NGA MIQ, NË ARMIQ! Përplasjet VMRO-Arsovska

Përplasjet politike mes kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së e “bllokuan” buxhetin. Pasojat i vuajnë banorët e Shkupit për shkak të rrugëve të dëmtuara me trafik të vështirë dhe transportit të parregullt publik. Analisti politik, Agim Jonuz, thotë se kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, ka bërë matematikë të gabuar nëse ka menduar se është kandidate e pavarur

Xhenur ISENI

Shkup, 24 nëntor – Një grua që vjen nga biznesi me një të kaluar të suksesshme, e cila si menaxhere e suksesshme do të zgjidhë problemet dhe që qytetin e Shkupit do ta shohë si shtëpinë e saj. Me këto fjalë lideri i opozitës Hristijan Mickoski e kishte cilësuar kryetaren e Qytetit të Shkupit Danella Arsovska gjatë fushatës zgjedhore. Një vit më pas, Arsovska ankohet se pikërisht partia që e mbështeti gjatë zgjedhjeve të kaluara lokale, me bllokimin e buxhetit të qytetit, po bllokon financimin e klubit futbollistik Vardar, subvencionet për shkupjanët dhe ndërtimin e rrugëve të reja. Ajo kërkoi të mbahet mbledhje urgjente e Këshillit të Qytetit të Shkupit për shkak të bllokadës së buxhetit me amendamentet joprofesionale të VMRO-DPMNE-së.

Advertisements

SI ERDHI DERI TE BLLOKADA

Sherri në koalicionin informal nuk ka lindur për arsye ideologjike, por për një tender në vlerë prej 136 milionë euro. Problemi u bë publik me shkarkimin e drejtorit të ndërmarrjes publike “Ujësjellësi”, Zlatko Pirinski për shkak të tenderit për ndërtimin e një impianti për pastrim. Pas kësaj, pasuan një sërë shkarkimesh dhe dorëheqjesh të drejtorëve që vinin nga radhët e opozitës VMRO-DPMNE, për të cilët Arsovska nga foltorja në Këshillin e Qytetit të Shkupit akuzoi se i “kapi në flagrancë”. Nuk është kursyer as Mickoski, për të cilin Arsovska thotë se “kryetari i mprehtë nuk mund të dalë nga matrica e tenderit”. Epiteti “i mprehtë” lindi nga zgjedhjet parlamentare në të cilat lideri i VMRO DPMNE-së e quajti veten kandidat i mprehtë për kryeministër pa u futur në listat zgjedhore.

Mickoski shkurtimisht konfirmoi se është shpallur luftë mes VMRO DPMNE-së dhe kryetares Arsovska, por ai dhe anëtarët e partisë së tij janë publikisht të përmbajtur rreth mosmarrëveshjes. “Këshillë falas për zonjën Danella Arsovska që t’i përmbahet atyre parimeve që i kam mësuar gjatë fushatës dhe në atë periudhë, të jesh zonjë, të jesh nënë, të jesh bashkëshorte, të jetë e përkushtuar në punë. Ajo që po shohim tani është e kundërta e kësaj”, tha ai në një intervistë për mediat maqedonase. Mosmarrëveshja për tenderin nxori në sipërfaqe shumë të tjera “rroba të pista”, të cilat janë zvarritur pas pothuajse çdo pushteti të qytetit – punësime të tepruara dhe partiake, kontrata dhe tenderë të dyshimtë, marrëveshje biznesi, etj.

Analisti politik, Agim Jonuz thotë se kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska ka bërë matematikë të gabuar nëse ka menduar se është kandidate e pavarur. Ai thotë se në të ardhmen nëse vjen në pushtet VMRO-DPMNE, Arsovska do të pendohej se pse ka kandiduar për të qenë e para e Qytetit të Shkupit. “Arsovska ka bërë matematikë të gabuar që nga fillimi duke menduar do të jetë kandidate e pavarur dhe do të bëj ndonjë situatë ndryshe spektakolare në qytet, megjithatë atë që e shfrytëzoi si mbështetje nga VMRO-DPMNE, nuk ishte e vetëdijshme se për këtë një ditë do të duhej të paguante tatim. Sepse nuk ekziston parti e madhe që nuk kërkon ndonjë hesap në fund. Mendoj se nuk do të jetë shumë gjatë kur dikush do i kurdis diçka Arsovskës sepse e gjithë infrastruktura është partiake. Mendoj se VMRO nëse vjen në pushtet në ndonjë palë zgjedhje, do ti bënte një kurth të tmerrshëm ku do të pendohej se pse është kandiduar”, ka deklaruar për KOHA, Agim Jonuz, analist.

QEVERIA KËRCËNON SE DO I MERR KOMPETENCAT ARSOVSKËS

Nga ana tjetër Qeveria ka kërcënuar me marrjen e ingerencave të kryetares, sepse është, frenuese e projekteve. Në kumtesën e fundit të qytetit, Ministria për vetëqeverisje lokale dhe ajo e Kulturës gjatë periudhës së ardhshme do të kërkojnë zgjidhje të përbashkët për rikonstruimin e Sallës Universale. Nga ana tjetër, qeveria njoftoi se rikonstruksioni i Sallës Universale i është dorëzuar Ministrisë së Kulturës. Tashmë Qeveria është duke e shqyrtuar mundësinë që të marrë përsipër realizimin e projekteve tjera të mëdha të cilat i ka nisur Qyteti i Shkupit. “Unë jam duke punuar me ekipin qeveritar për të parë mundësitë për të ndërmarrë disa nga projektet në qytetin e Shkupit dhe për t’i bërë për hir të banorëve të Shkupit, jo për hir të politikës”, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Nga ura e “peshkimit” në bulevardin ASNOM, nëpër Sallën Universale, deri te ndërtimi i termocentralit për pastrimin e ujërave të zeza për Shkupin, shkupjanët dëgjuan premtime dhe përplasje, por nuk panë realizimin e projekteve të mëdha në qytetin e tyre. Këto janë vetëm disa nga projektet që kanë ngecur në qendër të qytetit këtë vit. Arsovski iu kundërpërgjigj kërcënimeve të Qeverisë, përkatësisht kryeministrit Kovaçevski. “Kush do të ia merr ingerencat për ndërtimin e autostradës drejt Kriva Pallankës, kush do të ia merr ingerencat për moszbatimin e masave antikrizë që duheshin të prevenojnë çmimet e larta në Maqedoni?”, pyeti ajo.

LLOGARI PËR VITIN E PARË TË MANDATIT NUK KA

Llogaridhënie për vitin e parë të mandatit si kryetare e Qytetit, siç kërkon opozita, Arsovska nuk dha. Përplasjet partiake mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së çdo ditë po rriten me akuza se kush po pengon zhvillimin e qytetit dhe projektet e parapara në programet politike të këshilltarëve. Të dhënat e fundit të publikuara tregojnë se vitin e kaluar janë anuluar 30 tenderë në qytetin e Shkupit. (koha.mk)