Shkup, 8 janar – Këtë vit të gjitha deklaratat doganore dhe dokumentet e akcizës do të përgatiten në mënyrë elektronike, theksoi ministri i Financave Dragan Tevdovski gjatë vizitës së sotme në Drejtorinë Doganore, informon Koha.mk
Sistemi për menaxhim me deklaratat doganore në fillim të shkurtit, siç tha Tevdovski, do të fillojë të zbatohet në 11 pilot projekt zyra doganore, ndërsa nga gjysma e vitit do të fillojë të zbatohet në të gjitha zyrat në vend.
“Në këtë mënyrë për firmat, dukshëm shkurtohen shpenzimet dhe shkurtohet koha. Të gjitha dokumentet do të dorëzohen në mënyrë elektronike. Qëllimi ynë është që të automatizohen proceset dhe me këtë t’iu ofrohen shërbime më të mira edhe qytetarëve dhe kompanive”, theksoi ministri i Financave.
Sistemi për përpunim të deklaratave doganore dhe dokumenteve të akcizës do të mundësojë edhe shkëmbim të të dhënave me institucionet tjera, si për shembull, Drejtorinë për të Ardhura Publike gjatë dorëzimit të fletëparaqitjeve për TVSH për të cilat dorëzohen deklarata doganore ose Enti për Statistikë dhe Banka Botërore për të dhënat për import dhe eksport.
Drejtori i Drejtorisë Doganore Gjoko Tanaskoski theksoi se në gjysmën e parë të këtij viti do të lëshohet edhe terminal i ri në vendkalimin kufitar Qafë Thanë. Ai shtoi se zgjerimi i vendkalimit kufitar Qafë Thanë përfshin terminal të ri importues-eksportues prej 9,5 mijë metra katrorë, rrugë për hyrje, objekte për doganim dhe organe tjera inspektuese (objekt për Drejtorinë Doganore, ujësjellës dhe kanalizim, ndriçim, ndërtim të stacionit filtrues) si dhe rekonstruim të objekteve ekzistuese.
Vitin e kaluar, siç theksoi Tanaskoski, ishte lëshuar në përdorim terminali i ri doganor në vendkalimin kufitar Tabanoc. Ndërtimi i terminalit, mundëson lehtësim të tregtisë ndërkufitare përgjatë korridorit 10 dhe zbatimin e procedurave doganore në kapacitete moderne.
Në domenin e zbatimit të konceptit “Operator i autorizuar ekonomik”, ishte theksuar se aktivitet e ardhshme të Drejtorisë Doganore do të synojnë rritjen e numrit të lejeve të dhëna përmes promovimit të mëtutjeshëm të konceptit dhe këshillim të kompanive dhe ndihmë gjatë përballjes me risitë e këtij koncepti, kumtoi Ministria e Financave.