Populli britanik po e ndjen që kultura e tyre po varroset nga feja islame dhe numri i madh i emigrantëve që po vijnë në vendin tonë, ka thënë lideri i sapozgjedhur i partisë UKIP, Henry Bolton, në fjalimin e tij të parë si kryetar. 31 vjeçari tha se është krenar për atë çfarë ka bërë për shtetin e tij dhe që ka ‘luftuar islamin’, duke aluduar në periudhën kur ishte ushtar i Britanisë së Madhe në Afganistan. Bolton, që deri më tash ka qenë pothuajse i panjohur për publikun britanik, ka fituar dje zgjedhjet sensacionale në këtë parti. Ai ka bërë thirrje që Britania të largohet menjëherë nga BE-ja dhe të mos presë fare dy vite për të përfunduar negociatat për shkëputje. “Imigracioni po e shkatërron sistemin tonë, komunitetet, kulturën, traditën dhe mënyrën e jetesës”, tha Bolton, duke shtuar se populli britanik është në gjendje ta mbrojë kulturën e tij, dhe do ta bëjë këtë. UKIP është njëra ndër partitë më të vogla në Britani, kurse në zgjedhjet e fundit elektorati i kësaj partie ka shënuar rënie. Ish-lideri i kësaj partie, Nigel Farage, ka qenë një ndër personat më përgjegjës për rezultatin e referendumit që nxori Britaninë nga BE-ja.