Nga lufta në Kroaci, finalja e Botërorit e deri te “Topi i Artë”

“Sigurisht që do të vijnë lojtarë të rëndësishëm, kjo është ajo që na nevojitet. Unë pres të kem një sezon të madh në vazhdim, bashkë me Real Madridin”. Kështu nënvizoi, ndër të tjera, Luka Modric, fituesi i “Topit të Artë” në fuqi, në një intervistë të dhënë për “Universo Valdano”.

Duke luajtur me Kroacinë – “Jam shumë krenar që përfaqësoj vendin tim çdo ditë dhe kudo. Unë jam kapiteni i kombëtares, një kënaqësi e madhe. Dua të vazhdoj derisa trajnerët të mendojnë se mund t’i ndihmoj dhe jam i vlefshëm për skuadrën. Nuk kam nevojë që dikush të më thotë. Kroacia ka pasur gjithmonë lojtarë të talentuar. Ne ishim të fiksuar për të bërë diçka të madhe me brezin e futbollistëve të vitit 1998 në Francë. Ata ishin një shembull frymëzimi për ne. Vitin e kaluar kemi zhvilluar një Botëror mbresëlënës në Rusi, shkuam deri në finale. Falë talentit që kemi në ekip, ndiheshim borxhli ndaj vendit tonë për të bërë diçka të madhe. Tifozët ishin gjithmonë me ne, u hidhëruam shumë që e humbëm finalen”.

Kupa e Botës – “Gjithçka është e lodhshme. Megjithatë, kur shkoni atje, lodhja fizike dhe mendore dalin në plan të dytë. Ju luani për vendin tuaj, është gjëja më e madhe që mund të bëni në karrierë”.

Lufta në Kroaci – “Këto gjëra që ndodhën në Kroaci, për shkak të luftës, na kanë ndikuar shumë. Të luajë me kombëtaren është një ëndërr për çdo djalosh kroat. Jemi grup i bashkuar, kjo përbën forcën tonë. Të gjithë jemi krenarë që përfaqësojmë vendin tonë. Ishte një sukses i madh vitin e kaluar, por kur fiton, harron gjithçka dhe dëshiron të luash më shumë”.

Finalja e Kupës së Botës – “Ne dhamë gjithçka, duke arritur në finale për herë të parë. Kam ëndërruar gjithmonë të bëj diçka të madhe me Real Madridin, por karriera ime nuk do të ishte e plotë, pa arritur diçka domethënëse edhe me Kroacinë. Ky ishte shansi im i fundit për të bërë diçka të madhe”.

Afër tërheqjes – “Nuk ndiej asnjë kufizim, ndihem mirë fizikisht, edhe pse sezoni i fundit nuk ka qenë pozitiv. E pranoj, kam ende fuqi për të vazhduar të luaj me Real Madridin, në nivelin që kërkon ky klub i madh”.

“Topi i Artë” – “Fitimi i këtyre titujve individualë është diçka mbresëlënëse, sidomos në kohët e sotme, me Messin dhe Cristiano aktivë në majat e futbollit. Ishte diçka e pabesueshme, jam shumë i lumtur. Eshtë “qershia mbi tortë” për karrierën time”.

Jeta pas futbollit – “Nuk e kam menduar akoma, do të doja të mbetesha i përfshirë me futbollin, por nuk e di në çfarë mënyre. Ndonjëherë, kur mendoj për këtë, shoh se trajneri nuk është diçka që më pëlqen. Më frikësojnë “dhimbjet e kokës”, që trajnerët kanë me ne… Në këtë moment dua të gëzoj futbollin e luajtur. Familja ime e do jetën në Madrid, ne kemi shumë miq këtu, është një qytet ku mund të qëndrojmë dhe jetojmë. Kroacia është vendi im dhe do të jem gjithmonë i lidhur me të. Atje janë prindërit e mi, miqtë e mi…”

Real Madridi i ardhshëm – “Unë pres një skuadër më të mirë, pres një Real Madridi të kompletuar në të gjitha aspektet. Do të synojmë të gjithë titujt, që nuk i fituam dot këtë sezon. Jam i sigurt se Real Madridi do të ketë një sezon më të mirë, do të fitojë tituj të rëndësishëm. Tifozët e meritojnë këtë. Lojtarë të tjerë të rëndësishëm do të vijnë. Kjo është edhe ajo, që na nevojitet”.

Veteran i dhomës së zhveshjes – “Unë jam një nga “pleqtë” e ekipit, është një përgjegjësi, më pëlqen ta kem këtë status”.