Te Juventusi, festa e Krishtlindjeve ka përkuar edhe me ditën e parë të analizës së kësaj pjese të parë të sezonit, ajo e të bërit me një mendje të ftohtë dhe të kthjellët, duke qenë se të gjithë pjesëtarët e klubit bardhezi kanë në dispozicion disa ditë pushimi.
Nga drejtuesit e Juventusit, e deri te dhomat e zhveshjes arsyetohet mbi situatën, madje edhe me atë nervin pozitiv që mund të të provokojë një humbje, e cila të ka kthjelluar edhe më tej horizontin e gjysmës së parë të vitit futbollistik. Vërtet shifrat në dukje mund të jenë pozitive: 18 fitore, 4 barazime dhe 2 humbje, të cilat janë pasqyrë e vendit të parë në Serinë A (me pikë të barabarta me Interin), të një grupi në Ligën e Kampioneve të dominuar nga ndeshja e parë e deri në të fundit pa e njohur kurrë shijen e humbjes, por në të njëjtën kohë me trofeun e parë që panë të sfumojë përballë një kundërshtari si Lacio, që i kishte paralajmëruar paraprakisht edhe në kampionat.
Thënë këtë, Mauricio Sarri, trajneri dhe përgjegjësi kryesor për skuadrën, e tha hapur se nuk është nga ata që justifikohet duke e fshehur pluhurin e paraqitjeve, poshtë tapetit në pamje të bukur të rezultateve. Sepse fakt është që Juventusi ka probleme dhe ato duhen zgjidhur.
Edhe pjesa e lojtarëve është e ndërgjegjshme për këtë, ndërsa drejtuesit janë gjithmonë shumë vigjilentë dhe të hapur për diskutime, por kurrsesi në ankth. Gjithsesi, deri në datën 30 dhjetor, kur “Zonja e Vjetër” të ribashkohet në “Kontinaza”, të gjithë do të vijnë më të kthjellët dhe më shumë sesa zbritja në fushë, pritet një analizë e thellë sy më sy si grup, pasi gjërat që duhen zgjidhur dhe kolauduar janë të qarta në dukje, siç nënvizohen më poshtë.
SHUMË GOLA TË PËSUAR
Kjo është shifra që vret më shumë syrin se çdo gjë tjetër. Për të gjetur një Juventus që pëson 1 gol mesatarisht për ndeshje (24 gola në 24 takime), duhet të kthehemi shumë vite prapa, konkretisht në sezonin shkatërrimtar të Luixhi Del Nerit në pankinë (2010-2011). Juventusi ka një problem defensiv të koklavitur, i pranuar edhe nga Bonuçi, i cili më shumë sesa në lidhje me idetë e Sarrit, është i bindur se gabimet e deritanishme kanë qenë “individuale”.
Trajneri bardhezi gjithashtu e ka nënvizuar edhe në sfidat që ka dalë pa pësuar, sepse sheh “shumë lojtarë që qëndrojnë pasivë në zonën e rreptësisë”, një përshkrim më shumë sesa i saktë duke sjellë në mendje golat e pësuar në Riad, me rastin e Superkupës së Italisë, kundër Lacios.
Revolucioni “sarrian” me mbrojtjen e tij shumë të lartë vetvetiu të shtyn që rreziqet për të pësuar janë më të larta, duke qenë se teorikisht sa më shumë sulmon, aq më shumë hapësira lë prapa. Dhe ndoshta kjo ide e re loje kërkon më shumë kohë për t’u asimiluar nga i gjithë grupi.
Disa prej gabimeve të cilat i referohet kapiteni dhe trajneri juventin janë të lidhura, për shembull me mungesën e sinkronizimit, apo të ndonjë alibie për t’i aplikuar. Po për t’i bërë të gjitha këto një veshje strikte pas trupit të lojtarëve aktualë bardhezinj, nevojitet jo vetëm shumë punë në fushë, por mbi të gjitha duket sikur Juventusit sivjet po i mungon ai shpirti i skuadrës që për 8 vite me radhë ka ndërtuar pasurinë e trofeve të marrë gjatë këtij cikli diktatorial në Itali.
Shkurt dhe thjeshtë, për të zbatuar skemën e Sarrit të gjithë duhet të ndihmojnë në të bërin presing në të gjithë fushën, përndryshe mbrojtja rrezikon që të ekspozohet shumë. Dhe për të vrapuar në çdo cep të fushës nuk duhen stërvitje specifike, por mbi të gjitha shpirti i duhur luftarak, ai që është i mishëruar te Xhorxho Kielini, një mungesë që është pak ta quash jetike në repartin e prapavijës. Dhe ajo që e fakton rëndësinë e kapitenit janë pa dyshim shifrat katastrofike të mbrojtjes, në këtë pjesë të parë të sezonit.
MESFUSHË E VARFËR
Nëse përjashtohet maturimi në çdo aspekt i Rodrigo Bentankurit, mesfusha e Juventusit është e njëjta e sezonit të kaluar, kur gjithashtu konsiderohej si pika më e dobët e skuadrës. Faktikisht, në apel deri tani kanë munguar edhe afrimet e verës, Aron Ramsej e Adrien Rabio, ata të dy që duhej të kishin përmirësuar repartin. Uellsiani ka treguar shkëndija të talentit të tij të madh, me spruco, por në aspektin fizik po tregohet fare pak i besueshëm, duke qenë se shqetësimet muskulore vazhdojnë të kushtëzojnë paraqitjet e tij në fushë. Ndërsa francezi vazhdon fazën e ambientimit, edhe pse drita në fund të tunelit nuk duket ende, prandaj deri tani nuk ka dhënë asnjë kontribut në përmirësimin e skuadrës.
Por nëse i shton repartit edhe dëmtimet e “profesor” Sami Khedirës, apo edhe krizën psikologjike të nevrikut Emre Xhan, i cili ka dalë jashtë binarëve pas lënies jashtë listës së Champions-it, mund ta kuptosh lehtësisht arsyen pse “Zonja e Vjetër” vazhdon të çalojë. Deri tani, trajneri Sarri ka gjetur te Miralem Pjaniç arkitektin e pazëvendësueshëm të lojës të tij, por ndoshta në një periudhë që mes kampionatit, Champions-it dhe kombëtares, boshnjaku është shtrydhur thuajse javë për javë duke luajtur 3 ndeshje çdo 7 ditë, është normale që edhe rendimenti i Pjaniçit të mos jetë gjithmonë brenda pritshmërive.
Por ndërkohë edhe Blez Matuidi është një lojtar me dy fytyra: nga njëra anë qëndron madhështia e tij atletike, e cila është e pazëvendësueshme për mesfushën e Juves, por në anën tjetër limitet teknike të francezit ulin bindshëm shpejtësinë e lëvizjes së topit që trajneri Sarri kërkon.
Prandaj, nëse në janar nuk bëhet ndonjë goditje madhështore, e tipit Kristian Eriksen, për të pasuruar këtë mesfushë të varfër aktuale të kampionëve të Italisë nevojiten që Aron Ramsej dhe Adrien Rabio të kthehen si me magji në formën e tyre ideale dhe bashkuar edhe me rikuperimin e Sami Khedirës, ndoshta edhe pasurimi në numër i mesfushës do të zgjidhte një problem jo pak të vogël që është edhe oksigjenimi i mushkërive të lojtarëve që përbëjnë këtë repart.
SHFRYTËZIM POTENCIALI
44 golat e shënuar deri tani, në 24 ndeshje, ndoshta janë një mesatare e pranueshme për një skuadër, por kurrsesi nuk mund të jenë të lumtur juventinët të cilët kanë luksin që të bazohen te futbollistë të kalibrit si Kristiano Ronaldo, Paulo Dibala, Gonzalo Higuain, Duglas Kosta e Federiko Bernardeski, por pa harruar kurrsesi se bardhezinjtë kanë në stol një prej trajnerëve më sulmues të Europës.
Po, ka pasur një moment në të cilin Juvja krijonte 15 raste për gol për ndeshje dhe fatkeqësisht dërgonte në rrjetë vetëm një ose dy, por çfarë është për t’u shqetësuar është se së fundmi edhe rastet për gol kanë nisur të jenë në pikiatë. Xhorxho Kielini, duke parë nga prapavija dhe nga tribuna apo qoftë nga divani i shtëpisë, mënyrën e të sulmuarit të bardhezinjve, sikur ia ndolli skuadrës së tij:
Kjo skuadër kënaqej në të kaluarën kur fitonte 1-0, por tashmë duhet të rrezikojmë shumë më shumë, pse jo, duke fituar të paktën 3-1 shumicën e ndeshjeve”. Dhe si për ironi të fatit, me këtë rezultat përfunduan edhe dy humbjet e pësuara kundër Lacios, njëra në kampionat dhe tjetra në finalen e Superkupës së Italisë.