Jo, është gjithmonë mosha, që të bën të marrësh vendime të caktuara. Ne duhet të kuptojmë kur është koha për t’u tërhequr. Kam marrë nga topi atë që shpresoja, ndoshta më shumë. Kam përjetuar kënaqësinë e fundit duke shkuar në Kinë, duke drejtuar një ekip që nuk po bënte mirë dhe duke qenë në gjendje të arrij gjëra të mira.
Nga Kina vjen Suning. Duke e prekur drejtpërdrejt këtë realitet, çfarë ideje keni për potencialin e Interit?
Presidenti zikaltër është një udhëheqës i madh, një njeri me inteligjencë dhe iniciativë, me karizëm të jashtëzakonshme. Pas njohjes së afërt të Suning, mund t’ju siguroj se Interi do të jetë 100 për qind rivali i Juventusit në vitet e ardhshme. Dhe jo vetëm në Itali.
Ndërkohë, Marotta arriti tek Interi…
Kjo përbën një hap tjetër cilësor. Ju do të shihni se Interi, ashtu si Juve, do të jetë pjesë e elitës europiane.
Tani ekziston “nyja” Icardi. A do të jetë i aftë Interi ta bindë atë?
Është Icardi, ai që duhet të bindë Wanda… Sidoqoftë, nuk ka dyshim se Icardi është një nga tre sulmuesit, që mund të ndryshojë vlerën e një ekipi. Ju zgjidhni dy të tjerët… Duhet t’i kushtojnë vëmendje këtij lojtari, sepse e di që Real Madridi dhe ndonjë skuadër angleze mund të futet në garë. Megjithatë, siç thashë, Interi ka një të ardhme të madhe dhe Icardi duhet ta vendosë këtë në peshore.
Po vjen Juve-Milan, Superkupa e Italisë. Ka shumë diskutime rreth mundësisë për të luajtur në Arabi…
E gjitha kjo dihej tashmë, që kur u bë zgjedhja përkatëse. Të drejtat televizive janë të paprekshme, ndaj mendoj se ka pasur një hapje të tillë, për të luajtur jashtë Italie. Kjo mund të bëhet mundësi për një projekt rritjeje të të ardhurave. Procesi është për fat të keq i ngadalshëm. Vetëm me revolucion ndryshon gjithçka brenda natës. Nuk mund të mendojmë të shkojmë nga e bardha në të zezë pa dritë-hije.
Në Itali, tema e dhunës dhe racizmit është kthyer shumë, për fat të keq…
Unë e kam kundërshtuar gjithmonë degjenerimin e të bërit tifozllëk. Në disa raste, realiteti nuk ka të bëjë me tifozët e vërtetë. Kam takuar njerëz, që lënë punët e tyre për të qenë tifozë në stadium. Kjo nuk është punë biznesi, por pasioni.
Ka pasur edhe ulërima raciste. Për fat të keq, ky fenomen vazhdon, është edhe kronikë e ditëve të fundit. A ka Ancelotti të drejtë, kur thotë se duhen ndaluar ndeshjet?
Unë jam me Carlo, 100 për qind. Në të vërtetë ju them…
Çfarë na thoni?
Ka një gjë, që nuk mund t’jua zbuloj. Le të themi kështu, një gjë për të cilën po punoj, por kam premtuar të njoftoj të parin “Sky”. Eshtë një iniciativë shumë interesante.
Le të kthehemi në futbollin e luajtur. Cili është sekreti i këtij Juventusi, që po fiton prej kaq shumë vitesh në Itali?
Asnjë sekret. Drejtuesit e kanë ndërtuar ekipin në një mënyrë inteligjente, duke u shqetësuar për përmirësimin e tij çdo sezon. Ne gjithmonë mendojmë për atë që Juve po bën në Itali, por madhështia e saj i kalon kufijtë e vendit tonë. Nuk është pak të luash dy finale Champions-i në pak vite, të cilat pastaj mund t’i fitoni, ose t’i humbisni. Natyrisht, gjëja e rëndësishme është të arrish deri në fund. Dhe kjo është “fotoja”, për të kuptuar se sa e fortë është Juvja. Në Itali nuk ka konkurrencë për të. E ka shumë të lehtë.
Në disa mënyra, a mund të themi se ju e shihni disi veten të pasqyruar tek Allegri?
Po, është e vërtetë, në aftësinë për të ndryshuar formën, për të ndryshuar “lëkurën” e ekipit, kur është e nevojshme. Duhet të kesh besueshmërinë e mjaftueshme për të menaxhuar një “makinë” të tillë. Nëse nuk jeni të aftë, lojtarët do t’ju shkarkojnë për pesë minuta. Besueshmëria në çdo sektor të jetës është cilësia më e rëndësishme
Cila është më e mira për Allegrin, të qëndrojë te Juventusi, apo duhet të ketë një përvojë jashtë vendit, në të ardhmen?
Unë u largova nga Milani pas pesë vitesh të jashtëzakonshme, sepse klubi më tha: duhet të fitojmë gjithmonë, të mos humbim asnjëherë. Unë u përgjigja: si është e mundur një gjë e tillë? Pra, Interi, Juventusi, Roma, Lazio, Parma, çfarë do të bënin ato, do të flinin gjumë?! Atëherë vendosa të largohem, ndjeva se kishte ardhur koha të ndryshoja mjedis. Te Roma ishte një tjetër histori. E lashë drejtimin e kësaj skuadre pas pesë vitesh, sepse kthehesha në shtëpi nga stërvitja në mbrëmje dhe nuk isha i lumtur. Nuk më pëlqente më puna që bëja.