Një ngjarje gati si nëpër filma është regjistruar ditën e sotme në Tiranë, ku dy vajza të guximshme kanë parandaluar një vjedhje.
Tentativa e grabitjes ka ndodhur pasditen e djeshme në një dyqan argjendarie, rreth orës 17:56 në rrugën ‘Muhamed Gjollesha’, përballë shkollës ‘Sabaudin Gabrani’.
“BalkanWeb” ka arritur të sigurojë pamjet nga kamerat e sigurisë së dyqanit, ku shihet skena e frikshme. Në pamjet në fjalë duket një person, i veshur me bluzë me kapuç dhe kapele në kokë, ndërsa hyn brenda në dyqan duke kërcënuar me pistoletë.
Të kapura në befasi, dy vajzat që qëndrojnë pas banakut, kanë nisur të ulërasin, ndërsa njëra prej tyre ka hapur sirtarin dhe pasi ka shtypur alarmin e sigurisë ka nxjerrë një prej lotsjellës, duke ia drejtuar hajdutit.
Ky i fundit, pas këtij akti është larguar nga dyqani, ndërkohë që vajza vijon të hedhë drejt tij sprejin. Pavarësisht se agresori ka pasur armë, vajza e guximshme ka vepruar me shpejtësi, duke shmangur kështu vjedhjen.
Menjëherë pas ngjarjes së rëndë, shitëset kanë bërë denoncimin, ndërkohë që policia vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit.