Rreth 40.000 pinguinë në Antarktik kanë ngordhur nga uria këtë vit. Mungesa e ushqimit në Polin Jugore po ndodh për herë të dytë brenda vetëm katër vjetësh, shkruan Guardian. Nga e gjithë kolonia e pinguinëve, shkencëtarët francezë kanë gjetur vetëm dy pinguinë të vegjël në fillim të këtij viti. Një katastrofë e tillë nuk është regjistruar asnjëherë në 50 vitet e fundit. Për këtë katastrofë javën e ardhshme do të diskutojnë shtetet e BE-së dhe do të shqyrtojnë shpalljen e zonës së mbrojtur rreth Antarktikut. Shkencëtarët kanë shprehur shqetësim për ngordhjen e pothuajse tërë një grupi të pinguinëve të posalindur në koloninë Adelie, duke e përshkruar si një “ngjarje katastrofike” në Antarktikun Lindor. Fondi Botëror i Kafshëve të Egra (WWF) dje ka raportuar se kjo ka ndodhur pasi sasi të mëdha pazakonshme të akullnajave të detit kanë krijuar kushte të atilla, që prindërit e pinguinëve të posalindur është dashur të udhëtojnë më larg për të gjetur ushqim për fëmijët e tyre. Kur ata janë kthyer në koloni pas udhëtimit të tyre, shumë pak prej mijëra pinguinëve të posalindur kanë pritur, pasi pjesa tjetër shumë më e madhe kishte ngordhur. Shkencëtarët thanë se kjo ngjarje, që ka ndodhur gjatë verës, ishte incidenti i tillë i dytë në më tepër se 40 vjet të monitorimit të pinguinëve. WWF ka kërkuar nga qeveritë që po takohen në një mbledhje në Hobart të Australisë, gjatë kësaj jave, që ta përmirësojnë mbrojtjen e re detare në Antarktikun Lindor për t’i shpëtuar pinguinët dhe llojet e tjera.