Juventus-Milan do të luhet sot, më 16 janar, në orën 18:30, sipas orës sonë, ose në 20:30 në Jeddah, Arabinë Saudite, vendi ku zhvillohet finalja e Superkupës së Italisë.
Gianluigi Donnarumma është duke u përgatitur për të përjetuar finalen e tij të katërt të karrierës, duke pasur përballë sërish Juventusin në këtë kompeticion. Bardhezinjtë do të jenë përsëri kundërshtarët për t’u mundur në rrugën e portierit të ri të Milanit.
Tri finalet e tij të mëparshme janë tri momente, që Gigio vështirë se mund t’i harrojë. Flasim për faza, që e kanë ndihmuar numrin 99 të kuqezinjve të përfaqësojë referenca të rëndësishme, edhe për rritjen e vet të ardhshme. Donnarumma ka qenë protagonist në finalet kundër Juventusit; në të mirë dhe në të keq, gjatë këtyre viteve të tij të para si profesionist.
Ai e filloi këtë rrugëtim më 21 maj 2016, kur u luajt finalja e parë e karrierës së Donnarumma: Juventus-Milan. Ishte finale e Kupës së Italisë, trofe që do të ngrihej në qiell nga bardhezinjtë falë golit të shënuar në kohën shtesë nga Alvaro Morata. Në atë rast, portieri i kuqezinjve ishte i paqortueshëm, pas pothuajse 110 minutave lojë.
Në “kapitullin” e dytë të kësaj sage, Donnarumma vihet në qendër të vëmendjes, në atë që mbetet deri më sot nata më e mirë e aventurës së tij si lojtar i Milanit, kulmi i jetës së tij si futbollist. Ishte 23 dhjetori 2016, një datë absolutisht e paharrueshme për talentin napolitan.
Në Doha, Gigio ka shkruar një faqe të historisë së Milanit, duke iu dhënë Superkupën Italiane kuqezinjve, pasi priti penalltinë vendimtare të Dybala. Një “fantazi” për djaloshin e ri, që në atë kohë nuk e kishte arritur ende moshën madhore. Dora e tij e hapur për të shmangur shkuarjen e topit të goditur nga “Joya” në rrjetë mbetet ende një imazh i pashlyeshëm për të dhe për mbështetësit kuqezinj.
Një tjetër finale kundër Juventusit, ky portier e ka përjetuar për herë të fundit në Kupën e Italisë, sezoni 2017-2018. Ekipi i drejtuar nga Gattuso është likujduar nga Juventusi 4-0, në një ndeshje të dominuar nga Buffon dhe shokët e tij, por ajo që mund të evidentohet është performanca më e keqe në karrierën e Donnarumma, fajtor i qartë në pësimin e golit të dytë dhe të tretë nga bardhezinjtë.
Nga Doha në Jedah, portieri i Milanit është zhvilluar e rritur më shumë. Fillimisht, Gigio pati një evolucion të ngadaltë, por gradual. Në vazhdim, performanca e tij ishte në rritje të vazhdueshme në kampionat. Përqindja e tij e pritjeve është rritur nga 50% në tetor (me 5 gola të pësuar në katër ndeshje në Serie A) në 85.7% në dhjetor (duke qenë vetëm pas Szczesny, me 87.5% pritje).
Ky ka qenë muaji tij më i mirë për këtë sezon, sepse e përfundoi dhjetorin me tre gola të pësuar në 6 ndeshje dhe tri ndeshje pa pësuar asnjë gol. Numra që tregojnë vrullin dhe vullnetin e mirë të Donnarumma për t’u kthyer në nivelet e tij më të mira, siç dëshmohet nga ndeshjet kundër Torinos, Frosinone dhe SPAL.
Pasi ia lejoi dorezat zëvendësit të tij, Reina, për sfidën e Kupës së Italisë kundër Sampdorias, Gigio është i gatshëm të rifillojë si titullar kundër Juventusit, me një të kaluar finalesh të tilla bardhë e zi. Nëse kësaj here do të jetë “hero” apo “djall”, këtë mund ta zbulojë vetëm fusha e stadiumit në Jeddah…