Ishte lojtari nga i cili pritej më shumë në ndeshjen e së mërkurës, duke parë edhe shifrën jubilare që kërkonte, por me sa duket, Kristiano Ronaldon e përndjek edhe historia e datave dhe e fakteve. Më datë 2 dhjetor 2020, sulmuesi portugez i Juventusit realizoi në minutën e 57-të golin e tij numër 750 në karrierë (pas 1028 ndeshjesh të luajtura), i cili përkoi edhe me faktin historik se një femër, si francezja Stefani Frapart, gjykonte për herë të parë një ndeshje të Ligës së Kampioneve për meshkuj. Por, interesant është edhe fakti se sërish më 2 dhjetor, po këtë herë të vitit 2008, Kristiano Ronaldo niste udhëtimin për t’u bërë mbreti i Evropës, kur fitonte të parin “Top të Artë” në karrierë, pas të cilit do të vinin një mori me rekorde personale, ndonëse më e bukura pritet ende të vijë. Kjo, pasi rruga drejt rekordeve absolute të golave duket një autostradë, pasi Pele është më pranë me 761 golat e tij, por edhe Romario me 772 dhe rekordmeni absolut Biçan me 805 nuk duket se e tremb jashtëtokësorin luzitan.
Numra Champions-i – Ronaldo, i cili sivjet luan sezonin e tretë me Juventusin, ka realizuar mbrëmjen e së mërkurës golin e 12-të në Champions për bardhezinjtë, duke barazuar kështu dyshen Pavel Nedved e Gonzalo Higuain. Gjithsesi, gjuetia e rekordeve të portugezit lidhet edhe me moshën, mbi të gjitha nëse je 35-vjeçar si ai. Një tjetër rekord që zbulon UEFA lidhet pikërisht me bomberat “pleq” të kompeticionit, një kategori që përfshin lojtarët 34-vjeçarë e sipër. Por, edhe në këtë renditje, Ronaldo qëndron në krye, me 11 realizime, duke lënë pas vetes dyshen e bomberave madhështorë të së kaluarës, Filipo Inzagi e Didië Drogba, në kuotën 8 realizime. Gjithsesi, statistika që ndoshta të lë më tepër pa frymë kundrejt të tjerave janë 103 golat e realizuar në 100 prezencat e fundit! E thënë ndryshe, më shumë se një gol për ndeshje në kompeticionin ku ai ishte dhe mbetet kryegolashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave, me 132 realizime.
Objektivi 800 gola
Pas ndeshjes, Kristiano Ronaldo nuk vendosi që të ndalonte përpara medias, por nuk mund të mos shpenzonte disa fjalë nëpërmjet “Instagram”-it të tij, duke falënderuar këdo që e ka mbështetur në gjithë këtë udhëtim prej 750 golash, i cili gjithsesi nuk duket se do të mbarojë me kaq, përkundrazi, siç paralajmëron vetë Ronaldo: “750 gola, 750 momente të lumtura, 750 buzëqeshje nga fytyra ime për çdo mbështetës tonin. Dua të falënderoj të gjithë shokët, trajnerët që më kanë suportuar dhe ndihmuar gjatë gjithë karrierës sime, pasi pa të gjitha ata do të kishte qenë e pamundur që unë të arrija dhe të festoja një numër të tillë. Dua të falënderoj gjithashtu kundërshtarët e mi të ndershëm, pasi mbi të gjitha pa ata nuk do të mund që të shtyja veten që të stërvitesha çdo ditë e më fort. Por, më shumë se këdo tjetër, dua të falënderoj familjen time të mrekullueshme, e cila ka qenë dhe është prezente në çdo moment timin, të bukur apo i vështirë qoftë. Gjithsesi, le të vazhdojmë të gjithë së bashku përpara. Hapi i radhës janë 800 golat. Deri në fund, forca Juventus”, ishte postimi i bërë nga Ronaldo.