Mesfushori i Milanit, Krunic, që u transferua gjatë kësaj vere nga Empoli te Milani për 8 mln euro, ka nisur të flasë në lidhje me përshtypjet e tij, rolin, trajnerin Giampaolo dhe gjithçka që e lidh me kuqezinjtë, duke qenë se sapo ka nisur aventurën.
Sot, Krunic nuk luajti ndaj Novaras miqësore, pasi po ndjek një program individual, duke qenë se e ka mbyllur sezonin e shkuar me dëmtim. Ai mori fjalën në konferencën për shtyp.
“Dua të falënderoj të gjithë. Përshtypjet e para janë të jashtëzakonshme, është një klub i madh, ndihem mjaft mirë. Mezi pres që të luaj me këtë fanellë” shprehet Kruniç, i cili ka folur edhe pës stilin e tij të lojës.
“Jam një mesfushor modern, luaj në të gjitha fazat e lojës, box to box, siç i thonë anglezët, pra i kudondodhur. Më thonin se ngjaj pak me Hamsik, mendoj se ai është më teknik dhe unë kam cilësi fizike. Idhulli im është Kaka, është më fantazist. Shoh shumë De Bruyne të Manchester City, mendoj se kemi të njëjtat karakteristika”.
Më pas, në lidhje me raportin me trajnerin Giampaolo, që e ka pasur te Empoli, kur trajneri kuqezi drejtoi pas Sarrit.
“Kam një raport të shkëlqyer me Giampaolon. Bashkë kemi punuar te Empoli dhe ju garantoj se do të sjellë një futboll të bukur, ofensiv. Ka një vizion loje dhe me të rinjtë di të punojë”, oërfundoi Kruniç.