Damask, 20 mars – Nga fillimi i operacionit humanitar në rajonin e Gutës Lindore javën e kaluar, nga kjo enklavë kryengritëse në afërsi të kryeqytetit sirian Damask janë evakuuar gjithsej 79.702 persona, prej të cilëve numri më i madh fëmijë, njoftoi Ministria ruse e Mbrojtjes.
Në kumtesë thuhet se vetëm gjatë ditës së djeshme përmes korridoreve të vendosur humanitar, nga ky rajon janë evakuuar 6.046 civilë.
Ndërkohë, Qendra siriane për monitorim të së drejtave të njeriut informon se gjatë sulmit të djeshëm ajror të forcave qeveritare siriane mbi Gutën Lindore, jetën e kanë humbur 17 civilë – 15 fëmijë dhe dy gra, ndërsa mbi 50 persona janë lënduar.
Sipas të njëjtit burim, sulmi është kryer mbi një shkollë në vendin Arbin, në jug të Damaskut, ku përkohësisht kanë qenë të vendosur një grup i refugjatëve.
Forcat qeveritare siriane më 18 shkurt filluan ofensivë kundër forcave kryengritëse në rajonin e Gutës Lindore dhe deri tani ndërmorën kontroll mbi 80 për qind të territorit të enklavës.
Në këtë periudhë në rajon jetën e humbën mbi 1.400 persona, midis të cilëve edhe 300 fëmijë dhe 200 gra. Në të njëjtën kohë, gjatë sulmeve mbi Damaskun nga territori i Gutës Lindore jetën e kanë humbur rreth 50 civilë.