Ndërlikime të karakterit teknik dhe korrigjimet sa i takon porosive për pajisjet skenike kanë qenë disa prej arsyeve që sollën një tjetër spostim të datave të parashikuara për përfundimin e projektit për rikonstruktimin e Teatrit Shqiptar. “Tani kur gjërat po finalizohen, do të ishte mëkat të përshpejtojmë lindjen e krijesës së re, që ka kohë që e presim ne dhe publiku ynë…”, thotë drejtori Karaga
Evis HALILI
Shkupi, 26 tetor – Tetori nuk do të jetë muaji i përfundimit të punimeve në Teatrin Shqiptar. Afati për përfundimin e punimeve ndërtimore është zhvendosur për në fund të këtij viti, ndërsa në muajin janar të vitit të ardhshëm, do të finalizohet i tërë projekti, shkruan gazeta KOHA.
Ndërlikime të karakterit teknik dhe korrigjime sa i takon porosive për pajisjet skenike kanë qenë disa prej arsyeve që sollën një tjetër spostim të datave të parashikuara për përfundimin e projektit për rikonstruktimin e Teatrit Shqiptar.
Sipas drejtorit Adem Karaga, këto janë minutat e fundit të pritjes që do të shfrytëzohen për ta përfunduar si duhet projektin, si nga aspekti ndërtimor, ashtu edhe nga arredimi i brendshëm dhe përzgjedhja e aparaturave më bashkëkohore skenike.
“Kaloi një periudhë e gjatë dhe e mundimshme për teatrin tonë. Tani kur gjërat po finalizohen, do të ishte mëkat të përshpejtojmë lindjen e krijesës së re, që ka kohë që e presim ne dhe publiku ynë. Ju siguroj që ajo që do të lindë do të justifikojë sakrificën e Teatrit dhe publikut tonë”, thotë drejtori Karaga për KOHA.
Për këtë vit, Qeveria ka ndarë për Teatrin Shqiptar një fond prej 338 milionë denarë për përfundimin e punimeve, 88 milionë denarë të akorduara me rebalancin e buxhetit. Zhvendosja e afatit të punimeve ndërtimore nga tetori në dhjetor është kërkuar nga mbikëqyrësit e projektit, edhe pse në muajin korrik u premtua se dorëzimi i objektit nga kompania e ndërtimit nuk do zgjaste më shumë se tre muaj.
KATËR MINISTRA DHE NJË TEATËR
Premtimi u bë pas inspektimit të punimeve edhe nga ministri i Kulturës, Asaf Ademi, ministri i tretë i kulturës që bëhet gati të presë shiritin e inaugurimit.
Rikontruktimi i objektit ka nisur në vitin 2014, nga ish-ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançevska Mileska, i prezantuar si një projekt kapital i Qeverisë. Në muajt e fundit të mandatit të saj, Kançeska premtoi përfundimin e projektit. Të njëjtin premtim e dha edhe ish-ministri i Kulturës, Robert Allagjazovski dhe përfaqësues të tjerë të Qeverisë. Projekti rikonstruktues hasi në një sërë pengesash, fillimisht punimet u pezulluan që në vitin e parë pas falimentimit të kompanisë italiane që duhej të merrej me rikonstruktimin.
Më pas, në mungesë të planit fillestar, projektantët hasën në probleme teknike në terren, ndërsa kufizimet financiare dhe buxheti i vogël që i akordohej çdo vit shkaktuan po ashtu zvarritjen e punimeve. Gjatë realizimit të projektit, statika dhe arkitektura e teatrit nuk kanë pësuar ndryshime dhe realizuesit i kanë qëndruar besnik projektit fillestar.
Transformimi i teatrit do të ndodhë në pjesën e instalimeve dhe pajisjet elektrike, maqinerike… përfshirë edhe instalimet për sistemin e sigurisë, ndriçimi, rikonceptimi i enterierit me nuancat që sfumohen nga gri në indigo, ndriçimi led i foajesë, vendosja e disa minishatërvanëve e të tjera.
2019, VITI I TEATRIT SHQIPTAR
Gjatë këtij viti, aktivitetin e limituar skenik që e zhvillon brenda Teatrit të Komedisë prej disa vitesh, Teatri Shqiptar e ka kompensuar me pjesëmarrjen në shumë festivale në vend dhe jashtë dhe shpërblimin me një numër rekord çmimesh. Me shfaqjet “G”, “Biondi Qeni”, “Gratë”, “Makbethi”, “Gjymtimi”, “Shfaqja që shkon mbrapsht” dhe “Vdekja e Dantonit”, Teatri Shqiptar është prezantuar me dinjitet në skenat e festivaleve në “Flaka e Talias” në Gjilan, Bursë, “Vojdan Çernodrinski” në Manastir, Vera e Ohrit, Festivalin Mbarëkombëtar në Tiranë, Festivali “Martin Mekdona”, në Perm të Rusisë, Festivalin e Dibrës, Festivalin e Komedisë në Kumanovë dhe Festivalin e Tetovës. Është vlerësuar me katër çmime – Shfaqja më e mirë dhe tetë çmime të tjerë për regjinë më të mirë, aktorin më të mirë, e të tjera. Me pjesën “Gratë”, gjatë muajit nëntor Teatri Shqiptar do të jetë pjesë e Festivalit “Othello” në Gostivar (8 nëntor) dhe Festivalit “Kadri Roshi” në Gjirokastër (15 nëntor). Me “Vdekja e Dantonit” në Teatrin Kombëtar të Prishtinës (23 nëntor) dhe me shfaqjen “G” do të prezantohet në Shkup (26 nëntor), Gostivar (27 nëntor) dhe Kërçovë (28 nëntor). /koha.mk