Në Maqedoni ekzistojnë dallime të mëdha në zhvillimin midis komunave urbane dhe rurale si dhe ndërmjet Shkupit dhe pjesës tjetër të vendit. Hulumtimi i fundit i Institutit për Politikë Evropiane tregon se një pjesë e madhe e komunave nuk mund të mbulojnë as harxhimet rrjedhëse si transportin e nxënësve dhe ngrohjen e objekteve shkollore. “Jetesa në fshat dhe komunat më të vogla është mjaft e rëndë, andaj një numër i madh i njerëzve dhe sidomos të rinjve – ikin në qendrat urbane apo jashtë shtetit”
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 13 shkurt – Me vite, në Maqedoni flitet dhe debatohet për zhvillimin e barabartë rajonal, miratohen dokumente të ndryshme që duhet të avancojnë këtë proces, ndahen edhe mjete për zhvillimin ekonomik të tetë rajoneve, megjithatë të dhënat statistikore dhe hulumtimet e ndryshme konfirmojnë se dallimet midis rajoneve, akoma mbeten të mëdha dhe ngadalë po ulet hendeku zhvillimor midis rajoneve të caktuara. Drejtori i Odës Ekonomike i Maqedonisë Veriperëndimore, Drilon Iseni thotë për gazetën KOHA, se kemi ligje dhe strategji për zhvillimin e barabartë rajonal, mirëpo praktika po tregon se ato nuk po funksionojnë siç duhet dhe nuk ndahen 100 milionë euro e parapara për këtë qëllim.
“Në këtë aspekt është problematike se nuk po zbatohet Ligji për zhvillim të barabartë rajonal dhe nuk po ndahen 1 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Maksimumi janë ndarë 9 milionë euro që nuk është as 10 për qind e shumës së përcaktuar si obligim ligjor. Problem tjetër është edhe mungesa e Regjistrimit të popullatës që do të verifikojë të dhënat e popullatës në aspektin demografik, dhe do të shërbejë për definimin e strategjisë ekonomike dhe zhvillimit e shtetit”, shton më tej ai. Sipas Isenit, jo vetëm që Strategjia e zhvillimit të barabartë rajonal nuk është zbatuar si duhet, por ajo nuk po bazohet as në një Strategji afatgjate për zhvillimin ekonomik të vendit.
PËR 10 VITE, 10 MILIONË EURO!
“Përskaj ngritjes së kapaciteteve të institucioneve përgjegjëse që duhet të absorbojnë mjetet për zhvillimin rajonal si tetë qendra planifikuese, nevojitet edhe përpilimi i një Strategjie afatgjate ekonomike për zhvillimin e Maqedonisë e që do ndërlidhet me Regjistrimin e popullatës se çfarë fuqie punëtore kemi, cili është potenciali për zhvillimin e bujqësisë dhe konform kësaj të bëhet edhe Strategjia e zhvillimit të barabartë rajonal të shtetit”, thekson Iseni, që është edhe një nga autorët e analizës për zhvillimin e barabartë rajonal si shpëtim nga shpopullimi i Maqedonisë së Veriut të publikuar para disa muajve nga ana e Institutit për Politikë Evropiane. Ai shton më tej se arsyetimet e të gjithë qeverive deri tani, si dhe të kësaj aktuale – janë se po shpërndahen 1 për qind e PBB-së, por në mënyra dhe forma tjera, dhe se mungojnë mekanizma që do të matin shpenzimet për zhvillimin e barabartë rajonal. Me fjalë tjera, nuk mbajnë arsyetimet se po ndahen mjete të ndryshme për zhvillimin e barabartë rajonal, sepse të njëjtat nuk realizohen si mjete enkas të dedikuara për zhvillimin e rajoneve, por si mjete të zërave buxhetor nëpër ministri të ndryshme.
Në ndërkohë, edhe hulumtimet e ndryshme po tregojnë se në më shumë se dhjetë vjet, janë ndarë më pak se 10 milionë euro në vit me qëllim që të barazohet zhvillimi i komunave dhe rajoneve në vend. Nga miratimi i Ligjit për zhvillim të barabartë rajonal, për fat të keq, asnjë garniturë politike nuk e ka respektuar obligimin ligjor për planifikimin e së paku 1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për politikat e zhvillimit të barabartë rajonal. Edhe pse viteve të fundit po shënohet përmirësim i gjendjes, shuma maksimale e mjeteve të planifikuara për këtë politikë mbetet më pak se 10 për qind nga obligimi ligjore, thuhet në analizën e Institutit për Politikë Evropiane. “Edhe pse politika për zhvillim të barabartë rajonal, duhet të shikohet si politikë zhvillimore dhe sociale, në çaste të caktuara mund të ndjehet se mungon vullneti politik me qëllim që të arrihet implementimi i tërësishëm i politikave për zhvillim të barabartë rajonal”, thuhet në studim.
POLLOGU ME PJESËMARRJE MË TË VOGËL
Në ndërkohë, edhe pas një dekade të miratimit të Strategjisë për zhvillim të barabartë rajonal, mund të konstatohet se kjo fushë si politikë e rëndësishme zhvillimore, pjesërisht ka arritur disa parametra ekonomik, mirëpo nuk ka arritur qëllimin kryesor, atë të uljes së dispariteteve të zhvillimit të tetë rajoneve planifikuese. Në këtë drejtim, problem paraqet edhe mungesa e analizave, që pamundësojnë matjen e treguesve të suksesit. Njëherësh, të gjithë qeveritë pa përjashtim – kur dalin me të dhënat për mjetet e hаrxhuara për zhvillimin e barabartë rajonal, akoma nuk mund të përcaktojnë se a janë këto deklarime të sakta, për shkak se nuk ekziston një sistem i vetëm dhe unik për ndjekjen e investimeve nga ana e institucioneve të ndryshme në politikat për zhvillim të barabartë rajonal.
Në Ministria e Pushtetit Lokal thonë se me Ligjin e ri për vetëqeverisje lokale, parashikohet që të gjitha ministritë të kenë programe për zhvillimin e barabartë rajonal. “Me Ligjin e ri parashikohet që çdo ministri të respektojë shkallën e zhvillimit të rajoneve, apo me fjalë të tjera – nëse një ministri do të ndajë më shumë mjete për një rajon, atëherë ministria tjetër duhet të planifikojë më shumë mjete për rajonin tjetër planifikues, apo nëse një vit kemi disbalans në dëm të një rajoni, atëherë vitin e ardhshëm ai rajon duhet të fitojë më shumë mjete”, thotë ministri i Pushtetit Lokal, Goran Milevski. Sipas tij, ky dikaster ka rritur mjetet për rajonet nga 3.5 në 7 milionë euro, ndërsa shteti megjithatë harxhon mjete të mëdha për zhvillimin e barabartë rajonal, megjithëse por jo sipas shkallës së zhvillimit. “Si shtet harxhojmë edhe mbi 100 milionë euro për zhvillimin e barabartë rajonal, ku po ndërtohen shkolla dhe çerdhe, rrugë lokale dhe rajonale nëpër komuna dhe kështu kemi mbi 1 për qind të harxhimit në rajonet planifikuese, por megjithatë kjo nuk realizohet sipas shkallës së zhvillimit të rajoneve”, thekson Milevski.
Hulumtuesit në analizë kanë konstatuar se në Maqedoni ekzistojnë dallime të mëdha në zhvillimin midis komunave urbane dhe rurale si dhe ndërmjet Shkupit dhe pjesës tjetër të vendit. “Një pjesë e madhe e komunave nuk mund të mbulojnë as harxhimet rrjedhëse si transportin e nxënësve dhe ngrohjen e objekteve shkollore. Jetesa në fshat dhe komunat më të vogla është mjaft e rëndë, andaj një numër i madh i njerëzve dhe sidomos të rinjve – ikin në qendrat urbane apo jashtë shtetit”, thuhet më tej në hulumtimin e Institutit për politikë evropiane. Dallimet e mëdha në zhvillimin e tetë rajoneve, i dëshmojnë edhe të dhënat e Entit të Statistikës, sipas të cilave, në vitin 2017, pjesëmarrje më të madhe në Prodhimin e Brendshëm Bruto në Maqedoni ka rajoni i Shkupit me 6.849.355 euro, ndërsa pjesëmarrje më të vogël ka rajoni i Pollogut me 2.280.298 euro. Prodhim më të madh të brendshëm për kokë banori e ka rajoni i Shkupit me 4288 euro, ndërsa PBB më të vogël për kokë banori ka rajoni Verilindor me 497 euro. Thënë ndryshe, vlera totale në para e të gjithë të mirave dhe shërbimeve të prodhuara gjatë një periudhe specifike nga njësitë prodhuese rezidente në rajonin Verilindor është për gati nëntë herë më e vogël në raport me rajonin e Shkupit. (koha.mk)