Shkup, 22 janar – Prokuroria Themelore Publike Shkup ngriti akuzë kundër një kontabilisti për shkak të përvetësimit në shërbim të 10.913.195 denarë (rreth 177 mijë euro). I akuzuari pa autorizim duke i plotësuar dhe imituar nënshkrimin e noteres së dëmtuar ka nënshkruar 211 urdhëresa për bartje të mjeteve në para. Paratë i ka transferuar nga llogaria e noteres në llogari të bashkëshortes së tij.
“Pas zbatimit të procedurës hetuese, prokuroria vërtetoi se i akuzuari duke mbajtur llogari në zyrën e noterit në Shkup në periudhën nga 28 prilli i vitit 2016 deri më 28 nëntor të vitit 2019, me qëllim që të përvetësojë interes pronësor kundërligjor për vete ka marrë para të cilat i janë besuar në shërbim në vlerë prej 10.913,195 denarë”, informojnë nga PP Shkup.
Nga Prokuroria sqarojnë se i akuzuari mjetet i ka transferuar nga llogaritë operative të noterit nga shumë banka të ndryshme në llogari bankare të cilën noterja e ka pasur në një bankë, në të cilën edhe bashkëshortja e të akuzuarit ka pasur llogari.
“Pastaj i akuzuari i ka transferuar mjetet në para nga llogaria e noteres në llogarinë bankare të bashkëshortes së tij, prej ku si nënshkrues i autorizuar i ka marrë të gatshme mjetet në para”, informojnë nga PP Shkup.