Bujar KURTAJ
Shkup, 19 tetor – Konsiderohej si një talent i madh i futbollit, por lëndimi i rëndë që e pësoi në moshën 18-vjeçare, bëri që të ndërpresë karrierën shumë herët. Por kjo nuk e demoralizoi shumë përkundër faktit se ëndrra e tij për tu bërë futbollist u shua para kohe. Mblodhi forcë dhe vazhdoi shkollimin dhe falë përkushtimit të madh i ka mbetur vetëm mbrojtja e temës së diplomës në Fakultetin e Kulturës Fizike pranë Universitetit të Tetovës. Derisa, paralelisht kësaj, ai është edhe trajner i licencuar i qendrës së fitnesit dhe bodybildingut “ShkupiGYM” në Shkup. Fjala është për Muarem Abdullain, nga Shkupi, i cili në intervistën për gazetën KOHA, rrëfen jetën si futbollist, periudhën e studimeve dhe qendrës së fitnessit dhe bodibildingut “ShkupiGYM”.
KOHA: Si shumica e të rinjve edhe ti zgjodhe të merresh me sportin, respektivisht me futbollin. Çka të shtyri që të merresh me këtë sport dhe a i kujton hapat e parë?
ABDULLAI: Futbolli është një prej sporteve më të dashura në botë dhe që padyshim ngjall interesim dhe kureshtjen e të gjithë fëmijëve. Edhe unë si fëmijë çdoherë kam qenë i pasionuar pas futbollit. Fillova të luaj që nga mosha tetë vjeçare fillimisht në ekipin e fatosave në KF ‘Skupi” ku udhëhiqej nga trajneri Bedri Saliu. Në këtë klub si fëmijë i bëra hapat e para në sportin e futbollit, ndërsa në moshën 10- vjeçare fillova ti luaj ndeshjet e para zyrtare, ku dy vite me radhë ishim kampion në Ligën e fëmijëve. Vlen të theksoj se në moshën 12-vjeçare ishim pjesëmarrës në turnirin ndërkombëtar ku edhe atje sukseset nuk munguan, pasi arritëm që ta marrim vendin e trete në një turnir ku ishin pjesëmarrës ekipe dhe futbollist nga vende të ndryshme, ku për neve si fëmijë ishte një eksperiencë e mirë.
KOHA: E ke filluar te “Skupi” dhe më pas kalove tek KF Slloga Jugomagnat (tani FC Shkupi).
ABDULLAI: Çdo dit që kalonte aq më shumë dashuria dhe pasioni për këtë sport rritej. Kjo ishte edhe arsyeja që fillova ti përkushtohem në mënyrë profesionale këtij sporti dhe vendosa në moshën 12- vjeçare të luaj për KF Slloga J. tani FC Shkupi. Në këtë klub i kalova të gjitha kategoritë duke filluar si pionier ,kadet , junior, derisa jam stërvitur me trajner të ndryshëm si Jeton Musliu, Sami Ganiu, Halim Bilalli dhe Meriton Berisha, të cilët ishin trajnerë të akademisë së KF Slloga
KOHA: Mirëpo, për fat të keq karriera jote nuk zgjati shumë, pasi në moshën 18-vjeçare për shkak të një lëndimi vendose ta lësh futbollin.
ABDULLAI: Sapo fillova të formohem si futbollist profesionist dhe isha shumë i lumtur që sezonin e ardhshëm do të luaja ne ekipin e seniorëve, ishte ndeshja e fundit e imja si junior dhe luanin kundër ekipit të Milanos nga Kumanova. Ndeshja u zhvillua në një stadium jo të përshtatshëm me shumë gropa dhe sapo kishte filluar ndeshja dy futbollistët të Milanos bënë ndërhyrje të rëndë ndaj meje. Menjëherë më dërguan në spital, ndërsa aty më konfirmuan më të keqen,më thanë se kam këputur ligamentin e kryqëzuar në gjurin e majtë. Duhej patjetër të operohem për tu rikthyer sërish në fushë, por rehabilitimi i plotë zgjati plot shtatë muaj. Pas shumë terapive dhe vështirësive fillova me stërvitje , ndërsa për t’u rikthyer në formën e duhur u huazova te KF ‘Saraj’ qe aso kohe garonte në Ligen e tretë të Maqedonisë. Në këtë klub luajta një sezon dhe gjatë kësaj periudhe hasa në mikpritje të mirë duke filluar nga kryesia, stafi teknik e deri te publiku, andaj shfrytëzoj rastin ti falënderoj për këtë. Por, derisa po luaja vëreja se nuk e kisha shkëlqimin e dikurshëm në fushë dhe me shumë dhimbje duke e privuar veten nga ëndrra fëmijërore, vendosa që ti jap fund karrierës futbollistike, një vendim shumë i vështirë për mua.
KOHA: Pasi i dha fund karrierës futbollistike, iu përkushtove shkollimit?
ABDULLAI: Sa për informim, pas lëndimit dhe pas rikthimit tim, unë isha edhe student në vitin e parë në Fakultetin e Kulturës Fizike në Tetovë. E kisha të vështirë që pas rikthimit nga lëndimi paralelisht të ndjek shkollimin dhe të merrem me futboll pasi me duhej ta udhëtoja çdo dit relacionin Shkup-Tetovë dhe nuk arrija ti arrij në ligjërata. Si rezultat i kësaj u orientova kah shkollimi duke u përkushtuar në maksimum studimeve dhe deri sot nuk jam penduar për këtë zgjedhje, pasi për mua gjithmonë ka qene shkollimi çelësi për tu formuar si individ dhe njeri me vlera.
KOHA: Kur jemi te shkollimi, deri ku ke arritur me studimet dhe cila është dega të cilën po e studion?
ABDULLAI: Jam në përfundim, më ka mbetur vetëm mbrojta e temës së diplomës në Fakultetin e Kulturës Fizike pranë Universitetit të Tetovës dhe në fillim të vitit 2018 shpresoj të marr titullin ‘Profesor i Edukimit Fizik dhe Shëndetësor’ dhe menjëherë pa humbur kohë ti vazhdojë studimet postdiplomike.
KOHA: Si rezultat i kësaj, një periudhë ke qenë edhe praktikant si mësimdhënës në lëndën e arsimit fizik dhe shëndetësor në sh.f. “Hasan Prishtina”. Cilat janë përshtypjet tuaja nga kjo periudhë dhe a e sheh veten në të ardhmen si mësimdhënës në ndonjërën nga shkollat tona në Shkup.
ABDULLAI: Kjo eksperiencë për mua ishte mbresëlënëse në të gjitha aspektet si dhe shumë e veçantë,pasi për herë të parë para nxënësve u mundova që dijen time me shumë përgjegjësi t’ua transmetojë atyre. Dua të përmend se nga disiplina e nxënësve kam mbetur i habitur si dhe nga respekti ndaj Arsimtarit që kanë dhe mendoj që një ndër arsyet se pse ndodh kjo, është lënda e Arsimit Fizik dhe Shëndetësor ku nxënësit i liron nga qëndrimi disa orësh ulur nëpër banka dhe i argëton dhe i relakson.
KOHA: Muamer, fakt është se opinioni sportdashës më shumë ju njeh nga qendra e fitnesit dhe bodybildingut “ShkupiGYM”. A mund të na tregoni se kur u themelua kjo qendër, cilat janë aktivitetet e kësaj qendre dhe cili është roli juaj?
ABDULLAI: Po kjo është e vërtet dhe jam krenar që gati u bënë tre vite që po mundohem dhe do të vazhdoj të jap kontribut në afirmimin dhe edukimin e këtij sporti tek popullata jonë. ‘ShkupiGYM’ është themeluar në vitin 2015 dhe është ndërtuar duke i plotësuar të gjitha standardet duke filluar nga posedimi për aktvendimin e kryerjes së veprimtarisë sport Bodybuilding dhe Fitness nga Agjencia për Rini dhe Sport. Më pas klubi ka participuar dhe është bërë anëtare në BBFM (Federatës së Fitnessit dhe Bodybuildingut të Maqedonisë ) që përveç veprimtarisë rekreative, të japim ndikim klubit edhe rreth karakterit garues, pra të marrim pjesë me kandidatët tonë nëpër garat shtetërore të Fitnessit. Gjithashtu në mbledhjen e par që u mbajt para themelimit të klubit, u vendos nga stafi i ‘ShkupiGYM’ dhe partnerëve tonë që gjenden në Zvicër, që unë të jem Drejtor apo menaxher kryesor i kësaj qendre sportive. Pasi veç i përmenda edhe partnerët tonë në Zvicër, shfrytëzoj rastin ti falënderoj kryefamiljarin Sherafedin Hirda dhe djemtë e tij Zekirija dhe Iljasa Hirda për ndihmën e vazhdueshme që i japin klubit ‘ShkupiGYM’ .
KOHA: Përmendët se jeni drejtor dhe menaxher kryesor i qendrës sportive, ndërsa gjithashtu jeni edhe trajner. Sigurisht se për këtë nevojiten edhe licenca. I posedon këto Muamer Abdullai?
ABDULLAI: Me kërkesë nga IFBB (Federatës Ndërkombëtare të Bodybuildingut dhe Fitnessit ) dhe me përkrahjen e Agjencisë Për Rini dhe Sport, në fillim të vitit 2017 BBFFM-ja (Federata e Bodybuildingut dhe Fitnessit të Maqedonisë ) me qëllim që të vëndoset rregull dhe të ketë selektim më cilësor të trajnerëve të fitnesit dhe të njëjtit të pajisen me licenca, për herë të parë organizoi trajnim disa muaj në hapësirat e Fakultetit të Kulturës Fizike ku ligjërues ishin Profesor të Fakultetit Kulturës Fizike, me një fjalë njerëz të kualifikuar nga fusha e Mjekësisë Sportive dhe anëtarë të kryesisë se BBFFM-së . Në fund të gjithë kandidatët ju nënshtruam provimeve teorike dhe praktike dhe pasi u vlerësuam për njohurit që i posedojmë, u pajisëm edhe me licenca për punë, ku në promovimin e gjeneratës së parë të trajnerëve të licencuar të Maqedonisë, në mesin e gjithë kandidatëve unë isha i vetmi shqiptar dhe më i ri në moshë.
KOHA: Meqenëse jeni edhe trajner. A mund të na tregoni cila dobitë i sjell fitnessi apo bodibildingu?
ABDULLAI: Nëse filloni ta praktikoni sportin e fitnessit do keni dobi të shumta. Përveç që do të ndiheni më të lirë dhe më me energji, do t’ju mundësojë edhe që të largoheni nga streset dhe nga përditshmëria me shumë obligime. Gjithashtu stërvitja nëpër fitness qendra padyshim ka efekte pozitive në zhvillimin individual të dimensioneve motorike, por gjithashtu edhe në ndryshimin morfologjik të ushtruesit.
KOHA: Kur jemi te garat, në prill të vitit 2017 për herë të parë morët pjesë në një kampionat. Si ishte paraqitja e parë të klubit të fituesit “ShkupiGYM” dhe a do të merrni përsëri pjesë në gara?
ABDULLAI: Në prill të viti 2017 për herë të parë morëm pjesë në garat shtetërore ‘Kupa e Maqedonisë’ ku u përfaqësuam me dy garues, Bujar Ibraimi dhe Artan Sejdiu. Garuam në mënyrë dinjitoze me 36- klube që janë të kyçur në sistemin e garave të fitnessit dhe Bodybuildingut të Maqedonisë, ku kandidati jone Bujar Ibrahimi u shpall nënkampion në disiplinën ‘Men’s Physique Junior’ deri në moshën 23 vjeçare. Ky rezultat na frymëzoi që të kemi edhe ecuri të mëtutjeshme të pikësynimeve tona, që nënkupton se përsëri nëpër garat e ardhshme do paraqitemi me garuesit tonë me të vetmin qëllim që ta promovojmë në mënyrën më të mirë këtë sport dhe këtë klub apo qendër.
KOHA: Kush ka qenë mbështetësi juaj më i madh që keni arritur deri këtu?
ABDULLAI: Fillimisht i falënderohem Zotit për shëndetin dhe mundësin që të arrij deri këtu, pastaj fat i madh për mua është se kam një familje vërtetë të mrekullueshme, të cilët pavarësisht sfidave, çdoherë më kanë përkrahur në çdo rrugëtim që kam nisur. Unë nuk do të ndalem këtu, do të vazhdoj me këtë temp që të arsyetoj besimin dhe mbështetjen që ma kanë dhënë dhe njëkohësisht të bëj që të ndjehen krenar me mua.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.