Në fushat e futbollit, ai i kënaqi tifozët në të gjithë Evropën, duke u bërë një nga më të suksesshmit në historinë e këtij sporti. Katër Champions me tri ekipe të ndryshme janë “qershia mbi tortë” për holandezin e mirënjohur. Sidoqoftë, Clarence Seedorf është më shumë sesa një ish-futbollist.
Një përzierje kulturash dhe përvojash heterogjene të mbyllura në një frymë të lindur si udhëheqës. Një mendje e shkëlqyer, e aftë të zgjerojë horizontet e veta edhe jashtë futbollit, duke prekur sektorë krejtësisht të ndryshëm. Pak njerëz e dinë që ish-mesfushori i Milanit është pronari i restorantit “Finger” në Milano.
Gjithashtu, ishte president i një ekipi motorësh, “Valsir Seedorf Racing World”, që pas themelimit më 2003 mori pjesë në kampionatin e 125 kubikëshve. Tek ai spikat pasioni për motorët, komunikimin dhe informacionin. Seedorf drejtoi edhe revistën “Sport Auto Moto”, e cila më vonë u shit. Pasioni për gazetarinë bëri që të punësohej edhe nga “New York Times” në vitin 2009.
Për gazetën amerikane, ish-mesfushori i Holandës redaktoi një kolonë, në të cilën iu përgjigjej pyetjeve të lexuesve. Ajo rubrikë titullohej: “Seedorf përgjigjet”. Ishte një dritare futbolli, që lindi nga takimi i rastësishëm me Geoffrey Marcus, redaktori prestigjioz i gazetës amerikane. Kampion në fushë, por edhe në studim. Seedorf flet rrjedhshëm gjashtë gjuhë: holandisht, anglisht, italisht, portugeze, spanjisht dhe surinameze. Kjo e fundit është gjuha e vendit të tij të origjinës.
Pakkush e di gjithashtu se emri “Seedorf” ka origjinë gjermane, sepse gjyshi i ish-lojtarit ishte djali i një skllavi dhe u birësua nga zotëria gjerman, nga i cili mori mbiemrin e tij. Një familje e rritur me bukë dhe futboll, me babanë e tij si prokurator dhe tre vëllezër që luanin futboll, dy prej të cilëve u transferuan në Monza, në vitin 2009, pikërisht kur Clarence ishte në krye të kompanisë së menaxhimit. Më pas ajo iu shit biznesmenit brazilian Anthony Armstrong Emery, pas problemeve serioze financiare. Një mendjeje të veçantë, por edhe një ndjenje të fortë njerëzore; midis një kampioni dhe një njeriu me zemër të madhe, Seedorf themeloi “Kampionët për Fëmijët”, një shoqatë që synon promovimin e arsimit përmes sportit në zonat e botës, ku fëmijët jetojnë në vështirësi, duke filluar që nga Surinami i tij.
Një seri iniciativash të rëndësishme, që i dhanë atij nominimin si “Ambasador Global i Diversitetit dhe Ndryshimit UEFA” në dhjetor 2014. Një “vullkan” me ide, projekte, studime dhe nisma biznesi për një njeri që erdhi nga larg, nga një vend shumë i vogël në Amerikën e Jugut, me ambicien për të shkëlqyer. Zonja dhe zotërinj, ky është “profesori” Clarence Seedorf.