Prishtinë, 5 dhjetor – Nga dita kur, para dy javëve, Qeveria e Kosovës e mori vendimin për vendosjen e 100 për qind taksë për eksport të prodhimeve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, prej këtyre vendeve në Kosovë kanë hyrë gjithsej 49 kamionë me mall, prej të cilëve 38 nga Serbia dhe 11 nga BeH, njoftoi korrespodenti i MIA-s nga Prishtina.
Sipas gazetës prishtinase “Zëri”, deri më 21 nëntor, kur Qeveria e Ramush Haradinajt e mori vendimin për taksat, në vend hynin vetëm nga Serbia nga rreth 100 kamionë me mallëra në ditë.
Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci për gazetën deklaroi se edhe vlera e mallit të importuar është e ulët dhe se importuesit në tërësi e kanë paguar taksën prej 100 për qind.
“Deri tani, sipas informatave nga terreni, kemi pasur 38 importe nga Serbia dhe 11 nga Bosnja. Kryesisht bëhet fjalë për lëndë të parë për prodhim me vlera të ulëta, respektivisht vlera e tyre është rreth 140.000 euro dhe po aq janë paguar në emër të masave mbrojtëse”, deklaroi Stavileci.
Edhe krahas reagimeve dhe protestave të Beogradit dhe të serbëve të Kosovës dhe kërkesave të Bashkimit Evropian dhe SHBA-së që ta heq taksën, Qeveria e Haradinajt është e vendosur ta tërheq vendimin, derisa, Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.