(Mbresë nga leximi i vëllimit me poezi “Nga mështeknaja e babait me mallëngjim” i Linditë Ahmetit)
Nga Vjollcë BERISHA
Ky është zëri kumbues që përshëndet nga qendra e botës së ndjeshmërisë krijuese, nga mështeknaja e babait, prej nga të gjitha zërat tringëllojnë mallëngjyeshëm, ku banon uni lirik që i përshkon athshëm e plot vjeshtë, si në dizë gështenjash, të gjitha poezitë e këtij vëllimi, që vjen si kartolinë e gjatë dërguar me entuziazmin e atij që sapo ka bërë shëtitjen më mbresëlënëse në botë e herë si harlisja e ëmbël e atij që ka degdisur në strehën e sigurt ku banon dashuria e vërtetë, në lirishtë, në kullën e vogël prej fildishi, të rrethuar me lule Iris Illyrica.
Jehona lirike që përhapet në këtë vëllim poetik është nga të rrallët tinguj që kanë prerë biletë kthyeseː herë thithet nga lexuesi si mesazh unik, plot dhimbje e drithmë, që vjen nga mështeknaja ku priten dy ndjeshmëri krijuesish, dy jetë artistësh, dy talente që e ushqejnë njëra-tjetrën për ta mrekulluar akëcilin lexues me thellësinë e mendimit dhe bukurinë e fjalës. Është kjo pikëprerja që e nxjerr mështeknajën nga të qenit atdhe i një babai të rëndomtë. Herë kjo jehonë përthithet nga lexuesi, jo si zë nga mështeknaja, por si një udhëtim i jashtëzakonshëm në të, në prillin që vlon gjithandej, në Erosin që thithet si frymë, ku të bëhet që i dëgjon hapat e tu tek kërcasin mbi gjethe me frikën se mos zgjohet trishtimi i shtrirë nën to, ku të bëhet se pas pak do t’i trembësh zogjtë në degë të mështeknës, ku, siç ndodh përherë në krijimtarinë e Linditës, të duket se po rend në lashtësi, në figurat mitike, në shtresat më të sigurta të etnisë dhe qytetërimit evropian.
Ky vëllim poezish lexohet si një metaforë gjigante e dhembjes, vetmisë krijuese, ndjeshmërisë, e kushteve për jetë të Muzës, që edhe në këtë libër qe tejet bujare me këtë krijuese të talentuar.
Leximi i këtij libri nuk të bën të jesh thjesht një turiste kureshtare ndaj një vendi atraktiv, por të ngjitet si dyll derisa t’i biesh kryqetërthor mështeknajës, pyllit të dendur, mikrouniversit ku zotërojnë ligje të tjera, të vjetra, gjysmëhyjnore, ku janë përshkruar me një planimetri të saktë të gjithë banorët e pyllit, ku bën vjeshtë e përhershme edhe kur është prill, ku Eoli fryen dhe ndërron kaptinën që s’dallon dhe aq nga ajo paraprakja.
Rrekja për ta studiuar këtë vepër me rregullat e prera të cilësdo metodë klasike letrare është një punë e huqur që në fillim, pasi llupa që do ta zmadhonte thelbin e tij duhet të jetë nga arka e instrumenteve me të cilat i kemi parë përrallat, elementet fantastike në letërsi, shtresat mitologjike. Së këndejmi, studiuesi i kësaj vepre domosdo të bëhet gati për një interpretim ku do t’i shkasin duarsh mjetet bazë me të cilat është mësuar t’ia mësyjë një vepre. Në radhë të parë do t’i pështjellet koncepti i kohës, jo vetëm i saktësimit të ngjarjes, por i shpejtësisë së rrjedhës, që herë duket se shtrihet brenda një nate të vetme, kur subjekti lirik pret Eonë që të dalë nga terri i mundimshëm, herë si një sekondë shikimi nga frengjitë e kullës në mështeknajë, e herë si shekuj të gjatë që prekin në një kohë mitike, ku pylli s’është pyll i Kësulëkuqes lozonjare, i ujkut dhe shtëpisë së gjyshes, por është pyll i nimfave, hyjnive, insekteve, kandrrave, merimangave, kaçubave, zogjve, barit të qumështit, luleve Iris Illyrica dhe i një duzine qeniesh që e popullojnë atë e që janë larg shikimit të rëndomtë të një njeriu të zakonshëm.
I gjithë libri pulson nga dëshira për të bërtitur, për ta braktisur pyllin dhe në rastet më të rënda kur subjekti lirik flet nga brenda trungut plot insekte që hanë, prapë se prapë një dritë e
hollë futet dhe e ndriçon pyllin, prill është në kalendarin e botës, por vjeshtë e përhershme bën në mështeknajë. Në të gjithë atmosferën që i ngjet një ëndrre, me personazhet e Olimpit, ku edhe subjekti lirik vetë është një Driadë në zemër të pyllit, shfaqet një personazh prej mishi e gjaku, një pesonazh i rrokshëm: Babai. Hapat e tij në mështeknajë e bëjnë prej vërteti hapësirën, i tutin shpirtrat dëmtorë. Kjo është prania më reale në vepër, e kudondodhshme, fryma që i kupton, i di të gjitha dhe endet padiktueshëm, me përpjekjen për të krijuar situata të reja, dalldisëse që e largojnë mendjen nga dhimbja e pyllit, “babait i intereson bukuria e mështeknajës, thotë poetja, por, “ndonëse babai shpërndan ëndrrën e bukur në këtë/ mbretëri magjepsëse si gjithmonë/ bota e pyllit ka rendin e vet.”
Vatra kuptimore FRIKË merr në këtë vepër një nuancë tjetër që s’i përgjigjet shqetësimit nga një e keqe që mund të vijë dhe masave që merren për mbrojtjen nga ajo. Këtu frika ka të bëjë me ikjen, me braktisjen. Midis dy qenieve atë e bijë është FRIKA, jo frika e zakonshme fëmijërore nga autoriteti i babës, por frika e mungesës, e humbjes.
Frika që vjen e cytur nga bota mashkullore (Babai, Miku, djaloshi fqinj dhe emëruesi i përbashkët: Hermesi) gjithnjë ka po këtë kuptim të dytë, këtë kuptim që ia dhanë ikjet e që ia mësuan subjektit lirik mënyrën sublime të qëndrimit vetë përballë Erosit.
Erosi, një nga elementet më të vështira për trajtim në poezi, pa rënë në rëndomësi dhe në shpërthim ndjenjash apo ornamentikë të tepruar, në poezinë e Lindita Ahmetit shfaqet i kompletuar, fqinjëson me hyjnoren, aq sa të krijon përshtypjen që janë zotat ata që po goditen nga shigjeta e Erosit, janë hyjnitë ata që po dashurojnë. Kjo qasje e ngrit poezinë e Linditës në fuqinë e një epi, në paprekshmërinë e rrëfimeve mitologjike. Edhe në situatat më romantike poetja nuk i përkëdhel ndjenjat, por i trondit ato. “Një tërmet i vogël ndodh në botën e nimfës kur shigjeta e Erosit bie në supin e saj”, thotë Lindita.
Edhe pengesat që dalin para dashurisë janë të po këtij niveli. Mikun të cilit i dedikohet letra nga mështeknaja e kanë zënë peng forcat që ia shkojnë njeriut, është peng zotash, ndoshta një peng Hadi, gjë që e bën këtë libër të zgjatet prapë midis dy shtyllash tematike universale që i falin përjetësinë librit, siç janë Erosi dhe Tanatosi. Edhe pritja, kërkimi, pikëllimi janë përtejnjerëzore, janë lufta e pabarabartë dhe a priori e humbur karshi Hadit. Megjithatë, subjekti lirik i poezive, siç duket, shijon pritjen deri në pikën e fundit, pasi bota e ndjeshme merr kënaqësinë që i duhet edhe nga gjërat që s’vijnë, nga gjërat që lehtësisht bëhen brumë i veprave të ardhshme letrare.
Mështeknaja është shëtitja magjepsëse që e bën këtë vëllim poezish një poemë të pritjes me të gjitha nuancat e saj. Është ky toponimi më origjinal i sajuar nga kjo poete e talentuar, që shenjon njëherësh strehën ku fshihet nga përditshmëria dhe botën e letërsisë, krijimtarisë, botën e metaforave, studion e babait që është prona e përbashkët e dy krijuesve, dhe, nga ana tjetër, jo rrallë, personifiikimin e dhimbjes, pritjes, asgjësë, prej nga shpesh dalin në poezi cilësorët: pyll nëmur, pyll që kridhet në vetmi, por edhe pyll i butë, mështeknajë e shenjtë etj.
Nisur nga kjo mund të sjellim përfundimin që Mështeknaja është atdheu i trishtimit dhe prehjes njëkohësisht, është vendi që të bën ta urresh dhe të të marrë malli njëkohësisht, është bashkëjetesa e hyjnive me kandrrat, nimfave me kaçubat e marimangat vejushë. Mështeknaja është toponimi më origjinal i krijuar në letërsinë shqipe, një vend që mbase ekziston thellë në ndërgjegjen e poetes, apo është pikëprerja e botëve të dy artistëve atë e bijë, që mund të ndajnë gjithçka e mund ta ujisin pa fund njëri-tjetrin mu si në vargjet kushtuar njërës nga figurat kryesore të librit, lules Iris Illyrica:
Iris ilirica
Ne ujitemi ndërsjelltazi
e mbetemi gjallë.
Për shijen time letrare, ky libër që tani ka zënë kryevendin ndër vëllimet që janë botuar dhjetë vitet e fundit në hapësirën tonë kulturore. Strukturimi i veçantë, rimarrja e motiveve në të gjitha poezitë (që më pëlqen t’i quaj këngë), bartja e personazheve, madje edhe vargjeve, e bën këtë libër të vijë ndryshe jo vetëm përballë veprave të autorëve të tjerë, por edhe përballë krijimtarisë së vetë poetes. Unë e përjetoj si një zhanër të ndërmjetmë midis këngës, poezisë lirike, prozës poetike dhe letërkëmbimit më lirik të mundshëm. Ndonëse dy letrat poetike, që e mbështjellin si një ambalazh melankolik librin, janë shkruar në prill, mua më vjen se dëgjoj kërcitjen e gjetheve të vjeshtës gjithandej.
Lindita është një poete e vetëdijshme për mjetet e punës së saj dhe për vlerën e tyre. Kur them mjetet, kam parasysh mjetin kryesor të shkrimtarit, gjuhën. Ajo është një kërkuese fanatike në gjuhë, prandaj fjalitë e saj tingëllojnë aq shqip, neologjizmat e saj janë shumë në numër dhe figurat e veçanta jo rrallë i formon nga kombinime të reja fjalësh që paraqesin, veç të tjerash, edhe prurje për leksikografinë tonë. Bien në sy tri poezi të shkallës eksperimentale, por që ia kanë dalë mbanë shumë mirë, ku përmes aliteracionit në një faqe të plotë libri arrin ta ruajë kuptimin, ndjeshmërinë dhe lidhjen e poezive me njëra-tjetrën. Janë këto tekste që mund t’i interesonin edhe një gjuhëtari të kujdesshëm e që paraqesin një pasuri edhe për fondin tonë të fjalëve. E për historinë tonë të letërsisë është pa dyshim një nga prurjet më mbresëlënëse, një nga veprat kanonike të ardhshme, që do ta zërë vendin e merituar në fondin e letërsisë shqipe. Uroj që veprat e këtilla të shtohen e të shtohen edhe poetët e talentuar si Lindita Ahmeti.