Nga kamarier drejt drejtimit të Italisë, historia e populistit 32-vjeçar (FOTO)

Zgjedhjet në Itali treguan qartë se italianët ishin të lodhur nga politika e deritanishme. Në masë ata votuan për populistët e ‘’5 yjeve” duke i renditur ata forcë të parë në zgjedhje dhe duke i dhënë një goditje të fortë PD-së së Renzit. Forca politike që doli në vend të parë në këto zgjedhje në Itali është “Lëvizja 5 Yjet” e drejtuar nga Luigi di Maio, një 32 vjeçar me një të shkuar jetësore të zakonshme por me një të ardhme politike të pazakontë.

Pavarësisht kësaj, “Lëvizja 5 Yje” nuk ka numrat e nevojshme në Dhomën e Ulët dhe në Senatin italian për të krijuar qeverinë e vetme. Koalicioni i qendrës së djathtë i udhëhequr nga Forza Italia rezulton me numrin më të lartë të deputetëve, por edhe ky koalicion e ka të pamundur krijimin e qeverisë.


“Sot ka nisur Republika e Tretë dhe do të jetë një Republikë e qytetarëve”, deklaroi di Maio, ndërsa “Lëvizja 5 Yjet” rezulton partia më e votuar. Ai foli për nisjen e bisedimeve për krijimin e një qeverie të drejtuar prej tij, por do të jetë Presidenti Mattarella që do të vendosë nëse Liga e Veriut, si partia e parë në koalicionin e drejtuar nga Forza Italia, apo “5 Yjet” do të marrin të drejtën që të formojnë qeverinë e re. “Lëvizja 5 Yjet është e hapur për të diskutar me të gjitha forcat politike duke filluar diskutimet për presidentin e Dhomës së Deputetëve dhe Senatit. Sot për ne fillon Republika e Tretë, e cila do të jetë Republika e Italisë”, është shprehur ai.


Por kush është Luigi di Maio, 32 vjeçari që mund të drejtojë Italinë në postin e Kryeministrit? Luigi Di Maio ka lindur në Avellino me 6 korrik të vitit 1986. Është një politikan i ri italian, deputet i Lëvizjes 5 Yje dhe mban edhe detyrën e zëvëndëspresidentit të Dhomës së Deputetëve. Është më i madhi i tre vëllezërve. Nëna e tij është një mësuese e italishtes dhe latinishtes, ndërsa babai i tij është një sipërmarrës në fushën e ndërtimit, i aktivizuar dikur me forcat neofashiste.


Pas diplomës në liceun klasik ai është regjistruar në universitet, ku fillimisht zgjodhi inxhinierinë informatike, të cilët do ta braktiste më pas për jurisprudencën. Që nga viti 2007, ai është gazetar dhe publicist. Në vitin 2012 ka debutuar në kinema me dokumentarin “Tregtia” ku denoncohet situata e tregtarëve të vegjël. Ka punuar pak kohë si kamarier e ndihmës në stadium, për të vijuar më pas si webmaster (mirëmbajtës webi) e në fund me kandidimin për Lëvizjen 5 Yjet të drejtuar nga Beppe Grillo. Konsiderohet si pragmatist e institucional. Nga viti 2007 ai është pjesë e “Lëvizjes 5 Yje”. Në vitin 2010 kandidohet si këshilltar komunal po nuk arrin të fitojë.

1Arrin të zgjidhet në vitin 2013 si deputet për këtë forcë politike e menjëherë më pas mandatohet edhe si zëvendëskryetar i Parlamentit, duke qenë më i riu në historinë e Italisë (26 vjeçar) që mban një detyrë të tillë. Në pak kohë ai bëhet një nga fytyrat më të njohura të Lëvizjes dhe arrin të bëhet anëtar i kryesisë së saj. Në shtator të 2017 kandidohet në zgjedhjet paraprake për kreun politik të Lëvizjes 5 Yje ku votimet nga platforma elektronike e nxjerrin fitues me 82 % të votave. Është beqar, pëlqen makinat (ka një Mini Cooper vintage) dhe e konsideron veten jo karizmatik dhe si të keq në futboll. Kur ishte i vogël, dëshira e tij ishte që të bëhej një oficer policie.