Evis HALILI
Shkup, 24 janar – Marrëveshja për restaurimin e Muzeut të Alfabetit që do të realizohet me fondet e zhvillimit IPA vazhdon të shtyhet, duke mbajtur kështu pezull fillimin e punimeve për objektin, shkruan gazeta KOHA. Marrëveshja që duhet të nënshkruhet edhe me palën greke, që është në partneritet në projektin rajonal që mbështet financiarisht nga IPA – ka mbetur e panënshkruar që nga vjeshta. Nga Muzeu presin që këtë muaj të arrijnë të përçudnojnë procedurat që do t’i hapin rrugë realizimit të projektit. Rikonstruktimi i objektit duhet të përfundojë këtë vit, për shkak edhe të shënimit të 110 vjetorit të Kongresit të Manastirit, por edhe për adoptimin e katit të parë të ndërtesës, dhe shndërrimin e ish dyqaneve të sanitarisë në ambiente muzeale.
“Nuk ka asnjë lloj pengese, projekti është përpiluar si duhet dhe zyrtarisht nuk na është komunikuar asnjë lloj problemi. Mund të them se nënshkrimi i marrëveshjes së përbashkët për këtë projekt që realizohet në partneritet rajonal është shtyrë dhe presim që këtë muaj pala greke të na thërrasë për të mbyllur këtë marrëveshje. Këto ditë kemi filluar të adoptojmë katin e parë të ndërtesës në pjesë të muzeut, duke vendosur aty bibliotekën, disa ambiente ekspozimi të dokumenteve e fotografive që disponojmë”, thotë për gazetën KOHA, drejtori Nuer Arsllani. Këto ambiente që deri para pak kohësh funksionon si dyqane për shitjen e materialeve hidrosanitare që prej muajit dhjetor janë marrë me qera nga Ministria e Kulturës, me një kosto prej afro një mijë euro në muaj. Kjo është zgjidhja e vetme e kontestit pronësor, në pamundësi të kalimit të kësaj pjese në pronësi të muzeut. Sa i takon rikonstruktimit, nga Ministria e Kulturës thonë se edhe nëse dështon financimi me fondet e Bashkimit Evropian do të gjejnë modalitet për të realizuar këtë projekt.
“Ne jemi gati që si Ministri të përkrahim rikonstruktimin e objektit, edhe nëse nuk realizohet me fondet e planifikuara”, thotë sekretari shtetëror Valmir Aziri. Projekti rikonstruktues me grantin e përfituar nga fondet IPA është miratuar në muajt e parë të vitit të kaluar. Në fillim u parashikuan rreth 300 mijë euro për ta kthyer godinën në identitet, por edhe për të krijuar të gjitha kushtet e domosdoshme për funksionimin si muze, por kjo shumë u reduktua. Ky projekt rikonstruktimi është ndërmarrja më serioze, që prej hapjes së kësaj godine gati 11 vjet më parë. (koha.mk)