Lufta kundër ekonomisë informale është mjaft komplekse dhe nuk është aspak e lehtë si proces. Megjithatë hap i parë në reduktimin gradual të kësaj pjese të ekonomisë mbetet legalizimi i saj
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 17 maj – Maqedonia e Veriut pritet që në periudhën e ardhshme të zvogëlojë nivelin e ekonomisë informale që sipas matjeve të ndryshme lëviz prej 25 për qind sipas Bankës Botërore dhe OECD, dhe mbi 30 për qind si pjesë e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në këtë drejtim një ndihmesë të madhe pritet të ofrojë si procesi i anëtarësimit të shteti në BE, ashtu edhe masat e ndryshme qeveritare. Sipas ekspertëve të kësaj fushe, ulja e një fenomeni të tillë ekonomik, si prioritet duhet të ketë riadaptimin e ekonomisë informale, apo kalimin e bizneseve nga zona gri e punës në rrjedhat zyrtare ekonomike.
“Lufta kundër ekonomisë informale është mjaft komplekse dhe nuk është aspak e lehtë si proces. Megjithatë hap i parë në reduktimin gradual të kësaj pjese të ekonomisë mbetet legalizimi i saj. Në këtë do të ndihmojnë në radhë të parë administrata e lirë dhe efikase , rregullimi jo rreptë i legjislacionit që rregullon këtë materie, inspeksionet e shtuara, ulja e presionit ndaj kompanive që punojnë në kushtet e rregullta të biznesit e kështu me radhë, që në fund duhet të sjellë një numër sa më të madh të bizneseve që do të kalojnë në ekonominë formale”, thotë Lubomir Dimovski, nga projekti i USAID, “Partneritet për një biznes rregullativë më të mirë”. Sipas tij ekonomia informale për biznesin nënkupton ambient jo të volitshëm për punë, për shtetin më pak të ardhura dhe për punëtorët paraqet mos realizimi e të drejtave të tyre. Luftimi i ekonomisë informale që në shtet është 30 për qind e totalit të ekonomisë paraqet sfidë kryesore për sigurimin e një ambient stabil ekonomik dhe kushte të njëjta të punës për të gjithë subjektet e sektorit privat, thonë nga Lidhja e Odave Ekonomike
Sipas kryetares së Lidhjes së Odave Ekonomike, Daniella Arsovska ekonomia informale paraqet një nga problemet më të mëdha për biznesin, ndërsa lufta për pengimin e saj në radhë të parë duhet të orientohet ndaj bizneseve më të mëdha. “Nevojitet një aksion i përbashkët dhe shfrytëzimi i mekanizmave përkatëse, me qëllim të ndryshimit të perceptimit se joformalja është zonë e sigurt, ku nuk ka kontrolle dhe dënime. Në të kundërtën edhe ato që punojnë në bazë të ligjit dhe paguajnë tatime, në mënyrë të heshtur do të fillojnë të kalojnë në zonën gri”, thekson Arsovska.
Sipas saj, në radhë të parë krahas masave të tjera të kontrolleve, nevojitet edhe implementimi në praktikë i Ligjit për pengimin dhe ndalimin e kryerjes së veprimtarive të paregjistruara me çka do të rregullohet puna në zonën gri. Kërkohet edhe fillimi i procedurave për transformimin e aktiviteteve joformale në formale, apo regjistrimi në fazën e parë në bazë vullnetare të kontrolleve për të gjitha ata që punojnë në mënyrë të paregjistruar, dhe pastaj hyrjen e tyre në sistemin e obligimeve. Më pas në fazën e dytë, nëse në të parën subjektet refuzojnë të regjistrohen dhe nuk ndalen me veprimtaritë në zonën gri, duhet të zbatohen masat represive me shqiptimin e gjobave më të mëdha dhe sanksionet, me çka do të përpiqen institucionet të pengojnë rrjedhat jolegale të parave shtojnë nga Lidhja e odave ekonomike.
Ministri pa porfotofol Zoran Shapauriq pret që në periudhën e ardhshme të zvogëlohet edhe më tej niveli i ekonomisë informale në shtet që lëviz prej 20 deri 25 për qind, në raport me 10-16 për qind sa është ë Evropë. “ Si qeveri po ndërmarrim masa të ndryshme për uljen e ekonomisë informale që paraqet edhe një nga prioritetet e punës të këtij ekzekutivi. Për këtë qëllim kemi përgatitur edhe strategjinë 2018-2020 për riadpatimin e ekonomisë informale si dhe janë miratuar më shumë ndryshime ligjore ku për shembull parashikohet që sa më shumë të ulen pagesat me para të thata që duhet të vijnë në nivelin prej 500 euro në kundërvlerë të denarit”, shton Shapuriq.
Sipas tij në praktikë ekzistojnë mënyrë të ndryshme të praktikimit të ekonomisë në të zezë siç janë puna e firma të paregjistruara, tregtia e palejuar tej kufitare, kompensimet etj. Ndryshe edhe hulumtimet tregojnë se masat ndëshkuese nuk paraqesin një instrument efikas për uljen e ekonomisë informale, por ato janë masat e politikës tatimore, derregullimit, masat për rritjen e moralit tatimor dhe uljen e korrupsionit si dhe reforma e administratës tatimore. (koha.mk)