Kuptimin e plotë të fjalës izolim vendi ynë e ka ndjerë në lëkur në vitin 1971 gjatë epidemisë së Variola Verës, ku autoritetet e atëhershme kishin urdhëruar kufizimin e lirisë së lëvizjes së qytetarëve, masa urgjente, vaksinim të detyruar të popullatës
Hekuran Jashari
Shkup, 1 prill – Viti 2020 shënon një pandemi globale e quajtur virusi Korona që gjenezën e ka nga rajoni Vuhanit në Kinë. Sot thuajse nuk ka shtet në botë që nuk është prekur dhe nuk po i ndien pasojat e kësaj pandemie, përfshi edhe shtetin tonë, duke shkaktuar një çrregullim total të jetës së njerëzve, shkruan gazeta KOHA.
Historianët kanë bërë një vështrim kronologjik të pandemive që kanë ekzistuar përgjatë historisë së njerëzimit, duke klasifikuar disa më të rrezikshmit: Murtaja e Justinianit, Vdekja e zezë, Murtaja e madhe e Londrës, Variola, Kolera. Si pasojë e viruseve Vdekja e zezë shënon rekord të viktimave deri në 200 milionë veta, e cila ishte shpërndarë në Evropë gjatë shekullit 13.
Paraqitja e epidemive kishte promovuar edhe terminologji përkatëse që lidhej me rrethanat e sëmundjeve të ndryshme ngjitëse. Kështu edhe fjala karantinë brumin e ka nga një epidemi më e hershme që kishte prekur Evropën në shekullin 14, ku në atë rast anijet të cilat vinin nga vendet e tjera të infektuara detyroheshin të qëndronin 40 ditë të lidhur për spirancë, në portin e Venecias. Këtë ata e quanin “quaranta giorni “ që në shqip i bie 40 ditë. Gjenerata e reja përmes historisë gojore shpesh kanë rastisur të dëgjojnë për rrëfimet e më vjetërve, për sëmundjet edhe epidemitë që ka përjetuar popullata e kësaj ane.
Në vitin 1961, një fruth ishte përhapur në rajonin e Kumanovës ku kishte lënë pasoja fatale me 207 viktima, prej tyre 55 fëmijë. Sëmundja më tepër kishte prekur familjet e varfra në zonat rurale, të cilët nuk kishin njohuri si të mbroheshin dhe mos ta përhapnin atë. Nëse shikojmë historikun e epidemive në vendin tonë sëmundja e cila ishte përhapur thuajse në të gjithë territorin e Jugosllavisë së atëhershme, del të jetë ajo e viti 1972. Ibrahim Hoti nga Kosova gjatë kthimit nga pelegrinazhi nga Meka, kishte sjellur me vete edhe virusin Variola Vera, që në atë kohë ishte i përhapur në gadishullin arabik. Kjo sëmundje ishte përhapur në gjithë territorin e Jugosllavisë dhe kishte shkaktuar 184 të infektuar dhe 40 të vdekur. Kuptimin e plotë të fjalës izolim vendi ynë e ka ndjerë në lëkur po atë vit, ku autoritetet e atëhershme jugosllave kishin urdhëruar kufizimin e lirisë së lëvizjes së qytetarëve, masa urgjente, vaksinim të detyruar të popullatës.
Popullatës i kishte hyrë frika në palcë. Simptomat e saj ishin të frikshme për një qenie njerëzore kurse sëmundja manifestohej me puçrra nëpër fytyrë dhe trup. Shikuar historikisht viruset gjithmonë janë shpërndarë pa dallim përcaktimi gjeografik, etik apo fetar dhe besohet se gjithmonë do ta shoqërojnë njerëzimin. Neve na mbetet se si të zhvillojmë masa me çka do ta tejkalojmë në mënyrë sa më të lehtë. (koha.mk)