Skandali i ngacmimeve seksuale ndaj grave, i cili shpërtheu në SHBA pas rastit “Weinstein”, duket se ka vijuar edhe në Francë. Pas aktoreve, mjekeve, policeve dhe konsulentëve financiare, tani radhën e kanë pasur eksponente të ndryshme të Frontit Nacional. Sipas gazetës “Le Monde”, “gra të ndryshme akuzojnë se në mënyrë të përsëritur, kanë qenë viktimë e agresioneve, ngacmimeve apo kërcënimeve nga ana e anëtarëve të partisë së ekstremit të djathtë”. Drejtuesit e partisë, që drejtohet nga Marine Le Pen, nuk kanë asnjë reagim për momentin. Gazeta franceze shkruan për një ngjarje të 29 korrikut 2016, kur është gjetur një plumb 9 mm në kutinë postare të një zyre të partisë në selinë e Këshillit Rajonal. Tre ditë më parë, prifti Jacqes Hamel ishte vrarë në një sulm xhihadist dhe gjetja e plumbit alarmoi policinë dhe vetë Ministrinë e Brendshme. Asokohe, u zbulua se ajo që kishte gjetur plumbin ishte një bashkëpunëtore historike e Frontit Nacional në ditën e saj të fundit të punës. Gruaja, e cila kërkoi t’i ruhej anonimati, tregoi për “Le Monde” se ishte Alex Loustau, këshilltar rajonal i partisë dhe mik i ngushtë i lideres Marine Le Pen, ai që e kishte dërguar plumbin si një kërcënim pas muajsh presione dhe përplasje. Prej disa kohësh gruaja e kishte fshehur plumbin në sirtarin e zyrës së saj, pa ditur se çfarë të bënte. Loustau ka përgënjeshtruar, ndërsa Wallerand de Saint-Just, kreu i Grupit Parlamentar në Parlament, ka pranuar se e kujton atë ditë të ndërhyrjes së policisë, por se nuk kishte dijeni mbi fundin e historisë. Loustau është një njeri i besuar i Marine Le Pen. Por nuk është rasti i fundit që ngjarje të tilla kanë ndodhur në radhët e partisë opozitare franceze. Një këshilltare e FN, Aurelie Vournet, ka denoncuar ish-të dashurin, se e kishte rrahur pikërisht pas një mbledhjeje të partisë. Vournet e kishte denoncuar episodin edhe te Le Pen, e cila e kishte këshilluar t’i drejtohej drejtësisë.