“Ngrin” rinovimi i Hysajt, Napoli studion dy pista

Elseid Hysaj këtë sezon ka marrë shpesh kritika, ndërkohë që është parë të luajë në të majtë të mbrojtjes. në këtë pozicion nuk është se pritet ndonjë mrekulli nga futbollisti i kombëtares. Kontrata e re është gjithashtu një tjetër çështje e diskutuar shpesh.

Mario Xhufredi, menaxheri i mbrojtësit, shpesh ka theksuar se Hysaj nuk dëshiron të largohet dhe se është i dashuruar pas Napolit. Por tanimë është klubi italian që po mendon të gjejë zëvendësuesin e 24-vjeçarit.

“Corriere del Mezzogiorno” ka raportuar së fundmi se bisedimet për rinovimin e kontratës së mbrojtësit kanë ngecur. Hysajt në fakt i përfundon kontrata më 30 qershor të vitit 2021 dhe palët kanë tentuar të gjejnë një marrëveshje. U provua të bindje Napoli që të hiqte klauzolën prej 50 milionë eurosh, por nuk pati dakordësi.

Këtë verë me shumë mundësi shkodrani mund të shitet, por sigurisht italianët do ta transferojnë për shumën e duhur. Fillimisht duhet të afrojnë ndonjë tjetër për krahun e djathtë të mbrojtjes. Mateo Darmian është rikthyer sërish në skenë si opsion, ndërkohë që emri më i ri që lakohet është Andre Almeida, futbollisti 28-vjeçar i Benfikës.

WP Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com