Nga magjia e zezë deri në prostitucion të detyruar (FOTO)

Secila viktimë duhet t’i nënshtrohet Jujusë. Rituali ka për qëllim të garantojë që gratë t’i paguajnë borxhet e tyre dhe të mos ikin apo të shkojnë në polici. Shumë prej tyre besojnë në këtë ritual, ama janë të pakta ato që në fakt e dinë se çfarë do t’i pretë kur të mbërrijnë në Evropë

Një grua e panjohur ia preu Joyit lëkurën me një brisk rroje në dhjetëra vende, së pari mbi gjoks e pastaj edhe afër organit gjenital. Më pas ia hodhi një pluhur të zi mbi plagët. Mund të ketë qenë qymyr druri apo diçka tjetër. Joy nuk e di saktë. Asaj as nuk i pëlqen të flasë për ato që i ndodhën në dhjetorin e 2014-s, kur ishte ende vetëm 17-vjeçare. Ama rituali i errët është pjesë e një praktike fetare – “Juju” – në atdheun e saj afrikanoverior. Gruaja që e performoi ritualin ishte “padronia” e saj, siç njihen ndryshe gratë që i trafikojnë vajzat e reja nigeriane. Ato rekrutojnë sa më shumë vajza përpara se t’i trafikojnë në Evropë dhe t’i detyrojnë në prostitucion. Faktikisht, secila viktimë duhet t’i nënshtrohet Jujusë. Rituali ka për qëllim të garantojë që gratë t’i paguajnë borxhet e tyre dhe të mos ikin apo të shkojnë në polici. Shumë prej tyre besojnë në këtë ritual, ama janë të pakta ato që në fakt e dinë se çfarë do t’i pretë kur të mbërrijnë në Evropë.

NË DUART E “PADRONES”

“Padronia ishte e mallëngjyer, njësoj si dhe unë. Isha disi e lehtësuar, ama nuk e dija se po më priste ferri. Më pyeti nëse dija të përdorja kondom…. Ishte shqetësuese dhe i thashë se nuk doja të dëgjoja pyetje të çmendura, si të bie në shtrat me një burrë, si ta kënaq….. Ajo më dërgoi në lagjen me drita të kuqe në Mannheim në shëtitje. E kur mbërritëm te një derë e pyeta se çfarë po bënim këtu. A është kjo shkollë, ngase nuk dukej si e tillë. Por ajo më tha se ky ishte vendi ku do të punoja për të”, tregon Joy, emri i së cilës është ndryshuar për shkaqe sigurie. Ajo që pasoi, Joy tha të ishte një zemërim shumë i madh dhe lutjet për të mos e çuar aty ku e kishte bërë veç më nijet. “Në fillim mendova se po tallej, sepse kjo nuk ishte ajo që më kishte thënë më herët.

E ajo qeshi dhe më pyeti: ‘Po çfarë po mendoje? Se do të të sjell këtu për të studiuar? Me cilat para do të duhej ta paguaja shkollimin tënd?”, tregon ajo, duke folur për “Der Spiegelin”. Joy i lutej pa ndalim që ta kthente në Afrikë, për t’i vazhduar studimet në paqe. Por përgjigjja që mori ishte se tanimë ishte bërë shumë vonë. Për të mbërritur në Gjermani, gjithçka rreth saj duhej të ishte e rreme. Pasaporta, emri në të…. Dhe për krejt këto, Joyit i ishte hapur llogaria e borxhit. “Ishte si në ferr, si një ferr i njëmendtë. Dhe pastaj më duhej të punoja pa pushim. Krejt për të”, tha ajo. Joy nuk qe në gjendje të shpëtonte nga ky ferr për dy vjet radhazi. Ajo u shtrëngua t’ia siguronte së paku 1.100 euro në javë “padrones” së saj. Megjithëkëtë, gjithçka ishte më e përballueshme sesa dajaku. Ato pak para që i mbeteshin në xhep ajo i shpenzonte për ushqim dhe grim, të cilin e kishte të domosdoshëm për punën e saj si prostitutë.

Për shumicën e grave, prostitucioni është e vetmja mënyrë për të bërë para. “Ama nuk është krejt vetëm te varfëria. Shumica shkojnë në Evropë me mision tregtar, që të blejnë rroba, këpucë, xhingla dhe të kthehen për t’i shitur këtu. Dhe papritmas kuptojnë se ka kërkesë aty dhe fillojnë t’i rrisin fitimet duke punuar si prostituta

Në total, Joy thotë të ketë fituar rreth 50 deri në 60 mijë euro, shumë kjo për të cilën hetimet e policisë në Frankfurt tregojnë se përkojnë me dëshmitë. Joy për të parën herë e shiti trupin e saj në Mannheim, pastaj në Mainz. E gjatë gjithë kohës mendonte për Jujun dhe për efektin që do të kishte te ajo mosmbajtja e premtimit: sëmundjet, vuajtjet apo akoma më keq. Mbi të gjitha vuajtjet ishin kërcënimet që po i bëheshin familjes së saj në Nigeri. Kjo torturë nuk mori fund deri kur një grua iu afrua Joyit dhe e pyeti nëse besonte në Zot. Në atë moment, Joy u ndje e shpëtuar. U vendos në një qendër të përkujdesjes të organizatës “Të drejtat e grave janë të drejta të njeriut” (FIM), e cila u ofronte ndihmë grave emigrante në Frankfurt dhe bashkëpunonte ngushtë me hetuesit lokalë. Trafikimi i grave nigeriane nuk është një fenomen i ri për policinë e Frankfurtit, por problemi është intensifikuar me fluturimin e numrit të grave refugjate në vend. Më 2016, Organizata Ndërkombëtare e Migrimit (IOM) numëroi rreth 11.000 gra nigeriane që kanë kaluar Mesdheun në drejtim të Italisë. Kjo shifër është dyfish më e madhe sesa një vit më parë dhe pothuajse tetë fish më e lartë se më 2014.

Disa mbesin në Itali, teksa të tjerat e vazhdojnë rrugëtimin drejt vendeve të tjera evropiane. Disa prej atyre që mbërrijnë në Gjermani përfundojnë duke punuar në stacionin qendror të trenave në Frankfurt. Në këtë zonë, Daniel Kreuz (emri i ndryshuar) dhe ekipi i tij i hetuesve të Departamentit të policisë kriminale përqendrohen në prostitucion dhe trafikim të qenieve njerëzore. Në radarin e hetimeve të tij është rruga Taunus e Frankfurtit, e mbushur ngado me lokale që ofrojnë shërbime të prostitucionit. Bordelet e lagjes ofrojnë dhoma për një çmim prej 120 eurosh në ditë, plus taksën. “Kjo është një shumë tepër e lartë, kur kihet parasysh se prostitutat nga krejt kjo punë marrin vetëm nga 20 apo 30 euro”, thotë ai. “Për sa u përket grave nga Nigeria, ato e kanë edhe një tjetër aspekt, atë kulturor dhe magjinë e zezë, që nuk hasen në rastet nga vendet e tjera. Ato fillimisht vijojnë një kurs magjie në një tempull magjie në Nigeri, përpara se të trafikohen. Aty ato betohen. Dhe me këtë rast, murgu që praktikon magjinë u merr disa gjëra personale. Një fotografi, rroba të brendshme, thonj, qime trupore, në disa raste publike. Frika e këtij rituali i lidh gratë me padronet dhe i ndalon që të bashkëpunojnë me policinë apo të shkojnë në polici për të kërkuar ndihmë”, thotë Kreuz.

Zyra e OKB-së për narkotikë dhe krime ka llogaritur se më shumë se 90 për qind e grave të trafikuara nga Nigeria në Evropë vijnë prej shtetit Edo dhe shumica e tyre janë nga qyteti i Beninit. Por pse bash prej aty? Dhe sa thellë e rrënjosur është Jujuja në mendjet e njerëzve të rajonit?

NË VENDIN E MURGJVE TË JUJUSË

Sunduesi tradicional i rajonit është mbreti i Beninit, “Oba”. Si një i krishterë i devotshëm, ai është po ashtu lider shpirtëror i murgjve të Jujusë. Edhe sot e kësaj dite, ai akoma adhurohet nga masa të gjera të popullatës si një figurë Zoti dhe ani pse nuk ka më ndonjë autoritet zyrtar, fjalët e tij konsiderohen ligj për shumëkënd. Meqë bota përherë e më shumë po e ndërlidhte qytetin e Beninit me trafikim dhe shkalla e turpit po bëhej e papërballueshme, lideri shpirtëror vendosi se kishte ardhur koha për veprim. David Adebiri, një burrë me ndikim në vend, ka qenë për vite të tëra këshilltar i Obas. Si më i besuari i tij, ai flet në emër të mbretit.

“Nuk mund as të shpjegoj pse Benin City është bërë kryeqendër për trafikim ilegal të qenieve njerëzore. Jemi ngritur kundër kësaj. Presidenti (mbreti) Oba ka ndërmarrë të gjithë hapat e domosdoshëm, ligjërisht dhe tradicionalisht, për t’i mallkuar të përfshirët në këtë praktikë ilegale. Efekti ishte i menjëhershëm. Ai shkoi edhe më tutje, për t’u dhënë imunitet automatik të gjithë atyre vajzave dhe djemve që kanë mundur të bien viktima”, tha ai. Në lagjen “Sakpoba”, ku ishte rritur Joyi, murgu “Eziza”, Sylvester Enoma, praktikon rituale Juju për çdo ditë. “Kur njerëzit vijnë këtu dhe thonë se janë të sëmurë, ata kërkojnë ndihmë prej perëndeshës së erës Eziza. Varësisht prej asaj se çfarë ajo u thotë, ata sjellin nga një dhi apo kurban tjetër për sakrificë”, tha Enoma.

Vajzat e lagjeve të varfra mund akoma të bien fare lehtë pre e padroneve. Dhe për aq kohë sa kërkesa për seks të lirë të jetë e lartë në Evropë, trafikimi i vajzave të reja do të vazhdojë të jetë biznes fitimprurës për trafikantët

“Krejt çfarë ne bëjmë është të shërojmë njerëz”. Magjia Juju është e kudogjendur në Benin City. Aty shumica e banorëve janë ose të krishterë ose myslimanë, por zbatimin e praktikave shpirtërore nuk e konsiderojnë kundërthënëse. Në të vërtetë, njerëzit e respektojnë – dhe i druajnë – më shumë religjionit sesa pushtetit të shtetit. Betimet që bëhen para zotëve, shpirtrave apo paraardhësve në ritualet Juju merren seriozisht. Por vetëm ky konsolidim i rendit fetar nuk është i mjaftueshëm për të shpjeguar pse Benin City e ka problemin me trafikim dhe prostitucion. Aty tani ekzistojnë organizata humanitare, si “Të bijat e bamirësisë”, që ndihmojnë gratë e traumatizuara dhe të dëshpëruara, pas kthimit nga Evropa. Shumica e vajzave e zgjedhin ikjen nga vendi pas presionit nga familjet, thotë Bibiana Emenaha, drejtoreshë e organizatës. Që prej 2003-s, Agjencia Kombëtare e Ndalimit të Trafikimit (Naptip) ka luftuar rrënjët e shkakut të problemit në Nigeri. E një prej tyre është mungesa e mundësive. Nigeria nuk është vetëm vendi më i populluar i Afrikës, por është edhe ekonomia më e madhe nënsahariane. Është e pasur me naftë dhe gaz teksa sektorët bujqësor dhe të shërbimeve janë në lulëzim. Më shumë se 62 për qind e nigerianëve megjithatë jetojnë në varfëri të skajshme.

Për shumicën e grave, prostitucioni është e vetmja mënyrë për të bërë para. “Ama nuk është krejt vetëm te varfëria. Shumica shkojnë në Evropë me mision tregtar, që të blejnë rroba, këpucë, xhingla dhe të kthehen për t’i shitur këtu. Dhe papritmas kuptojnë se ka kërkesë aty dhe fillojnë t’i rrisin fitimet duke punuar si prostituta. Dhe njerëzit me injorancë besojnë se nëse personi A ia ka dalë, atëherë edhe Bja mund të shkojë dhe të ketë sukses. Këtu është i përfshirë edhe elementi i lakmisë….”, thotë Nduka Nwanwenne i Naptipit.

NË ËNDRRAT E TYRE

Ato gra që mbërrijnë në Evropë dhe kthehen në Nigeri me para, ndërtojnë shtëpi, blejnë vetura dhe gjejnë mënyra për ta rritur pasurinë e tyre. Shpesh “padronet” e shfrytëzojnë këtë gjë për t’i joshur vajzat e reja në prostitucion. Jennifer dhe Vivian dikur e ndanin këtë ëndërr. Në të shkuarën, ato kishin fluturuar në Evropë me dokumente të rreme, por kjo qe shumë e kushtueshme për “padronet”. Sipas policisë në Frankfurt, kostoja e udhëtimit me aeroplan, përfshirë nxjerrjen e dokumenteve false dhe mbulimit të shpenzimeve shtesë për trafikim, kap shifrën prej 10 mijë eurosh për person. Por shtigjet e reja – përgjatë shkretëtirës së Libisë dhe përreth Mesdheut – kushtojnë rreth 1.500 deri 2.500 euro. Ani pse më lirë, ky shteg është më i rrezikshëm për gratë që trafikohen, pasi që i rrezikojnë jetët. “Më 2017, udhëtova nëpërmjet Libisë për t’u kthyer sërish në Evropë.

Sunduesi tradicional i rajonit është mbreti i Beninit, “Oba”. Si një i krishterë i devotshëm, ai është po ashtu lider shpirtëror i murgjve të Jujusë. Edhe sot e kësaj dite, ai akoma adhurohet nga masa të gjera të popullatës si një figurë Zoti dhe ani pse nuk ka më ndonjë autoritet zyrtar, fjalët e tij konsiderohen ligj për shumëkënd

Nuk kisha ushqim, ujë, isha në shkretëtirë. Kaluam pothuajse tre muaj në shkretëtirë para se të mbërrinim në Libi. Vetëm Zoti na shpëtoi”, tregon Jennifer, emri i së cilës po ashtu është ndryshuar. “Shumë njerëz po vriteshin në Libi. Neve na trajtonin shumë keq. Po i përdhunonin vajzat. Ishte tmerr”, tha Vivian. Shumë gra, si puna e tyre që tanimë janë kthyer në Nigeri, kanë humbur besimin në Qeverinë. Ankohen për korrupsionin dhe kërkojnë mbështetje më të madhe. Dhe pikërisht në mungesë të tyre ato zgjedhin të rrahin rrugën drejt Evropës. Jennifer dhe Vivian thonë se do të shkojnë sërish – vetëm se herën tjetër me aeroplan. Shefi i Naptipit dhe këshilltari Edebiri pajtohen se ndalesa e zbatuar nga Oba do ta ulë dukshëm shkallën e trafikimit në Nigeri. Madje mund edhe ta eliminojë. Por jo të gjithë janë kaq optimistë. Edhe nëse banorët e qytetit vetëdijesohen më shumë për rreziqet e trafikimit, problemi thjesht do të zëvendësohet në fshatra, thotë Bibiana.

Vajzat e lagjeve të varfra mund akoma të bien fare lehtë pre e padroneve. Dhe për aq kohë sa kërkesa për seks të lirë të jetë e lartë në Evropë, trafikimi i vajzave të reja do të vazhdojë të jetë biznes fitimprurës për trafikantët. Në Gjermani, hetuesit dyshojnë se pas ndalesës së Obas, akoma më shumë viktima do të hezitojnë të bashkëpunojnë me policinë. Për gratë si Joy, pushteti i mbretit të Beninit është barasvlershëm me shpëtim. “Dua t’u them të gjithëve që të mos bien në këtë kurth. Nuk është se këtu në Gjermani mund të mblidhni para në tokë. Nuk është bankë këtu. Është shumë më ndryshe sesa njerëzit mendojnë”, thotë Joy.