[adning id="476476"]

Ngecje në zbatimin e reformave në gjyqësor

26

Zbatimi i Strategjisë për reforma në gjyqësor 2017-2022 ka disa ngecje. Komisioni për parandalimin e korrupsionit, thekson se në një studim të tyrin, të anketuar kanë nxjerr në pah mangësitë më të mëdha të sistemit të drejtësisë.

“U theksua se është e nevojshme të shtohet numri i lëndëve për korrupsion të nivelit të lartë dhe të vazhdojë përparimi në ndjekjen dhe gjykimin e lëndëve të korrupsionit të lartë, për keqpërdorimin e detyrës zyrtare, mashtrim, larje parash dhe falsifikim dokumentesh”, deklaroi Biljana Ivanovska, kryetare e Komisionit për parandalimin e korrupsionit.

Betim Jahja nga Shoqata e gjykatësve, vlerëson se përmirësimi i gjendjes financiare të gjykatësve, është një nga elementet që do ta përmirësonte situatën.

“Rritje të rrogës duhet të kishim madje që në shtator 2019 por kjo nuk u respektua dhe arritëm deri këtu ku jemi sot. Përsëris se 10-15% rritje për mua nuk është ndonjë arritje e madhe. Nëse bëjmë krahasim me shtete të tjera nga Ballkani Perëndimor, ne jemi në pozitë më të keqe financiare si gjykatës”, pohoi Betim Jahja, shoqata e gjykatësve.

Profesorja Ana Pavllova Daneva, një nga përpiluesit e Strategjisë për reforma thotë se, mes tjerash, sistemi gjyqësor përballet me mungesë hapësirash dhe kushtesh praktike.

“Kur flasim për kushtet hapësinore, në strategji thuhet se nuk guxon në të njëjtin objekt të jetë gjykata dhe prokuroria. Pinë kafe dhe bindin njëri tjetrin se kanë të drejtë. Prokuroria është palë. Edhe nëse gjykatësi e ruan integritetin dhe të mos ndikohet nga pirja e kafes, nuk është mirë kur pala tjetër i sheh bashkë si ndonjë koalicion”, tha Ana Pavllovska Daneva, profesorë.

Këto vlerësime u dhanë në konferencën për zbatimin e Strategjisë për reforma në gjyqësor të organizuar nga Instituti për politikë evropiane.

“Kemi perceptime të ndryshme në mesin e gjykatësve, prokurorëve publik dhe avokatëve megjithatë të gjithë konfirmuan se ka përparim në anketën e dytë, në vitin 2020 në krahasim me anketën e vitit 2019. Duhet të punojmë në përafrimin e këtyre perceptimeve”, deklaroi Simonida Kacarska, Instituti për politikë evropiane.

Institucionet janë të bindur se zbatimi i strategjisë po jep rezultate.

Unë jam i kënaqur nga zbatimi i asaj strategjie. Sigurisht se gjithmonë mundemi edhe më mirë dhe më shumë por kjo ishte një fazë e mirë për vendosjen e bazës për reforma të mira në gjyqësor që nga 2017-ta e këndej. Në bazë të kësaj strategjie u zgjidh njëra nga vërejtjet shumëvjeçare të BE-së dhe këta janë kriteret joobjektive, gjysmëobjektive ose të padefinuara qartë për zgjedhjen dhe shkarkimin e prokurorëve dhe gjykatësve. Kjo është zgjidhur- pohoi Bojan Mariçiq, ministër i Drejtësisë.

Ministri Mariçiq shtoi se në bazë të kësaj strategjie, deri tani janë shkarkuar 16 gjykatës, disa të tjerë janë në vlerësim e sipër dhe se e njëjta gjë duhet të ndodhë edhe me prokurorët.