Urim HASIPI
Tetovë, 28 nëntor – Gjatë dhjetë muajve të kaluar, në Tetovë dhe rrethinë, janë shqiptuar 2158 dënime për parkime të gabuara, ndërsa 1146 vozitës kanë marrë paralajmërime me shkrim, shkruan gazeta KOHA. Pjesa më e madhe e veturave të parkuara gabimisht, janë marrë nga shërbimi i merimangës, i cili i ka transportuar në vende adekuate, ndërsa vozitësit janë dënuar me gjoba në të holla. Sipas policisë, veturat kanë qenë të parkuara gabimisht në udhëkryqe, në trotuare dhe në vende të gjelbra dhe kanë penguar zhvillimin normal të këmbësorëve, biçikletave, dhe pjesëmarrësve tjerë në komunikacion. Dënimet për këtë shkelje ligjore sillen nga 25 euro deri në 250 euro. Vitin e kaluar numri ka qenë dyfish më i madh edhe atë, 3343 vozitës kanë marrë dënime, ndërsa 1909 kanë marrë paralajmërime.
Nga ana tjetër, situata me uzurpimin e trotuareve vazhdon të jetë problem permanent në rrugët e Tetovës. Kësisoj, kemi trotuare dhe rrugë të pakalueshme, vetura të parkuara gjithandej, ngarkim-shkarkim i mallit pa respektuar orarin prej orës 19 në mbrëmje deri ora 7 në mëngjes. Mallrat nëpër markete të ndryshme zbarkohen edhe në mes të ditës, ndërsa transportuesit e bllokojnë rrugën dhe më pas krijohet tollovia në rrugët e Tetovës, edhe pse ekziston një vendim i sjellë nga përbërja e kaluar e Këshillit të Tetovës që ngarkim-shkarkimi i mallit në disa rrugë të qytetit të bëhet me orar të caktuar. Këtë vendim nuk e respektojnë as marketet në rrugën Industriale në Tetovë, e cila më herët njihej si më e lehtë për qarkullim dhe nuk krijohej tollovi, por tash edhe në këtë rrugë, gjysma e saj që të çon për në dalje të Tetovës për në Gostivar është uzurpuar nga kamionët, të cilët shkarkojnë mallin në mes të ditës.
Dukuria e uzurpimit të hapësirave publike në Tetovë, është problem që vite me radhë është aktual dhe assesi të gjen zgjidhje. Malli në këtë pjesë të qytetit të Tetovës shkarkohet kur ju konvenvon pronarëve të shitoreve, edhe pse në letër ka një vendim se kur duhet të bëhet ngarkim-shkarkimi. Kësaj situate i kontribuon edhe mospasja e një institucioni të vetëm që do të merret me këtë problematike. Nga Komuna e Tetovës theksojnë se në bashkëpunim me policinë, në këtë drejtim do të ketë më shumë kontrolle që të vendoset një rend dhe standard se kur duhet që malli të ngarkohet apo shkarkohet.
“Ka një vendim të këshillit se kur duhet që të bëhet ngarkim-shkarkimi i mallit. Është evidente se ky vendim nuk respektohet dhe prandaj shumë shpejt nëpër këto rrugë do të vendosen shenja njoftuese ku do të jetë i shënuar orari se kur pronarët mund të sjellin mallin nëpër marketet e tyre. Në të kundërtën, në bashkëpunim me policinë do të ketë edhe sanksione adekuate. Po ashtu, në bazë të vendimit të këshillit, nëse një pronar kërkon leje të posaçme, inspektoriati do të shqyrtojë kërkesën dhe më pas do të vendos se a do të jap leje që të ngarkojë apo shkarkojë mallin në orarin e kërkuar nëse është e arsyeshme”, thonë nga Shërbimi për informim në Komunën e Tetovës.
Qytetarët nga ana e tyre ankohen se në shumë raste duhet që të zbresin në rrugë pasi që trotuaret janë të zënë nga automjetet e ndryshme. ”Gjithandej trotuaret, por edhe rrugët janë të zëna nga vetura të ndryshme të cilët transportojnë mall. Jemi të detyruar që të qarkullojmë në mjedis të rrugës, sepse është e pamundshme të lëvizet në këtë rrugë”, thotë Amiri, një banorë afër rrugës Industriale në Tetovë.
Situatë e njëjtë është në rrugët e tjera të Tetovës dhe kjo ka bërë që në shumë rrugë të qytetit të krijohen rende të gjata të veturave, nervozë tek vozitësit dhe kaos. Më vështirë janë rrugët që çojnë për dalje nga qyteti ku janë edhe të vendosura shumica e marketeve. Edhe rruga nga qendra e Tetovës për te stadiumi i qytetit, çdo ditë është i stërngarkuar me automjete të cilët shkarkojnë mall nëpër markete dhe kjo mjafton që kjo rrugë të jetë e bllokuar dhe e vështirë për qarkullim. (koha.mk)