Demir Imeri ishte një nga lojtarët që spikati më shumë te Kamza në sezonin 2017-2018, edicion në të cilin skuadra nga periferia e kryeqytetit arriti të siguronte mbijetesën në elitën e futbollit shqiptar. Në atë sezon 23-vjeçari i cili në karrierën e tij ka luajtur edhe me Shkëndijën arriti të shënonte 3 gola në 21 paraqitje.
Forma që Imeri shfaqi me Kamzën u vu re edhe jashtë trojeve shqiptare sepse fillimisht mesfushori u aktivizua për pak kohë në Finlandë me skuadrën e PS Kemi ndërsa në gjysmën e dytë të sezonit 2018-2019 luajti në Maltë me ekipin e Mosta duke shënuar 3 gola në 6 ndeshje. Falë formës së mirë të treguar në këto dy vite Imeri është transferuar zyrtarisht në elitën e futbollit ukrainas pasi ka firmosur me skuadrën e Olimpik Donetsk që pas 4 javëve të para të kampionatit nuk ka grumbulluar asnjë pikë teksa pozicionohet në vendin e fundit në Ukrainë me 4 humbje.