Tiranë, 10 shtator – Nga shtetet e Bashkimit Evropian në Tiranë sot janë kthyer 104 shtetas të Shqipërisë, të cilët i kanë shkelur rregullat për qëndrim në vendet e BE-së apo kanë kërkuar azil.
Sipas raportit të policisë shqiptare të shtetit, ka përfunduar edhe një operacion i kthimit vullnetar të qytetarëve të cilët kanë kërkuar azil apo kanë shkelur rregullat e qëndrimit në hapësirën e shengenit, ndërsa në të morën pjesë policë nga Franca, Belgjika dhe Gjermania, transmetoi ATSH.
Sot pasdite 104 shtetas shqiptarë janë kthyer në atdheun e tyre me dy fluturime çarter nga Franca dhe Gjermania, në kuadër të projektit të përbashkët evropian që e realizuan Franca, Belgjika dhe Gjermania në bashkëpunim me FRONTEKS-in dhe me mbështetje të shoqërimit shqiptar.
Nga numri i përgjithshëm i të deportuarve, nga Franca janë kthyer 15, nga Belgjika pesë dhe nga Gjermania 84 shtetas shqiptarë.
Operacioni i kthimit do të vazhdojë edhe në javët në vijim, kështu që policia e shtetit edhe një herë u bëri thirrje të gjithë shtetasve shqiptarë që udhëtojnë në vendet e BE-së t’i respektojnë rregullat për lëvizje në hapësirën e shengenit dhe të mos tentojnë të kërkojnë azil sepse nuk kanë fare gjasa për ta realizuar atë.