Nga prokurore provinciale, kryeprokurore speciale e shtetit! Ja kush ishte Katica Janeva

Nga prokurore në gjykatën e Gjevgjelisë, përmes Marrëveshjes së Përzhinës dhe mbështetjes së pakushtëzuar nga katër partitë – LSDM, VMRO-DPMNE, BDI dhe PDSH, por edhe me ndihmën e faktorit ndërkombëtar, Katica Janeva u bë shefe e Prokurorisë Publike Speciale. Ky ishte një institucion i cili, aso kohe si asnjë institucion tjetër gëzonte besimin e qytetarëve – se do të luftojë kundër krimit, do t’i ndjekë kriminelët dhe se më në fund drejtësia do të vijë në Maqedoni.

Bisedat e përgjuara në mënyrë të paligjshme, ishin subjekt i një hetimi, përmes të ashtuquajturave “bombat” e opozitares së atëhershme, LSDM-së, në të cilin ishte përfshirë pothuajse i gjithë kreu i partisë e cila në atë moment ishte në pushtet dhe i udhëhequr nga kryeministri Nikolla Gruevski. U hapën lëndët dhe a ishte rastësi apo jo, pothuajse të gjitha fillonin me shkronjën T – Trust, Target, Tortura, Titanik 1, 2, 3, Talir, T.N.T., Transporter etj., por këtu ishte edhe “Perandoria” e cila e vuri në dyshim kredibilitetin e këtij institucioni, por edhe besueshmërinë tek Katica Janevës.

Pasi, gazetari italian i “La Veritas” i publikoi materialet për marrjen e ryshfetit që afaristi Kamçev të lirohet nga aktakuza dhe paraburgimi, gjithçka filloi të shkojë keq. Hetimi, të cilin e nisi prokurorja Ruskoska, hapi kapitull të ri në rastin me sundimin e së drejtës. Doli afera “Reket”, në të cilën të dyshuarit e parë janë kinse pronari i 1TV Bojan Jovanovski dhe afaristi Zoran Mileski-Kiçeec, i cili është bashkëpunëtor i afërt i Kamçevit dhe i ish-shefit të DSK-së, Mijalkov. Pas tyre, vetëm disa ditë më vonë në paraburgim shkoi edhe kryeprokurorja Janeva, kurse ditën e njëjtë ndërroi jetë nëna e saj.

Vetëm një ditë para skadimit ligjor të mandatit të saj, kuvendi miratoi propozimin për shkarkimin e saj. Kishte shumë anekdota dhe deklarata, por vetëm kjo u bë hit në Jutjub, të paktën kështu flasin shikimet e deritanishme. (TV21)