Analisti politik Valon Syla ka komentuar tërheqjen e disa njohjeve. Ai në një deklaratë për Gazeta Blic tha se ç’njohjet dhe mosliberalizimi i vizave janë mesazh politik për Prishtinën zyrtare.“Çnjohjet apo ngrirjet e njohjeve, cila do formë që diplomatikisht është e saktë, dhe disa dështime tjera në diplomaticinë kosovare, deri te mos liberalizimi i vizave duket se është një mesazh politik për Prishtinën zyrtare dhe opozitën në Kosovë”, tha Syla.
Sipas tij, duke i pas parasysh këto dështime, si dhe dështimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në Interpol, atëherë është e domosdoshme arritja e një marrëveshje të obligueshme ligjërisht me Serbinë.“Dështimet në Interpol, mungesa e unitetit te vendet e Bashkimit Europian (BE) për dhënien e liberalizimit të vizave për Kosovën, edhe pse janë plotësuar 95 për qind e kritereve, po ashtu duket se janë mesazh, për Prishtinën zyrtare që energjinë ta koncentrojnë në zgjedhjen finale të problemit me Serbinë, ku duhet të arrihet një marrëveshje ligjërisht e obligueshme midis Kosovës dhe Serbisë, që po quhet nga diplomatët në Bruksel dhe Washington, e që po ashtu po mbështetet fuqishëm nga sponsorët e pavarësisë”, thotë Syla. Ai konsideron se Kosova po humb vite dhe se pa njohjen nga Serbia, shteti kosovar do të ketë vazhdimisht probleme.
“Ngjarjet e fundit në diplomaci, poashtu japin edhe një mesazh për Prishtinën; se lobimet, 1 me 1 shtet nuk janë më efikase në këtë fazë, ku po përjetohet çdo ditë se ka disbalancim dhe ri-reshtim të diplomacive të botës. Kjo po shihet që vetëm Kosova po humb kohë dhe vite, duke i shkuar për rreth problemit të vërtetë që është Serbia dhe njohja e Shtetit të Kosovës nga Serbia. Kjo do t’i zgjidhte problemet me njohje nga vendet e BE-së, e më gjerë dhe proceset e integrimit dhe ndërkombëtarizimit të Kosovës”, tha ai.