Qeveria ka vendosur centralizimin e deponive , si dhe kalimin e kompetencave nga nivel lokal në nivel qendror për grumbullimin dhe përpunimin e mbeturinave. Nga mbetjet e ndryshme do të prodhohet energji, si model i funksionimit që moti praktikohet në vendet e Bashkimit Evropian
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 17 korrik – Pas shumë vitesh premtimesh të parealizuara, problemi me deponitë e egra, por edhe ato ku në mënyrë të organizuar hidhen mbeturina, pritet që më në fund të gjejë zgjidhje. Ekzekutivi i ri ka premtuar një angazhim të fuqishëm që më në fund, problemi i mbeturinave të fillojë seriozisht të zgjidhet përmes riciklimit të mbetjeve të llojeve të ndryshme të energjisë, shkruan gazeta KOHA. Me një pjesë të mjeteve të aeroportit të pa-ndërtuar kargo apo për transportin ajror të mallrave në Shtip, dhe me financime nga mjetet evropiane IPA, parashikohet që të ndërtohen deponi moderne. Është paralajmëruar se do të përcaktohen lokacione për deponitë rajonale ku do të kryhet seleksionimi dhe përpunimi i mbeturinave.
Me financa evropiane është përgatitur edhe dokumentacioni, për realizimin e projekteve të katër deponive tek rajonet Jugperëndimor, të Pellagonisë, të Vardarit dhe në Shkup.
Qeveria ka vendosur centralizimin e deponive, si dhe kalimin e kompetencave nga nivel lokal në nivel qendror për grumbullimin dhe përpunimin e mbeturinave. Nga mbetjet e ndryshme do të prodhohet energji , si model i funksionimit që moti praktikohet në Bashkimin Evropian.
“Deponitë që do të formohen së shpejti , aspak nuk do ti ngjasojnë atyre që kemi sot me erë të keqe dhe me zjarre. Përkundrazi, ato do të kenë kapacitet për instalimin e pajisjeve që do të reciklojnë apo përpunojnë mbeturinat “, thotë zv.kryeministri për Çështje evropiane, Koço Angjushev.
Sipas tij, i tërë procesi nuk është i lehtë, mirëpo qeveria është e përkushtuar për zgjidhjen e kësaj çështje, po punohet në zgjidhen e tij, dhe së shpejti do të ketë edhe rezultate.
Gjithashtu, pritet që deponitë rajonale të kalojnë nga kompetencat e komunave në kompetencë të qeverisë, për shkak se vlerësohet se deponitë e vogla nuk janë të gatshme që tu instalohet pajisja që në mënyrë përkatëse do të trajtojë mbeturinat, andaj nga qeveria kanë vlerësuar se nevojitet të formohen depon rajonale me të cilat do të menaxhohet në mënyrë të centralizuar.
Ambientalistët thonë se Maqedonia duhet të ndryshojë qasjen për zgjidhjen e problemit me mbeturinat dhe ndotjen e ambientit. Nevojitet që më seriozisht të punohet në ndarjen serioze të mbeturinave të llojeve të ndryshme. Duhet të rritet edhe vetëdija e qytetarëve se deponitë nuk janë vende të zakonshme ku hidhen mbeturinat, por janë vende ku krijohen energji me përpunimin e tyre.
Në ndërkohë, statistika zbardh se Maqedonia përpunon vetëm 10 për të mbeturinave të përgjithshme që krijohet brenda një viti në shtet. Sipas të dhënave statistikore në vitin 2014, nga 1.8 milion tonë të mbeturinave janë ricikluar vetëm 197 505 tonë mbeturina. Më së shumti mbeturina apo 88 për qind shkaktohet në industrinë përpunuese ku ekziston edhe më së shumti përpunim me 10.8 për qind, apo 178 mijë tonë mbeturina të ricikluara.
Për dallim prej Maqedonisë, shtetet evropiane, por edhe shteti më i industrializuar në botë, SHBA-të kanë sisteme mjaft të zhvilluara të menaxhimit dhe përpunimit të mbeturinave për prodhimin e energjisë për ngrohje. Sipas të dhënave të Eurostat, në mesatare riciklohen 42 për qind e mbeturinave në shtetet e BE-së.
Sipas njohësve të ekologjisë niveli kaq i ulët i përpunimit të mbeturinave e ka burimin tek kapacitetet shumë të dobëta për ruajtjen dhe klasifikimin e llojeve të ndryshme të mbeturinave, vetëdijen e ulët për ruajtjen e ambientit jetësor, por edhe te vonesat në ndërtimin e impianteve moderne për përpunimin e mbeturinave komunale për prodhimin e energjisë për ngrohje.
Sfidë do të mbetet edhe ndarja e llojeve të ndryshme të mbeturinave duke filluar nga metalet, plastika, mbeturinat organike, prej të cilave më vonë do të prodhohet bio gaz dhe energji elektrike. Ekspertët thonë se nevojitet edhe një angazhim më i madh për rritjen e vetëdijes së qytetarëve për ndarjen e llojeve të ndryshme të mbeturinave, të vendoset seleksionimi primar dhe dytësor i mbeturinave të llojeve të ndryshme si dhe të rritet në përgjithësi niveli i menaxhimit me mbeturinat në Maqedoni. Ndryshe, edhe deponitë ekzistuese ilegale në përputhje me direktivat evropiane duhet të mbyllen deri në vitin 2020. (koha.mk)