Zejnulla VESELI
Shkup , 22 qershor – Nëse draft-versioni i propozim-ligjit të ri për tatim personal të hyrave miratohet nga Parlamenti i Maqedonisë, nga muaji janar i vitit 2019 të gjithë qytetarët që gjatë vitit 2017 kanë realizuar të hyra mujore deri më 720.000 denarë apo deri më 12 mijë euro, gjegjësisht 1000 euro brenda muajit, detyrohen të paguajnë tatim personal prej 10 për qind, ndërsa nëse të hyrat vjetore të qytetarëve janë më larta se 720 mijë denarë apo mbi 12 mijë euro, tatimi personal do të ketë shkallën prej 18 për qind. “Qytetarët që do të duhet të paguajnë tatim personal prej 18 për qind nga janari i viti të ardhshëm janë qytetarët që përfitojnë nga rroga mujore, që ushtrojnë veprimtari individuale, përfitime autoriale apo shitjen e prodhimeve individuale bujqësore”, thuhet në draft-versionin e Propozimit të Ligjit të ri për tatim personal. Gjithashtu, me Ligjin e ri do të tatimohen edhe të hyrat e realizuara nga shërbimet intelektuale, dhënien e objekteve me qira, fitime kapitale, fitime nga lojërat e fatit dhe për këtë kategori njerëzish tatimi personal do të jetë 15 për qind. “Gjithashtu, edhe qytetarët dhe firmat të paguajnë tatim të kamatave që i kanë marrë nga kursimet e tyre nëpër banka nëse fitime kapin vlerën prej 15.000 denarë brenda vitit”, thuhet në Ligjin e ri për tatim personal. Ligji për tatim progresiv u paralajmëruara dhe ishte pjesë e programit zgjedhor të LSDM-së në zgjedhjet e parakohshme që u mbajtën në vitin 2016. Menjëherë pas formimit të Qeverisë, ministri i Financave, Dragan Tevdovski, deri të Qeveria dorëzoi draft-versionin e Propozim Ligjit për tatim personal, i cili ende nuk është shqyrtuar nga kabineti qeveritar. Megjithatë pas paralajmërimit të vendosjes së tatimit progresiv, në opinion pati shumë kritika nga ekspertët ekonomike duke thënë se bëhet fjalë për një masë populiste pa ndonjë efekt të dukshëm pozitiv në ekonominë e vendit. Sipas ekspertëve ekonomik, kjo masë do të prekë vetëm 2 përqindëshin e popullatës dhe se efekti gjithsesi do të jetë negativ, sepse qytetarët që i takojnë kësaj kategorie, do të kërkojnë mundësi të tjera për të paraqitur të ardhurat e tyre, gjë që do të çojë dhe në rritjen e evazionit tatimor. Mirëpo, edhe kundrejt kritikave në opinion, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, paralajmëroi se Qeveria nuk do të heqë dorë nga ky vendim për reformat tatimore, megjithëse ka shtuar se nga debati dhe analizat e përgjithshme do të vendoset se cili do të jetë pragu nga i cili do të fillonte tatimi më i lartë.