Se cili ka qenë roli i opozitës gjatë gjithë pandemisë. më së miri do ta dëshmojnë zgjedhjet e ardhshme parlamentare këtu te ne dhe në botë, mirëpo një gjë mund të thuhet me siguri se koha e pandemisë i ka shërbyer më tepër partive në pushtet, ku popullata e tronditur nga kriza, dhe e pa shpresë si shpëtim të vetëm e ka parë Qeverinë
Hekuran JASHARI
Shkup, 1 qershor – Në kushte normale është e natyrshme që opozita për shumicën e temave me interes për qytetarët përplaset me qeverinë rreth vendimeve të saj. Shpesh ndodhë që në mungesë të temave, opozita është në gjendje të shpik kauza për ta mbajtur shpirtin e opozitarizmit gjallë. Në këtë dimension politik nuk bën përjashtim as vendi ynë. Gjërat për opozitën kishin filluar të marrin kahje negative me shpërthimin e virusit Covid-19, me çka në vete ngërthente shumë implikime të tjera, e cila në të njëjtën kohë i jepte më tepër hapësirë manovrimi qeverive. Nëse zakonisht partitë opozitare rriten në kohën kur vendi përballet me ndonjë krizë të caktuar, kjo krizë si duket do ta ketë bërë të kundërtën të ketë çuar ujë në mullirin e partive politike të cilat janë në pushtet.
Kështu thuajse ka ndodhur me të gjitha vendet e BE, kurse shembullin më të freskët mund ta marrim shtetin më të madhe – Gjermaninë, ku 68% e gjermanëve janë të kënaqur me menaxhimin e krizës nga Kancelarja Merkel. Si formë të vetme të kundërshtimit, paritë opozitare kishin filluar të kritikojnë qeverinë për menaxhimin e krizës. Me thellimin e krizës dhe daljen në sipërfaqe të krizës ekonomike, partitë politike opozitare filluan ti fërkojnë duart për kritika drejtuar pozitës sidomos në vendin tonë ku edhe po afrohen zgjedhjet parlamentare. Kjo është parë edhe me mungesën e dakordësisë për datën zgjedhjeve, me çka opozita respektivisht VMRO-DPMNE,insiston që zgjedhjet të mbahen në një datë më të largët, ku nga shumica e analistëve politik është parë si tentim i opozitës për të blerë kohë, kur edhe pritet që kriza ekonomike të godas vendin tonë. Kjo ndarje së fundmi është parë edhe me vendimin e fundit të Qeverisë për ndihmë financiare ndaj qytetarëve, ku nga opozita është cilësuar si ryshfet para zgjedhjeve ndaj qytetarëve.
Zëdhënësi i Aleancës për Shqiptarët, Flakron Bexheti për Gazetën KOHA thotë se opozita nuk ka dashur që vetëm të jetë kritikuese, por kemi ofruar edhe alternativën tonë, për një menaxhim më të suksesshëm të krizës. Ndërkaq sa i përket menaxhimit të gjithë kësaj pandemie ai thotë se len shumë për të dëshiruar, dhe se kjo krizë vetëm se ka shpërfaqur sistemin e dobët të shtetit tonë. Për të ilustruar këtë, Bexheti si shembull sjell edhe numrin e vdekshmërisë nga Covid 19, se është më i larti në rajon dhe me këtë vihet në pah sistemi i dobët shëndetësorë. Për më tepër ai kritikon edhe huamarrjen të cilin e ka bërë kjo qeveri me çka është rritur borxhi publik, dhe vendi ynë vetëm se është futur edhe në krizë më të thellë ekonomike.
Situata duket të jetë më e acaruar në Shqipëri, ku opozita nuk kishte ngurruar ta akuzonte kryeministrin se po shfrytëzonte krizën si mundësi për zgjerim të pushtetit të tij, dhe “çuarjen e vendit drejt diktaturës”. Atje opozita mundësi ideale për të dalë nga hija e pandemisë e kishte parë çështjen e Teatrit Kombëtar, e cila për kohë të gjatë ishte shndërruar në mollë sherri mes kryeministrit dhe artistëve, me ç’rast opozita ishte rreshtuar në krahë të artistëve.
Se cili ka qenë roli i opozitës gjatë gjithë pandemisë më së miri do ta dëshmojnë zgjedhjet e ardhshme parlamentare këtu te ne dhe në botë, mirëpo një gjë mund të thuhet me siguri se koha e pandemisë i ka shërbyer më tepër partive në pushtet, ku popullata e tronditur nga kriza dhe e pa shpresë si shpëtim të vetëm e ka parë qeverinë. (koha.mk)