Evis HALILI
Shkup, 18 gusht – Projektet që lidhen me trashëgiminë, mbrojtjen dhe promovimin e saj kanë pësuar reduktime të ndjeshme me rebalancin e buxhetit të këtij viti, shkruan gazeta KOHA. Ministria e Kulturës ka shkurtuar paratë në disa zëra në të cilat gjatë këtij viti nuk u kursyen paratë, si trashëgimia, projektet kapitale, filmi, ndërsa pjesa tjetër si artet figurative, manifestimet kulturore, mbështetja e talenteve të reja, bashkëpunimi ndërkombëtar, e të tjera kanë mbetur të paprekura. Janë rreth 110 milionë denarë më pak sesa buxheti i parashikuar në këtë fillimvit, ku diferenca më e madhe shihet tek Drejtoria e mbrojtjes së trashëgimisë, buxheti i së cilës është reduktuar me rreth 40 milionë denarë, ndërsa vetë financimi i veprimtarive që lidhen me trashëgiminë gati është përgjysmuar (mbi 410 milionë denarë në më pak se 250 milionë denarë). Një prej projekteve më të shtrenjta, Botimi për pasuritë e trashëgimisë kulturore dhe natyrore, për të cilin ishin akorduar pesë milionë denarë është reduktuar në vetëm një milion, Universiteti i Shën Klimentit në Pllaoshnik ka në dispozicion 10 milionë denarë më pak. Lokalitetet arkeologjike, si Teatri Antik Skupi do të ketë vetëm 19 milionë denarë, nga 100 milionë të parashikuarat në fillim të këtij viti, ndërsa për kalatë e Shkupit, Tetovës dhe Vinicës janë minusuar 30 milionë denarë. Përfituesi i vetëm është promovimi turistik i trashëgimisë, ku nga një milionë denarë është rritur me tre milionë denarë. Reduktime të tjera të buxhetit ka pasur edhe në veprimtarinë filmike, ku me rebalancin Agjencia e Filmit do të disponojë me rreth 30 milionë denarë më pak sesa planifikimi. Nga rebalanci kanë ëprfituar disa zëra të tjerë, si Shpenzimet kapitale që janë rritur (mbi 2 milionë denarë në rreth 12 milionë denarë),
Buxheti i këtij viti në kulturë u rrit me më shumë se 600 qind milionë denarë (mbi 15 për qind më shumë) krahasuar me një vit më parë. Primare ishin projektet e nisura 2016, por edhe më parë, një pjesë u inauguruan gjatë këtij viti. Në listën e prapambetur vazhdojnë të figurojë edhe dy projektet kapitale, rikonstruktimi i Teatrit Shqiptar të Shkupit, si edhe ndërtimi i Bibliotekës dhe Teatrit në Tetovë. Rebalanci nuk ka ndryshuar asgjë në shumën për Teatrin e Shkupit i cili edhe këtë vit ka në dispozicion 100 milionë denarë. Për të vijuar punimet e objektit në Tetovë në fillim të këtij viti u parashikuan 180 milionë denarë, po aq sa edhe në 2016. Por rebalanci, të cilit nuk arrin t’i shpëtojë asnjë vit, këtë herë i ka shkurtuar 40 milionë denarë.
Ministria e Kulturës gjatë vitit të kaluar e “zbrazi” arkën edhe me fondin që vuri në dispozicion për realizimin e Programit vjetor me interes nacional të Ministrisë, financimi i projekteve nga të gjitha sferat parashikohej të arrinte deri në 900 milionë denarë. Sipas raporteve më të fundit nga ky institucion në shumë institucione dhe për shumë projekte është abuzuar me paratë e akorduara, kryesisht tek honorarët, me të cilat janë paguar shërbime të njëjta me shuma preferenciale. Të gjitha janë nën hetim nga grupet e punës dhe pritet që së shpejti të publikohen detaje për shifrat dhe mënyrën sesi janë shpenzuar shuma abuzive. Evidentimi dhe vërtetimi i keqpërdorimeve në disa institucione në varësi të MK, ka sjellë shkarkimet nga detyra të drejtorëve e bordeve drejtuese, në disa teatro, muze, manifestime, e të tjera.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.