Evis HALILI
Shkup, 28 gusht – Pas ceremonisë zyrtare të mbylljes së “Mbrëmjeve Poetike të Strugës”, poetët i janë drejtuar Shkupit në manifestimin e fundit tradicional, mëngjeset poetike në kishën “Shën Andrea” në Matkë dhe mbrëmje e leximeve poetike në shëtitoren “Maqedonia”, pranë Urës së Gurit, shkruan gazeta KOHA. Ky edicion i poezisë si rrallë ndonjëherë u përfshi në një sërë skandalesh që e shoqëruar deri në natën e fundit. Një momentet kur organizohej ceremonia finale dhe ndaheshin çmimet “Urat e Strugës” në urën prej druri varej një pankartë e shkuar në tre gjuhë, me mesazh qartësisht të lexueshëm për të pranishmit në festival “Një mbrëmje poezi – 365 mbrëmje deponi”. Vendosja e pankartës nga iniciativa civile “Struganët për Strugën”, është pjesë e aktiviteteve për sensibilizimin e opinionit dhe institucioneve shtetërore për ndotjen që i bëhet këtij qyteti me djegien e plehrave në vendgrumbullimin e tyre, në periferi të qytetit dhe ndotjen e ambientit prej shumë kohësh. Pankarta do të vazhdojë të qëndrojë në të njëjtin vend, ndërsa organizatorët kanë zgjedhur natën e fundit të MPS në mënyrë që vëmendja e të pranishmëve, artistë nga e gjitha bota dhe politikanëve të kthehej tek problemi që nuk po gjen zgjidhje dhe me të cilin po përballen për një kohë të gjatë si qyteti ashtu edhe qytetarët. Festivali i poezisë, edicioni i 56 –të u zhvillua nga datat 23-28 gusht. Gjatë ndarjes së çmimit “Kurora e artë”, poeti amerikan Çarls Simiq në shenjë falënderimi u shpreh “Një natë e bukur, lumë i bukur, më mirë nuk mund të ndodhte”. Ftues i çmimit “Vëllezërit Milladinovci” u shpall poeti Mihail Renxhov, për përmbledhjen më të arrirë poetike “Unë elegjitë”. Kjo është hera e dytë që Renxhov i akordohet çmim nga MPS. Fitues i çmimit “Urat e Strugës”, që ndahet në bashkëpunim me UNESCO, ishte poeti Goran Çollakhoxhiq nga Kroacia. Po ashtu në natën e fundit i është ndarë çmimi “Enhalon” edhe një poeti të ri vendas, Josip Kocev. Zhvillimi i këtij manifestimi provokoi një sërë kritikash dhe bojkotimesh. Asnjë përfaqësues i komunës së Strugës nuk ishte prezent as në bordin e Këshillit Drejtues, por as edhe në ceremoninë e hapjes. Shpërfillja e gjuhës shqipe gjatë organizimit, por edhe e bashkëpunimit me autoritetet komunale vazhdojnë të thellojnë hendekun e pakënaqësisë mes drejtuesve të MSP dhe komunës. Vërejtjet më të mëdha për këtë manifestim i ka vetë Ministria e Kulturës. Afera për abuzime me fondet u bënë publike nga ky institucion, disa ditë pas shkarkimit të kryetarit dhe disa anëtarëve të bordit drejtues. Këto ishin ndryshimet e vetme, të cilat nuk prekën asgjë nga përmbajtja e manifestimit. Pas përfundimit të zgjedhjeve lokale pritet që në këtë festival të ndryshohen titullarë për shkak të abuzimeve në vite me mënyrën selektive të ndarjes së honorarëve. Vërejtjet nuk janë munguar as nga vetë poetët. Krijuesit shqiptarë as ftohen dhe as nuk dëshirojnë të jenë pjesë e këtij manifestimi, ndërsa krijuesit maqedonas janë shprehur se ky manifestim po kthehet në një takim poetësh sesa në festival poezia, e cila është zhvendosur në margjina. Nga Ministria e Kulturës pritet që edicioni i vitit të ardhshëm të jetë ndryshe jo vetëm nga përmbajtja, por edhe nga aspekti i eliminimit të barrierave mono-etnike të manifestimit. (koha.mk)