Për problemin e biznesit me drogë edhe telefona celular në burgun e Idrizovës, sinjalizojnë edhe nga Zyra e Avokatit të Popullit edhe nga drejtoria e burgut. Ato thonë se nuk mund ta mohojnë një problem të tillë, pasi disa nga të burgosurit shfrytëzojnë edhe rrjetet sociale nga celularët e tyre
Destan JONUZI
Shkup, 31 korrik – As gjinekolog, as stomatolog, as staf profesional adekuat…, personat që vuajnë dënimin me burg bëjnë “luftë” për të marrë kujdes të duhur shëndetësor, thuhet në Raportin e fundit të Avokatit të Popullit. Nga atje thonë se korrupsioni në qendrat ndëshkuese po lulëzon, ndërsa dëshmi për këtë janë marrë nga persona të paraburgosur dhe burgosur, shkruan gazeta KOHA.
“Për një shumë të caktuar parash mund të blihet një telefon, drogë, përfitime, shtrat më të mirë dhe ditë të lira. Konstatimi është se në burgje korrupsioni funksion si sistem në të cilin janë të involvuar edhe të burgosurit edhe zyrtarët e burgut”, ka konstatuar Avokati i Popullit. Por, nga drejtoria e burgut mungesën e mjekëve e arsyetojnë me problemin sistemor në shëndetësi dhe shtojnë se bëjnë të pamundurën që të burgosurit të marrin trajtimin e duhur mjekësor.
“Ka mungesë të mjekëve. Por kjo është çështje sistemore e ndërlidhur me sistemin shëndetësor. Edhe nëpër Qendrat e shëndetit publik ka mungesë të kuadrit. Në burgun e Idrizovës kemi dy mjeke, të cilët vazhdimisht kujdesen për shëndetin e të burgosurve, në rast se konstatohet se të burgosurit duhet ti jepet trajtim tjetër mjekësor nga ajo që ofron ambulanca e burgut, atëherë me udhëzim i njëjti dërgohet nëpër qendrat spitalore të vendit”, deklaroi për gazetën KOHA, Femi Jonuzi, zëvendësdrejtor i burgut të Idrizovës.
Duke folur për biznesin me drogë dhe telefonat celularë në burg, ai thotë se ka raste të tilla, por edhe raste ku është intervenuar. “Ka pasur raste kur të punësuar në burgun e Idrizovës janë sanksionuar për shkak të biznesit me drogë dhe telefona celular. Pasi është konstatuar përgjegjësia e tyre, ata edhe janë larguar nga puna. Po punohet që kjo dukuri të eliminohet. Në disa raste janë shqiptuar sanksione dhe në vazhdimësi me kujdesin më të madh po ndiqet situata. Po ashtu, ka raste kur të burgosurit kthehen nga vikendi dhe mundohen që të fusin sende të ndaluara, por policia e burgut në të shumtën e rasteve i gjen, po ka raste edhe kur diçka nuk arrijnë të zbulojnë. Edhe gjatë vizitave familjare mund të ndodhë që të futet ndonjë gjësend në burg. Që ky problem është evident, nuk mund ta mohojmë as ne, pasi disa nga të burgosurit shfrytëzojnë edhe rrjetet sociale nga celularët e tyre”, sqaron Jonuzi.
Një fakt tjetër tronditës është se nëpër burgje ka mungesë të kuadrit, kështu që një roje kujdeset për 80 të burgosur, të cilët punojnë edhe jashtë orarit të punës ndërsa orët shtesë të punës nuk ju paguhen. “Kemi mungesë të kuadrit. Mbi 15 persona kanë shkuar në pension. Presim të shpallim konkurs për punësime të reja. Fatkeqësisht këto janë mundësitë. Ne dhe të punësuarit tonë bëjmë më të mirën sipas mundësive tona”, deklaroi zëvendësdrejtori i Idrizovës, Jonuzi.
Ndërkohë me hyrjen në fuqi të Ligjit për amnisti, vitin e kaluar me automatizëm nga burgje e Maqedonisë u liruan mbi 700 të burgosur, të cilin ishin të dënuar me heqje liri deri në 6 muaj. Përderisa dënimi prej 30 për qind ju zvogëlua rreth 3 mijë të burgosurve tjerë. Në bazë të të dhënave zyrtare – burgjet në Maqedoni kanë kapacitet për pranimin e 2026 të burgosurve. (koha.mk)