Shkup, 25 qershor – Nga korriku duhet të ulen çmimet e shërbimeve në roaming mes Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Malit të Zi, Shqipërisë, Kosovës dhe Bosnjës dhe Hercegovinës. Ulja në korrik pritet të jetë për 27 për qind, ndërsa nga korriku i vitit 2021 roamingu të hiqet tërësisht.
Marrëveshja rajonale për roaming ishte nënshkruar në prill të këtij viti në Beograd në kuadër të Samitit të dytë digjital të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Rregullatorët dhe operatorët e telekomunikimit deri më 1 korrik duhet të përgatisin plan aksional dhe hartë për aktivitetet e ardhshme me precizimin se cilën ditë çka do të startojë.
Sipas të dhënave të SRS-së, trup operativ i vendeve nga Procesi për bashkëpunim në Evropën Juglindore, më shumë se 76 për qind e qytetarëve të Evropës Juglindore (EJL) janë përdorues të internetit, përderisa 40 për qind prej tyre i shfrytëzojnë të gjitha aplikacionet e rrjeteve sociale në telefonat mobil, ndërsa shumica janë të rinj. Shtatëdhjetë për qind e biznesmenëve nga Evropa Juglindore vlerësojnë se heqja e çmimeve të roamingut do t’iu ndihmojë në nxitjen e tregtisë. Më shumë se 12 milionë turistë vitin e kaluar kanë ardhur në Ballkanin Perëndimor dhe të gjithë ishin të shqetësuar për shkak të çmimit të roamingut.
Nga 1 korriku i vitit 2017, qytetarët e Maqedonisë së Veriut flasin më lirë kur udhëtojnë në Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Mal të Zi, pasi hyri në fuqi ulja e tretë e çmimeve të shërbimeve të roamingut sipas Marrëveshjes mes katër shteteve nga viti 2014. Drejtë iniciativës rajonale u përfshinë edhe Shqipëria dhe Kosova.