohë , pas një viti konsultimesh me ekspertë vendor dhe të huaj, projekti ka marrë dritë jeshile nga qeveria në aspektin financiar dhe teknik. (koha.mk)
INVESTIMET KAPITALE, REALIZIMI SIPAS VITEVE
2008: 78.05 për qind
2009: 69.69 për qind
2010: 86, 65 për qind
2011: 84,37 për qind
2012: 87, 50 për qind
2013: 82, 42 për qind
2014: 83, 58 për qind
2015: 83, 96 për qind
2016: 76, 01 për qind
2017: 83.6 për qind
1-9. 2018: 27.43 për qind