Omer XHAFERI
Shkup, 7 janar – Kërkesat e mëhershme të qytetarëve për ndërrimin e orarit të punës në Maqedoni, nga ora 7 deri në ora 15, përsëri janë aktualizuar, shkruan gazeta KOHA. Kësaj radhe kjo iniciativë është ndërmarr nga një grup qytetaresh, të cilët nëpërmjet ueb faqes (change.org), kanë hapur një peticion on-line, duke arritur t’i mbledhin 2500 nënshkrime. Në bazë të të dhënave që janë publike në këtë adresë elektronike, organizatorët shprehen se pas përfundimit të peticionit, nënshkrimet e tubuara do t’i dorëzohen Qeverisë së Maqedonisë, Ministrisë së Punë dhe Politikës Sociale, si dhe sindikatave të ndryshme nga sektori publik dhe ai privat.
”Nevojitet zbatimi i këtij orari të punës për më shumë arsye, duke filluar nga përkushtimi më i madha ndaj punës, se trupi dhe vetë psika e njeriut janë më efikase gjatë orëve të para të mëngjesit. Po ashtu, me vendosjen e këtij orari nënkuptohet kursimi më i madh i energjisë elektrike (në verë për ftohje, ndërsa në dimër për ngrohje). Me futjen në funksion të këtij orari të punës, punëtorëve do t’u mundësohet përkushtim më lartë ndaj familjes, në veçanti kur bëhet fjalë për rolin dhe përgjegjësin në edukimin e mirëfilltë të fëmijëve. Përparësi tjetër që e mundëson ky orar pune janë aktivitet fakultative, nëpërmjet të cilëve do të përmirësohet shëndeti i përgjithshëm i të punësuarve, gjegjësisht organizimi më i mirë i kohës gjatë orarit të punës”, thuhet në peticionin e iniciuar nga qytetar në formën on-line. Për ndryshim të orari të punës në dhjetor të viti të kaluar, u shprehën edhe nga Sindikata e administratës gjyqësor. Sipas tyre, orari i punës që për momentin është duke u praktikuar në sistemin gjyqësor dhe më gjerë aspak nuk është produktiv. Deri te ky konstatim drejtuesit e kësaj sindikata kanë ardhur nga realizimi i anketës së brendshme, e cila ka përfshirë 75 për qind të të anketuarave.
Në ndërkohë, e drejta për shfrytëzim të orarit fleksibil të punës, siç thonë nga Instituti për hulumtime politike dhe ekonomik “Fajnans tink”, do të kishte mundësuar balancim të interesave të ndryshme mes punëtorit dhe punëdhënësit. Duke folur për këtë problematikë, ata nënvizojnë se qëllimi është vendosja e theksit mbi rëndësinë e fleksibilitetit në tregun e punës, respektivisht adaptimin e orëve të punës me orarin e punës. Thënë ndryshe, mendim i këtij instituti është se orari fleksibil i punës duhet të zbatohet si neni i ri në Ligjin për marrëdhënie pune(LMP), në të cilin do të definohet e drejta e punëtorit për ta përshtatur ardhjen edhe largimin nga puna në bazë ditore, por duke u e obliguar që 40 brenda javës duhet plotësuar komfor neni 116 nga LMP. Lidhur me çështjen e orarit fleksibil të punës përmes një publikimi “Balancimi i nevojave të punëtorëve me kërkesat në vendin e punës” janë shprehur edhe nga Organizata ndërkombëtare e punës. Nëpërmjet kësaj analize, drejtuesit e kësaj organizate kanë konstatuar se orari jo fleksibil i punës dhe kufizimi i kujdesit ndaj fëmijëve çojnë në drejtim të përforcimit të ndarjes tradicionale të punës në familje, ndërsa nëse ekziston orar i përshtatshëm i punës do t’u kishte mundësuar punëtorëve të arrin një baraspeshë mes punës dhe jetës private.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.