Shkup, 10 nëntor – Qytetarët nuk do të kenë detyrim që të paraqesin te Drejtoria për të Ardhura Publike, paraqitjet vjetore tatimore për të ardhurat plotësuese. Kjo është parashikuar me ndryshimet dhe plotësimet e ligjit për tatim personal të të ardhurave, të cilat u shqyrtuan në seancën e djeshme të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë. Sipas propozim-ligjit, në vend të qytetarëve këtë do ta bëjë DAP, ndërsa qytetarët do të duhet vetëm t’i konfirmojnë ose korrigjojnë informacionet e paraqitjeve. Detyrim për parashtrim të paraqitjes vjetore tatimore kishin qytetarët, të cilët krahas rrogës ose pensionit, kishin realizuar të ardhura si për shembull në bazë të blerjes, kontratave autoriale etj. Këtë vit për të ardhura të realizuara në vitin 2016 janë parashtruar rreth 400.000 paraqitje vjetore tatimore.