Phillips vazhdonte jetën e tij dhe ndiqte pasionin për kuajt ndërkohë që paralelisht paraqitej përkrah gruas së tij vetëm në rastet më zyrtare. Thuhej se flinin në dhoma të ndara në shtëpi dhe në dhoma të ndara nëpër hotele kur shkonin për udhëtime pune
Shkëndija e parë mes Mark Phillips dhe princeshës Anne lindi falë kuajve. Mark zgjodhi një garë kuajsh edhe për t`i propozuar për martesë. Nuk humbën kohë. Në 14 nëntor të vitit 1973, ata u kurorëzuan në altarin e Abacisë së Westminsterit ku shkëmbyen premtimet. 500 milionë spektatorë e ndoqën përmes TV dasmën e famshme të asaj kohe. Martesa e Anne dhe Mark u gëzua me lindjen e dy fëmijëve: Peter (në 1977) dhe Zara (në 1981), të cilët, sipas zgjedhjes së prindërve, nuk kanë tituj fisnikë.
Po pavarësisht ardhjes së dy trashëgimtarëve në jetë – qetësia bashkëshortore, sipas thashethemeve të kohës, nuk zgjati shumë. Thuhej që Mark e tradhtonte vazhdimisht gruan e tij. Edhe Anne u përfol për një lidhje me oficerin e saj të sigurisë, Peter Cross. Phillips vazhdonte jetën e tij dhe ndiqte pasionin për kuajt ndërkohë që paralelisht paraqitej përkrah gruas së tij vetëm në rastet më zyrtare. Thuhej se flinin në dhoma të ndara në shtëpi dhe në dhoma të ndara nëpër hotele kur shkonin për udhëtime pune.
Skandali pastaj shpërtheu në vitin 1989. Disa anëtarë të stafit të pallatit vodhën letrat pasionante të dashurisë që Timothy Laurence, burri aktual i Anne, i kishte shkruar asaj. Këta njerëz ia dhanë letrat mediave që u publikuan me titullin “Letrat e ndaluara”.
Po skandalet nuk kishin fund. Në prill në vitit 1991, Heather Tonkin, një mësuese arti dhe eksperte kalorie në atë kohë, 37 vjeçe, kishte paditur Kapitenin Phillips përpara gjykatës së Auckland. Ajo pretendonte se vajza e saj Felicity ishte në fakt fëmija i tij dhe kërkonte mbiemrin dhe atësinë.
Në atë kohë u tha se Heather e kishte telefonuar Mark në telefonin e shtëpisë dhe i kishte treguar se pas natës që kishin kaluar bashkë, kishte mbetur shtatzënë. Mark ishte treguar i ftohtë dhe i kishte thënë që ta ndërpriste shtatzëninë. Ajo nuk kishte pranuar.
Më vonë i bëri edhe ADN-së që gozhdoi Mark Phillips. Shkurorëzimi zyrtar midis princeshës dhe Phillips, i cili kishte njoftuar ndarjen qysh në vitin 1989, u bë në vitin 1992. Divorci i saj ishte i parë në familje, para atij të Charles dhe Andrew, që do të vinin më vonë. Menjëherë pas divorcit zyrtar, po në vitin 1992, Anne u martua me Timothy Laurence. Megjithatë ajo e ruajti lidhjen edhe me ish-burrin. Jo pak herë është fotografuar me të vite më vonë, herë për fëmijët e herë për kuajt.