Laura PAPRANIKU
Shkup, 3 korrik – I hapën studimet me rreth 200 studentë në vitin e parë të themelimit, por të gjitha pritjet janë që në vitin akademik 2017/2018 Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup të shumëfishojë këtë numër, shkruan gazeta KOHA. Optimizmi mbështetet para së gjithash në faktin se UNT ka tanimë në dispozicion të gjitha afatet e regjistrimit dhe jo si vitin e kaluar kur konkursi për pranimin e studentëve në këtë universitet nisi pasi kishin përfunduar të gjitha afatet e regjistrimit nëpër universitet tjera. Por, përtej kësaj, rektori Aziz Pollozhani, shpjegon se UNT del përpara të rinjve me një ofertë shumë të larmishme, me programe atraktive dhe që nxjerrin kuadro të kërkuara jashtëzakonisht shumë nga tregu i punës. Kjo, beson se do të jetë elementi kryesor me të cilin UNT do të regjistrojë shumë më tepër studentë të rinj e, që të mund t’u përgjigjen nevojave të tyre për hapësira, kuadër mësimor dhe shërbime administrative, stafit drejtues të UNT-së i duhet të punojë paralelisht në disa drejtime. Në bazë të kuotave të studentëve të rinj që ka miratuar Qeveria për vitin akademik 2017/2018, UNT do të hapën Konkurs për rreth 1560 studentë të rinj. Sfida e parë janë hapësirat, të cilat, sikurse pohon rektori Pollozhani, janë siguruar në masë të konsiderueshme. “Kemi rinovuar kontratën e shfrytëzimit të hapësirave në objektin e Lidhjes së Sindikatave të Maqedoninë, ku krahas dy kateve në dispozicion, do të shfrytëzojmë edhe një kat tjetër, në po këtë objektet. Punët për adaptimin e hapësirave në mësonjëtore dhe kabinete laboratorike kanë filluar dhe gjithçka do të jetë gati për në muajin shtator”. Në këtë objekt, sikurse sqaron rektori UNT, do të shfrytëzohen gjithsej 2000 metra katrorë, ndërsa thotë se është çështje e dakorduar prej kohës edhe shfrytëzimi i rreth 700 metrave katrorë në hapësirat e Shkollës fillore “Kongresi i Manastirit” në Komunë e Çairit. Këtu do të shfrytëzohen për nevojat e UNT-së, respektivisht të programit të shkencave sportive edhe dy sallat sportive.
“Varësisht nevojave, nuk do ta kemi problem që në kuadër të bashkëpunimit me Universitetin e Evropës Juglindore të vazhdojmë të jemi prezent edhe në objektin e UEJL-së në Shkup. Por, kjo do të varet edhe nga mundësitë e UEJL-së dhe kahes që do të merr bashkëpunimi mes dy institucioneve tona. Ne jemi për bashkëpunim të gjithanshëm me të gjitha universitetet”. Kështu për KOHA shprehet rektori Pollozhani, ndërsa sqaron se edhe pa hapësirat në objektin e UEJL-së, UNT-ja do t’ia dalë të përballojë sfidën e sigurimit të hapësirave të nevojshëm për studim deri në zgjidhjen afatgjate të problemit. Para përfundimit të 2016-ës, UNT dorëzoi në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës Propozim-planin ideor për ndërtimin e kampusit universitar në hapësirat e ish-kazermës ushtarake Ilinden. Plani ideor parasheh ndërtimin e objekteve studimore dhe multimediale në një hapësirë prej 39000 metra katrorë, për nevojat e 4000 – 5000 studentëve të shkallës deri diplomim dhe pasdiplomike. Tani është radha e MASH-it të vazhdojë me procedurat e përgatitjes së Planit ndërtimor të kampistit universitar, aq më tepër kur konsolidimi i UNT-së ka hyrë si projekt me prioritet në agjendën e Qeverisë së re të kryeministrit Zoran Zajev. Në këtë plan, rektori Pollozhani pret të zgjidhet së shpejti edhe çështja e konsolidimit të universitetit me kuadër mësimor dhe staf administrativ. “Ditëve në vijim presim të del Konkursi për pjesën e mbetur të 43 profesorëve dhe asistentëve, vende të paplotësuara nga konkursi i vitit të kaluar, si dhe të kontingjentit të punonjësve të administratës. Meqë UNT është pjesë e programit prioritar të Qeverisë, presim të materializohen këto nevoja për konsolidimin e universitetit. Shumë shpejt duhet të nisin përgatitjet edhe për Konkursin e ri të pranimit të pedagogëve, si nevojë e zgjerimit të UNT-së me gjashtë programe të reja të akredituara dhe dy programe të ristrukturara. Kërkesat dhe sfidat e universiteteve janë të shumta dhe për këtë i kemi drejtuar të gjitha energjitë tona në kapërcimin e tyre, kuptohet duke vepruar mbi bazën e prioriteteve të mirë-caktuara”, shprehet rektori Pollozhani.
Në bazë të programeve të akredituara, UNT do të ketë nga viti tjetër akademik 20 programe studimore, apo gjashtë me shumë se vitin akademik 2016/2017. Inxhinieria ekonomike, e cila ishte e akredituar që në aktin e themelimit, është ndarë në dy programe: ekonomi e ndërmarrësisë dhe menaxhment industrial. Programet tjera të reja janë: inxhinieria e mbrojtjes së ambientit dhe inxhinieria e mbrojtës në vendin e punës, gerontologjia, shkencat sportive, media dhe komunikim ndërkulturor, administrata publike dhe menaxhimi i resurseve humane, si dhe studimeve ballkanike dhe euroaziatike.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.