“Edhe 3 ditë kompletohet puna me EVN-në. Shpresojmë që më pas të fillojmë me rregullimin e trasesë dhe bekatonizmin e trotuareve. Pas kësaj vjen faza e asfaltimin të kësaj rruge”, deklaroi Arsim Nuredini, udhëheqës i Sektorit për veprimtari komunale, mbrojtje të ambientit jetësorë dhe natyrës
Urime HASIPI
Tetovë, 7 shtator – Punimet që filluan më 11 prill të këtij viti në drejtim të rikonstruimit të plotë të rrugës “Marat Baftjari” janë realizuar me një rritëm të ngadalësuar dhe për pasojë, rikonstruimi i kësaj rruge ende nuk është përfunduar. Banorët e kësaj lagje dhe afaristët, të cilët veprimtarinë e tyre e zhvillojnë pikërisht përgjatë kësaj rruge, të revoltuar ankohen se çdo ditë ballafaqohen me gropat që janë hapur, pluhurin, me ujin e kanalizimit atmosferik që del nga pusetet çdo herë kur bie shi dhe vërshon nëpër këtë rrugë. “Më keq është kur ka reshje të shiut, dhe rruga bëhet e pakalueshme. Krijohet baltë dhe gropa me ujë, është shumë keq dhe lokalet në këtë pjesë kanë humbje sepse askush nuk vjen siç është rruga në këtë gjendje. Kur nuk ka shi, krijohet pluhur i madh në rrugën e cila nuk është asfaltuar. Është tamponuar, por ka shumë vështirësi si për ata që qarkullojnë në këtë rrugë, por edhe për ne si banorë që jetojmë në këtë lagje”, thonë banorë të kësaj lagje, të cilët janë revoltuar për shkak të zhagitjeve të punëve.
Nga kjo gjendje e krijuar ata shprehen se nuk mund të qarkullojnë lirshëm as këmbësorët dhe as automjetet të cilat çdo ditë po shkatërrohen, dyqanet po mbyllen,prandaj apelojnë deri tek komuna që të përshpejtohet ritmi i punës me qëllim që punët të përfundojnë sa më parë dhe përfundimisht kjo rrugë të lëshohet në përdorim. Ndonëse dita e enjte në këtë pjesë të Tetovës është ditë tregu, megjithatë frekuentimi i qytetarëve është shumë i vogël për shkak të infrastrukturës së parregulluar gjatë pjesës më të madhe të vitit. Por sipas informatave, problemi ka qenë me EVN me vendosjen e rrjetit elektrik.
“Edhe 3 ditë kompletohet puna me EVN-në. Shpresojmë që më pas të fillojmë me rregullimin e trasesë dhe bekatonizmin e trotuareve. Pas kësaj vjen faza e asfaltimin të kësaj rruge”, deklaroi Arsim Nuredini, udhëheqës i Sektorit për veprimtari komunale, mbrojtje të ambientit jetësorë dhe natyrës. Përndryshe punimet në rikonstruimin e rrugës “Murat Baftjari” të një gjatësie prej 520 metrave që kishin filluar muaj më parë, sipas projektit – ishte paraparë rregullimi i kanalizimit atmosferik, zëvendësimi i rrjetit të vjetër të ujësjellësit me rrjet të ri, rregullimi i trotuareve, rrjetit elektrik,ndriçimi publik si dhe asfaltimi.
Afati për rikonstruimin e tërësishëm të kësaj rruge ishte 120 ditë dhe deri më tani janë realizuar disa faza të rikonstruimit me rregullimin e kanalizimit atmosferik, është ndërruar rrjeti i ujësjellësit, është rregulluar rrjeti elektrik aktualisht po punohet në rregullimin e trotuareve pas çka do të pasojë edhe asfaltimi. (koha.mk)