Nga futbollist, në një superyll të Netflix

3

Jesús Mosquera, 27 vjeç, ka qenë futbollist që prej moshës 12 vjeçare dhe ka luajtur me ekipe të Spanjës. Malaga dhe më pas Athletic Bilbao, ishin klubet ku u formua si lojtar, kurse më pas luajti në disa ekipe modeste në kategoritë inferiore. Një stërvitje e zakonshme në palestër i ndryshoi jetën.

Informacionet për të janë të pakta, sepse kohë më parë ishte thjesht një i panjohur. Jesús fitoi famë në rolin e Hugo Beltrán González në serialin “Toy Boy” në Netflix. Gjatë verës së 2018-s, kohë kur nuk luante futboll, disa miq i thanë Jesús që të shkonte në palestër, pasi disa producentë po kërkonin atje njerëz për një serial televiziv.

Ai shkoi dhe askush nuk erdhi. Dy ditë më vonë, pronari i palestrës i tha që producentët u rikthyen sërish. “U thashë miqve që nuk do të shkoj sepse nuk do të më zgjedhin mua, kështu që nuk u paraqita,” tregoi ai për CNN.

“Ne vazhduam stërvitjen. Papritur dëgjova një grua që tha ‘është një djalë që ka portretin që ne kërkojmë, është me bluzë të verdhë, por ai nuk erdhi në audicione’. Ula sytë poshtë dhe pashë që kisha bluzë të verdhë.”

“E çfarë do humbasësh?” më tha ajo. “Nëse je me fat, do kalosh raundin e parë.” I shtyrë nga miqtë, Jesús pranoi të bënte audicionin, por thjesht për shaka. Një javë më pas, producentët e telefonuan dhe i ofruan rolin kryesor – një striptist.

“Ishte e ndërlikuar sepse jam njeri i turpshëm. Madje nuk doja që të shkoja në audicione sepse kam turp të pozoj para kamerës, jo më të zhvishesha dhe të kërceja.”

Pas telefonatës në janar të 2019-s, Jesús la futbollin dhe u transferua në Madrid. Disa muaj më pas nisi xhirimet e “Toy Boy” dhe ja tek është sot një nga aktorët më të përfolur dhe tërheqës në Spanjë.

Comments are closed.