Delvina KËRLUKU
Xhane Kreshova dy klasat e para të shkollës fillore i mbaroi në fshatin Bukoviq të Shkupit, aty ku nëna e saj e ushtronte rolin e mësueses, kurse e përfundoi në shkollën fillore “Liria” në Shkup. Pas mbarimit të shkollës fillore dëshira e prindërve të Xhanes ishte të vazhdojë shkollën e mesme të mjekësisë. Xhanja thotë se kishte vështirësi me gjuhën maqedonase, pasi në lagjen ku banonte, në Çarshinë e Vjetër, flitej shqip. Pas mbarimit të shkollës së mesme u regjistrua në Fakultetin e mjekësisë. Në vitin 1974 martohet dhe në vitin 1982 transferohet në Tetovë. Një periudhë u përqendrua në edukimin parashkollor të fëmijëve dhe më vonë ju ofrua që të punoj me të shoqin në ambulancë. Pas një periudhe të shkurtër ndodh një ndryshim i papritur në sistemin shtetëror, siç e quan Xhanja, “arriti demokracia”, ku dhe lindi ideja për themelimin e shoqatës së grave dhe lindi “Lidhja e Gruas Shqiptare”. Më vonë, në vitin 2001, me një grup femrash themelon Forumin e Gruas, që shfaq imazhin e gruas shqiptare, e cila qëndron me sukses në misionin “në dobi të gruas”.
KOHA: Jeni rritur në një rreth patriarkal, në një kohë ku femrës shqiptare pak i është dhënë mundësia për shkollim. Si e thyet këtë barrierë?
KRESHOVA: Deshi fati që të rritem në një familje, e cila nuk kishte tipare patriarkale. Përkundrazi, në familjen time (tre motra e dy vëllezër), falë ndikimit që kishte nëna ime dhe mirëkuptimit të im at (ndjesë paçin!), kultivohej barazia gjinore, pa epërsi të vëllezërve kundruall motrave. Madje, gati tërë përkujdesjen për edukimin tonë i mbante frerët nënë ime, Marjeta. Por, familja, ndonëse bosht i jetesës, nuk mund të jetë një “oazë më vete”, pa u ndikuar parësisht nga të afërmit e familjes, por dhe nga mjedisi ku familja rron dhe vepron. Megjithëkëtë, kjo pyetje, në vija të holla, është tejet e qëlluar në habitusin më të gjerë të shqiptarëve të asaj (pse jo) dhe të kësaj kohe. Në fjalën patriarkalizmi ndër etninë tonë, sado i zbutur, ende është prezent ndër shumë familje tona si mënyrë e të jetuarit. Koha dhe angazhimi i tërë shoqërisë, mbase, hap pas hapi, do t’ia dalë që të balancohet dhe avancohet rrugës së barazisë së plotë gjinore. Ky proces i filluar kujtoj se është i pakthyeshëm dhe, rezultatet në këtë shtjellë kundrimi, tanimë po duken gjithandej ku jetojnë femrat tona shqiptare.
KOHA: Mos shkollimi i femrës shqiptare ka qenë dhe është pengesë e traditës shqiptare apo pasojë e gjendjes ekonomike të dobët?
KRESHOVA: Konstatimi që jepni, pjesërisht është i saktë. Kujtoj se tradita shqiptare në të kaluarën ka qenë pengesë, por sot, në këtë stad të zhvillimit, nuk është e vetmja pengesë. Janë, patjetër, edhe çështjet e rënduara ekonomike, por në këtë hark mendimi, do të them se dhe ngecja e emancipimit të një shtrese të meshkujve shqiptarë, e rëndon procedimin drejt një barazimi gjinor. Nënkuptohet se ka dhe shumë momente që e pengojnë këtë proces, i cili, siç e thashë dhe më sipër, nuk ka se si të ndërpritet.
KOHA: Rrjedh nga një familje intelektualësh, në të cilën u kalitët në frymën e dashurisë për arsimin. Sa janë realizuar ëndrrat e prindërve?
KRESHOVA:Arsimimi, mësimi dhe leximi në rrafsh më të gjerë, ka qenë që prej kohësh një standard konstant në familjen time. Jashtë mësimeve obligative (shkollore), për sa ka pasur kohë, janë lexuar gazeta edhe revista javore. Në shqip, në kohën e fëmijërisë dhe rinisë sime, kishte pak literaturë të mirëfilltë, pak fletushka dhe gazeta. Lexonim në tri gjuhë frekuente në kohën e ish-Jugosllavisë. Meqë veç shkollës së mesme (normales), në kohën e rinisë sime nuk kishte alternativa tjera për mësim. E donin rrethanat që shkollat e mesme t’i ndjekim në maqedonisht. Megjithëkëtë, për të mbetur në “kondicion të gjuhës amë”, secili prej nesh, detyrimisht e kishte që të lexojë së paku një libër në muaj në gjuhën shqipe. Nënkuptohet se kjo nuk ishte një zgjidhje që kënaq, por ishte e vetmja! Bazat e mësimit në shqip i kishim nga tetëvjeçarja, dhe na duhej një lexim shtojcë që të ruajmë gjuhën amtare. Këtë “proces” e ndiqte nëna ime, mësuese, siç përmenda, e cila konform moshës që kishim veç e veç, edhe literatura (jo lektyra) të lexohet me këtë dinamikë dhe me përmbajtje që i përkiste moshës së motrave dhe vëllezërve. Në këtë mënyrë, thënë shkurt, kalitej dëshira për të lexuar dhe për t’u arsimuar. Kësisoj, ta merr mendja, realizoheshin edhe “ëndrrat e prindërve”, siç e thoni drejtë dhe ju me të shtruar këtë pyetje.
KOHA: Nëna juaj vjen nga Shqipëria në vitet e 45-ta me misionin për shkollimin e femrës shqiptare në Strugë, në Dibër, në fshatrat e Dervenit etj. Sa është paragjykuar ajo dhe sa ka arritur t’i bindë familjet shqiptare se femra duhet të trajtohet ndryshe?
KRESHOVA: Ka shumë episode që dhe vetë i dëshmoj, por edhe një sërë mësuesie që do më jepte krah, se paragjykimet, veçanërisht në mjediset rurale, kanë qenë vërtet të vështira. Dibra dhe Struga janë një histori, e cila, megjithatë, mund të “kapërdihet” për kohën e atëhershme, ama, atëbotë, të synosh barazinë, shkollimin e femrës shqiptare gjetiu, veçanërisht ndër mjediset rurale, i ka shëmbëllyer një pune sizifiane, të cilën, me shumë kujdes, durim dhe punë vetëmohuese ke mundur në fillim sadopak ta “zbusësh”, por sot Derveni, kjo “hise” e lënë anësh në ato kohëra, ka marr hov të shkollimit çdo ditë e më shumë dhe çdo ditë e më mbarë. Pra, nga diku, këto procese e kanë pasur nismën e vet. Gjithsesi tejet të vështirë që hë për hë të ndryshosh botëkuptimet për ndryshimin e trajtimit të femrës shqiptare…Ndër këta nismëtarë e radhis edhe nënën time, e cila si mësuese e parë në fshatin Bukoviq të Shkupit, për gati një dekadë “mësuesoi” ndër këtë fshat, që njëkohësisht ishte edhe i vetmi që shkollonte dhe nxënës edhe të më shumë fshatrave të kësaj treve.
KOHA: Nëna juaj ka luajtur rol të dyfishtë në edukimin e juaj. Në shkollë, a u konsideronte si gjithë fëmijët e tjerë?
KRESHOVA: Jo pra, madje, nga unë, për aq sa e kisha mësuese, kërkonte angazhim të shtuar në mësime. Më vonë, si mësuese në SH.F. “Liria”-Shkup, ne kishim mësues dhe arsimtarë tjerë, por ajo, asnjëherë nuk na ka imponuar te kolegët e vet për ndonjë “lëshim” ose lehtësim në këtë shtjellë që po e trajtojmë. Ndodhte që ndonjëherë të na qortonte për angazhim të “paktë” dhe kërkonte që krahas mësimit, të jemi edhe me sjellje shembullore. Në fakt, ajo këtë nuk e tregonte me rreptësi, por, për mendimin tim, me dëshirë që të jemi aktiv në mësime dhe sjellje si rezultat i iniciativave vetanake. Pra, nuk bënte fare dallim, në suazat e mësim-edukimit midis nesh dhe nxënësve të tjerë.
KOHA: Jeni një aktiviste e dalluar në mbrojtjen e të drejtave të grave. Përse ju qasët këtij misioni?
KRESHOVA: Edhe pse kisha mundësi të vazhdoj të punoj bashkë me tim shoq në ambulancë private, solla vendim të kaloj si vullnetare në sektorin joqeveritar. Po, nisa së rrëfyeri prej periudhës kalimtare të sistemit monist në atë shumë partiak kur lulëzuan shumë organizata joqeveritare të grave që vunë në shënjestër avancimin e pozitës së gruas në shoqëri. Për mua ka qenë sfidë arritja e barazisë gjinore në të gjitha fushat shoqërore. Që atëherë para formimit të shoqatës ka qenë dukuri e zakonshme që gruan ta shohim jashtë sistemit shoqëror dhe jo të barabartë me meshkujt. Në përditshmëri, duke hasur në pozitën inferiore të femrës që fatkeqësisht është dukuri që shqetëson, iu rrekëm aktiviteteve për të mposhtur paragjykimet dhe stereotipat, sidomos të shprehura ne viset rurale. Duke lexuar literaturë për barazinë gjinore, ku theks i veçantë i vihet parimit të të drejtave të njeriut, erdha në përfundim që në realitet grave u provohen të drejtat shoqërore, dhe në këtë aspekt vendosa që të merrem me çështjen e të drejtave të grave në mjedisin tonë. Prandaj, së bashku me një grup të grave vendosëm të formojmë organizatë qytetare enkas me avancimin e gruas në shoqëri. Me formimin e Forumit të Gruas dhe me implementimin e projekteve, duke pasur si prioritet gruan dhe duke pretenduar në çdo aspekt të ketë barazi mes gruas dhe burrit, rëndësi të veçantë i kemi dhënë kyçjes se gruas në tregun e punës dhe jetën politike. Do përmendja ca nga kushtet që duhet përmbushur për avancimin e pozitës së gruas në shoqëri: -Përmbushja e parakushteve të domosdoshme që gratë të munden t’u përkushtohen aktiviteteve ekonomike, pasi qasja e kufizuar ndaj shërbimeve lokale mbingarkon përditshmërinë e grave, veçanërisht të viseve rurale dhe në këtë mënyrë pamundëson interesat e tyre ekonomike; Mundësimi i fondeve financiare që janë e faktor kufizues për gratë që duan të zhvillojnë biznese të vogla; Futja e programeve që do të mundësojnë fuqizim ekonomik të grave – viktima të dhunës në familje; Programe për fuqizimin e qytetarëve, sidomos për fuqizimin e grave për involvim në proceset e vendimmarrjes në bashkësitë lokale.
KOHA: Sa keni arritur që t’i nxitni gratë të mësojnë shkrim lexim? Dhe, në cilat pjesë të vendit keni hasur më shumë gra që nuk dinë shkrim dhe lexim dhe çfarë ju keni mundësuar atyre?
KRESHOVA: Me mbështetje të programit të UNICEF-it, shoqatës sonë iu mundësua projekt për shkrim-lexim dedikuar grave që nuk kanë pasur mundësi të mbarojnë shkollimin fillor. Në disa fshatra të Tetovës dhe Kumanovës hasëm në gra të cilat treguan interes të marrin pjesë në procesin edukativo – arsimor, pasi në kohën e tyre nuk kanë pasur mundësi të arsimohen. Në këtë drejtim ndihmuam që një numër i konsiderueshëm i grave dhe vajzave të përfitojnë nga angazhimi i edukatoreve tona.
KOHA: Në këtë fatkeqësi të nënçmimit të femrës, të mos lejimit të shkollimit, ka qenë dhe është babai, burri, tradita apo sistemi i atëhershëm që mbisundon edhe sot e kësaj dite në pjesët rurale?
KRESHOVA: Kjo, për fat të keq qëndron e vërtetë dhe jo vetëm në viset rurale, por edhe në ato urbane! Siç do të vëreni dhe ju vetë, krahasimisht me kohët e atëhershme, situata është në përmirësim e sipër, por padyshim se duhet edhe goxha kohë që punët të balancohen, të zbuten fillimisht dhe të marrin hov sot më shumë se dje dhe nesër më shumë se sot. Dukuria e moslejimit të shkollimit, duhet pasur parasysh se ka qenë edhe një politikë shtetërore, e cila, tentonte ta vështirësojë, madje në raste të caktuara edhe ta ç’mundësojë shkollimin, sa të femrave po aq edhe të meshkujve. Aq më tepër, të mos harrojmë se shkolla të mesme (përveç normales) deri në vitin 1967 as që kishte. Gjimnazi i parë, pas shumë sakrificave të arsimtarëve shqiptarë (deri dhe burgosje), hapet në Shkup në këtë vit. Kjo nuk do e zgjidhë problemin e shqiptarëve në Maqedoni, por vështruar nga kjo distancë kohore i dha një shtytje shkollimit mbarë shqiptar të Republikës së atëhershme Socialiste të Maqedonisë. Për çështjen e mësimit superior, kujtoj se nuk duhet të zgjerohemi, se kjo është një histori shumë e njohur në Republikën e tashme të Maqedonisë, pra, pas zhbërjes së ish RSF të Jugosllavisë. Për ta mbyllë qarkun e kësaj pyetje, e do të thuhet se jo vetëm burri, tradita, por edhe politikat ishin ato që e bënin të ngrirë shkollimin e shqiptarëve në Maqedoni. Sot, shumë rrallë kemi ndonjë rezistencë nga familje të caktuara (kryesisht rurale), nga ana e burrave, por procesi i shkollimit, arsimimi, në përgjithësi, po ecë me këmbë të mbarë dhe është evidente që femra shqiptare hapëron tok me meshkujt.
KOHA: Me hyrjen në fuqi të ligjit që edhe shkollimi i mesëm e bën të domosdoshëm, sa nga ato familje që keni vizituar ju e kundërshtojnë këtë ligj dhe si gjejnë rrugëzgjidhje për t’u ikur gjobitjes?
KRESHOVA: Në vitin shkollor 2008/09 hyri në fuqi Ligji për shkollim të mesëm të detyrueshëm. Për nxënësit e arsimit të mesëm, prindërit e të cilëve janë shfrytëzues të ndihmës, sociale është siguruar mbështetje financiare e cila kushtëzohet me pjesëmarrje të rregullt të nxënësit në mësim. Nga të dhënat që kemi nga Ministria e Arsimit, si zakonisht të gjitha vajzat vazhdojnë shkollimin e mesëm. Nga vizitat tona të shumta në familje të ndryshme, nuk kemi hasur në raste të tilla.
KOHA: Keni qenë me vite kryetare e Forumit të Gruas në Maqedoni. Sa ju ka mbështetur familja dhe rrethi në misionin tuaj?
KRESHOVA: Angazhimi im në sektorin civil, në Forumin e Gruas në Maqedoni, prore ka qenë i mbështetur nga ana e familjes, po madje dhe kam pasur edhe ndihmë konkrete nga dy djemtë e mi. Puna në shoqatë nuk zhvillohet vetëm në zyrë, madje shumë pak zhvillohet në të. Ajo nënkupton lëvizje ndër fshatra, qytete tjera, seminare këtu dhe në botën e jashtme. Aktivitet e mia nuk ua kanë rënduar përditshmërinë familjarëve të mi, pasi ata janë të stërvitur që më herët të vetë-organizohen, ia kanë dalë që mungesa ime të mos reflektohet në mbarëvajtjen e jetesës së tyre të rregullt. Rrethi, ai i vijës familjare ose miqësore, si dhe bashkëpunëtorët e mi në çdo kohë më kanë përkrahë, kanë bashkëpunuar dhe bashkëjetuar me mua dhe aktivitetin tim. Ju e dini se projektet e OJQ-ve nënkuptojnë punë kolektive, ekip të përshtatshëm, koordinim dhe kujtoj se në këtë drejtim, të gjithë tok, me parapërgatitje, operacionalizim të aktiviteteve dhe punë me stres të lartë (në raste të caktuara), pra të gjithë si një, deri më sot kemi realizuar me sukses një sërë projektesh që lidhen me jetesën dhe avancimin e pozitës së gruas në mjedisin tonë. Pra, bëhet fjalë për shumë misione, të cilave unë vetëm u kam prirë dhe nuk do doja të veçoj ndaras misionin tim. Thënë ndryshe, misioni im ka qenë dhe mbetet mision i më shumë vetave në realizimin e objektivave që i kemi marrë mbi vete dhe me punë të organizuar deri sot i kemi përfunduar me sukses.
KOHA: Diskriminimi i femrës shqiptare haset edhe në punësim. A e ndani këtë mendim edhe Ju dhe çfarë duhet të bëhet që diskriminimi të ulet në minimum?
KRESHOVA: Diskriminimi i femrës në përgjithësi, e asaj shqiptare në veçanti, këtu në Maqedoni është një dukuri reale. E vërteta është se femra diskriminohet gjithandej dhe jo vetëm në punësim, po dhe më gjerë: në politikë, kulturë, sport etj… Për fat të keq, nuk ka një shkop magjik që punët të zbuten tash e menjëherë. Janë shumë paragjykime, shumë frustrime nga meshkujt, konteksti i mendësisë ballkanike dhe një sërë çështjesh të tjera që këtë proces të mund, si thoni ju, ta minimizojë si problem tanimë kronik. Rrugëdalje e vetme, për mendimin tim (kalimthi në këtë drejtim sado që deklaritivisht punohet), është që çështja e punësimit të grave të rregullohet me akte ligjore, nënkuptohet në sferën e punësimeve në administratë dhe gjetiu ku kjo është në “ngastrën” e buxhetimit të shtetit. S’do mend se edhe ky proces do ketë një zgjatje kohore, por, për momentin, është mundësia e vetme për zbutjen deri dhe barazimin në punësimin e grave, veçanërisht të atyre shqiptare.
KOHA: Dy djemtë e juaj. Sa krenar ndjehen me ju?
KRESHOVA: E ditur punë është se prindërit në parim krenohen me fëmijët e tyre. Sido në qofshin ata. Unë jam më shumë se e kënaqur (krenare) me dy djemtë e mi. Të mësuar që nga mosha fëmijërore, ata respektojnë nënën dhe femrën në përgjithësi. Janë të sinqertë, të edukuar dhe punëtorë me përgjegjësi të shprehur. Më bën krenare edhe fakti se ata janë të pavarur në vendosjen e tyre, zgjidhjen e punëve dhe problemeve rreth kësaj dhe janë tejet të lidhur me familjen, atë më të ngushtë dhe më të gjerë, qoftë nga ana e bashkëshortit tim apo familjarëve të mi. Pra, shkurt e shqip: JAM KRENARE ME DJEMTË E MI!
KOHA: Sa ndikoni Ju te djemtë që t’i trajtojnë të barabarta bashkëshortet e tyre?
KRESHOVA: Jo dhe gjithaq. Këto leksione i kanë trashëgimi familjare, veçanërisht nga ndikimi që la nëna ime rreth barazisë gjinore, por edhe nga prindërit e bashkëshortit tim. Pra, unë nuk kam, sepse dhe nuk më duhet, të jem mbikëqyrës e tyre. Kanë pjekuri, janë të ndërgjegjshëm dhe kjo më jep kënaqësi të veçantë në dy nivele: ata vetë e organizojnë jetën e tyre dhe deri tash nuk kam hasë probleme në raportet e tyre me femrat. Pra, ndikimi im në këtë moshë të tyre është i tepërt. Genti, djali im i parë mbaroi informatikën në Shkup, drejtimin e programimit. Kurse Ardi mbaroi Fakultetin e Financave në UEJL, në Tetovë. Që të dy punojnë bashkë në firmë private në vendlindje.
KOHA:Femra dhe mashkulli janë të barabartë me ligj, por në praktikë si ndodh me Ju dhe femrën shqiptare?
KRESHOVA: Nuk ka gjëkundi barazi ideale gjinore. Qoftë në Afrikë apo Amerikë. Bëjmë fjalë për finesa, dallime mentalitetesh, traditash dhe ndikimeve të shoqërisë dhe rregullativës ligjore. Ka qenë dhe mbase dhe gjatë kohë do ketë tentativa të dominimit të burrit ndaj gruas. Ligji vetvetiu mund të jetë shumë i avancuar në këtë shtjellë bisede, ama përvoja tregon se keqtrajtim të femrave, edhe përkundër ligjeve të “përsosura”, sot e gjithë ditën, këtu dhe kudo tjetër, ende ka. Që të jem më e qartë: Ligji e barazon femrën me mashkullin dhe kjo është një e arritur civilizuese për të përshëndetur, por përvoja tregon se barazi të plotë mund të hasim në pak vende të botës. Pa marrë parasysh se edhe Maqedonia në këtë drejtim është ligjërisht në harmoni me Kartën e OKB-së, protokolleve të BE-së etj., lirshëm mund të themi se rruga drejt një barazie të mirëfilltë dhe të tërësishme duhet të ndërtohet me pjesëmarrje të vazhdueshme dhe të palodhur të femrës dhe mashkullit. Por, nuk duhet mohuar fakti se dhe vetë femrat, në mënyrë të organizuar, qoftë përmes ndikimeve politike ose veprimeve joqeveritare, pandërprerë duhet ta vazhdojnë betejën e tyre legjitime për barazi të plotë me meshkujt.
KOHA: Sa jeni të informuar se në pjesët rurale popullata nuk është në dijeni se duhet të ekzistojë barazi gjinore dhe akoma është si në vargjet e Çajupit?
KRESHOVA: Mirë është të dihen vargjet e Çajupit. Por, më mirë se kjo është të mësohen edhe “vargje tjera të jetës”. Të arsimohen edhe femrat shqiptare, pra. Sot shkollimi i femrës ka marrë hov në përgjithësi. Në këtë kontekst, natyrisht se duhet bërë hapa më të shpeshta edhe më të vendosura që me një rritëm sa më të shpejtë, femra shqiptare të mësojë rolin e saj në familje, në shoqëri, të mësojë pra, një orë e më parë se ajo është tërësisht e barabartë me gjininë mashkullore. Janë bërë hapa të mira në këtë drejtim, por them edhe një herë se ato nuk janë në masë të duhur. Nënkuptohet se këtë dukuri e kam në dijeni, sepse projektet tona përfshijnë në masë të madhe këtë segment që përmendim. Me punë dhe angazhim të pareshtur, jam me shpresë që kjo dukuri, pra ndërgjegjësimi i femrës shqiptare për barabarësimin me gjininë mashkullore, është një proces që po lëvizë në të mirë, dhe nuk është për të dyshuar se të gjithë ne, në fund do dalim të fituar. Rrugë tjetër, zaten dhe nuk ka.
KOHA: Ju vetë e keni lexuar librin e Haki Stërmillit, “Sikur të isha djalë”. Sa e keni shprehur në jetë?
KRESHOVA: Romani “Sikur të isha djalë” i atdhetarit tonë, Haki Stërmilli, i shkruar në vitet e 30-ta të shekullit të shkuar, zaten dhe është i definuar si “apoteozë e fuqishme artistike për të drejtat e njeriut në përgjithësi dhe e femrës në veçanti”. Kjo vepër “bestseller”, ndër më të lexuarat nga etnia shqiptare, në mënyrë më kuptimplote, jo vetëm për kohën që pa dritë po dhe për ditët e sotme, mbase do të mbetet monument i “tragjizmit të femrës shqiptare”. Në shumë mjedise, për fat të keq, ky tragjizëm, në këtë apo atë mënyrë, ende gjallon dhe i duhet kohë që ai të jetë thjesht një kujtesë e kohërave më të rënduara për femrën shqiptare. Për fat të mirë, unë u rrita në një rreth ku nuk e ndjeva këtë realitet të zymtë, por kudo që kam hasë në mjedise të ngjashme, në mënyrë tingëllimtare jam shprehur për barabarsimin e gjinive, parësisht për emancipimin e plotë të femrës shqiptare. Sado që punët në ndërmjet kohë të kenë ndryshuar, duhet ngritur unanimisht zërin për avancimin dhe mirëfilljen e femrave tona. Amaneti i Stërmillit duhet të çohet deri në fund.
KOHA: Emancipimi i gruas fillon nga emancipimi i mashkullit?
KRESHOVA: Kjo është një sintagmë, gjithandej e njohur dhe shumë e drejtë. Dhe, në këtë vijë mendimi, mund të thuhet se janë bërë hapa të suksesshme. Natyrisht, jo deri në fund të realizuara, por që shkojnë mbroth. Sot, me të pasur kushte shkollimi, ka më shumë të arritura se deri dje. Emancipimi i meshkujve, hap pas hapi shkon në të mirë, konform rrethanave dhe mundësive ekzistuese. Por, të thuash se duhet të jemi të kënaqur me këtë stad të emancipimit të mashkullit shqiptar në Maqedoni, nuk do ishte e drejtë. Se thuhet “edhe kohës i duhet kohë” që të avancohemi sa më shumë e sa më shpejtë.
KOHA: Ju vazhdoni të çoni zërin për mbrojtjen e të drejtave të grave. Cilat janë projektet e juaj të ardhshme?
KRESHOVA: Shoqata në vitin 2015 gjer në qershor 2016 realizoi projektin “Aksioni qytetar për barazi gjinore”. Projekti është mbështetur nga Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar e Shteteve të Bashkuara të Amerikës – USAID, nëpërmjet Fondacionit Shoqëria e Hapur – Maqedoni në kuadër të Programit për shoqërinë civile. Qëllimi i projektit është që të informohen qytetarët e Komunës së Tetovës rreth të drejtave gjinore dhe të nxitet përfshirja e tyre në krijimin e politikave rreth barazisë gjinore në nivel lokal. Në këtë mënyrë do të ndihmohej për tejkalimin e paragjykimeve të pranishme gjinore te banorët e Komunës së Tetovës, por edhe te përfaqësuesit e administratës komunale, te këshilltarët dhe te krijuesit dhe vendimmarrësit e politikave. Ndërgjegjësimi kontribuon në krijimin e politikave dhe shërbimeve gjinore të ndjeshme dhe në plotësimin e qëllimit kryesor të Kartës evropiane për barazi ndërmjet grave dhe burrave në jetën lokale. Porosite përfundimtare nga projektit në fjalë, do të shfrytëzohen për planifikim dhe implementim të projekteve të ardhshme, ku do të punohet në vetëdijesimin në lidhje me çështjet gjinore dhe të drejtat e grave nëpërmjet masave dhe aktiviteteve të ndryshme. Masat duhet të orientohen në mënyrë të barabartë si te burrat ashtu edhe te gratë. Forumi i Gruas dhe kryetarja e Komunës së Tetovës nënshkruan Memorandum për bashkëpunim për implementimin e aktiviteteve të parapara në “Planin aksional për mundësi të barabarta mes grave dhe burrave 2016/2017” në Komunën e Tetovës, hartuar nga grupe punuese në suaza të projektit “Aksion qytetar për barazi gjinore” të Shoqatës Forumi i Gruas Tetovë si pjesë e projektit nga USAID, për shoqëri qytetare ku zbatues është Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni. Të dy palët në mënyrë reciproke do të bashkëpunojnë në plotësimin e objektivave të parapara në Planin aksional, sidomos për përforcimin ekonomik të grave në Komunën e Tetovës, ku nga shtatori i këtij viti do të fillohet me implementimin e projektit “Mundësi për punësimin e grave të viseve rurale të Komunës së Tetovës”. Projekti do të implementohet në fshatrat malore të Komunës së Tetovës: Sellcë, Vejce, Shipkovicë, Brodec, Veshallë dhe Bozovcë. Si aktivitete do të kemi mbajtjen e trajnimeve dhe përgatitjen për punësime për vajzat dhe gratë si dhe rishikimi i mundësive për vetëpunësim të grave dhe vajzave të reja dhe shfrytëzimi i potencialeve të tyre. Në zyrën e Forumit të Gruas funksionon Qendra për ndihmë juridike për viktimat e dhunës familjare, qëllimi kryesor i së cilës është që të ofrojë ndihmë juridike pa pagesë, këshilla dhe informacione për dhunën familjare. Qendra ofron këshilla dhe përfaqësime në gjyq, për rastet që do të vendos trupi referues. Prej themelimit gjer më tani, në Qendër kanë kërkuar ndihmë juridike mbi 800 persona. Momentalisht qendra s’është mbështetur nga projekte dhe ballafaqohet me probleme për vazhdimësi të punës. Përfaqësues të organizatës janë në kontakte me Qendrën për zhvillimin e regjionit të Pollogut dhe biznes sektorin prej nga kërkohen mjete financiare për mirëmbajtje të Qendrës dhe hapjes së strehimores për përkujdesje të viktimave nga dhuna familjare. Ka nevojë të funksionoje një qendër e tillë duke pas parasysh që dhuna në regjionin e Tetovës është mjaft prezent dhe gratë denoncojnë dhunë duke kërkuar ndihmë në këtë qendër.
KOHA: Keni shkrepur me pushkë për lindjen e djemve?
KRESHOVA: Jo, sigurisht jo! Në familjen time nuk bëhet dallimi në kuptimin mashkull i privilegjuar dhe femër e diskriminuar. Barazinë gjinore e kemi mësuar që nga koha e fëmijërisë dhe këtë e praktikojmë pa fare rezerve. Recidivi i “shkrepjes me pushkë” me të lindur djalë, sot nuk është si në kohët e mëhershme. Madje, kjo dukje është e pranishme tek-tuk ndër familjet me tipare të të jetuar në fise. Sot fisi dalëngadalë po fashitet dhe po transformohet në “mikro familje”. Dhe kësisoj, “shkrepja” do mbetet një kujtesë për një kohë të shkuar.
KOHA: A besoni në thënien se “qajnë trenat, kur lind vajzë”. Përse ky mendim i popullit tonë?
KRESHOVA: Kjo sintagmë u konsumua pak a shumë edhe në pyetjen dhe përgjigjen e më sipërme. Më gëzon fakti, se sot prindërit çdo ditë e më shumë po i “konservojnë” këto të thëna që para dekadash ishin realitet i yni. Dhe kjo është një e mirë, një realitet, që do mbetet vetëm gojëdhënë e frazeologjisë shqiptare.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.